Gazeta Si – Regjisori i njohur i kinematografisë shqiptare, Vladimir Prifti është ndarë nga jeta këtë të diel në moshën 81-vjeçare..
Përmes një postimi në rrjetet sociale, ministrja e Kulturës, Elva Margariti deklaroi se kinematografia shqiptare humbi një tjetër emër të madh.
Prifti është regjisor i disa prej filmave si “Udha e shkronjave”, “Kush vdes në këmbë”, “Flutura në kabinën time”.
“Sot kinematografia shqiptare humbi një tjetër emër të madh! Regjisori i filmave të paharrueshëm “Udha e shkronjave”, “Kush vdes në këmbë”, “Flutura në kabinën time” e shumë të tjerëve, Vladimir Prifti iu shtua tempullit të përjetësisë! Regjisor i analizës psikologjike, i gdhendjes së karaktereve, që iu largua klisheve të kohës, Prifti ka lënë pas një shkollë për filmin shqiptar. U prehsh në paqe mjeshtër!”, shkruan Margariti në Facebook.
Edhe regjisori i njohur, Mevlan Shanaj ka shkruar në rrjetet sociale: “Lamtumirë VLADIMIR PRIFTI !Sapo më lajmëruan për ikjen e regjisorit të filmave: Udha e shkronjave, Dhe vjen një ditë, Flutura në kabinën time, Kush vdes në këmbë, Era e ngrohtë e thellësive etj!
Sot ekranit shqiptar i ka ikur, regjisori i shquar, njeriu me humor dhe me pasion për artin! Ngushëllime familjes! Kur folëm herën e fundit ishe optimist o Ladi!
E lamë që së shpejti të shiheshim te kafja si çdo ditë! Lamtumirë! Filmat e tu janë një pasuri kombëtare! Emri yt do mbetet i përjetshëm për mes veprës tënde!”, shkruan Shanaj.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.