Ndahet nga jeta në moshën 51-vjeçare ish-drejtoresha e Teatrit Kombëtar të Kosovës, regjisorja Burbuqe Berisha.
Berisha ka ndërruar jetë në vendin e saj të punës, në Ministrinë e Kulturës.
Ministria e Kulturës së Kosovës, teksa jep lajmin e hidhur, u shpreh ngushëllime familjarëve.
“Me pikëllim ju njoftojmë se sot në mesditë në Ministrinë e Kulturës papritmas ka ndërruar jetë regjisorja e filmit dhe teatrit Burbuqe Berisha. Jemi thellësisht të prekur nga kjo ngjarje dhe u shprehim ngushëllime familjes, miqve dhe gjithë komunitetit artistik”, thuhej mes të tjerash në postimin e Ministrisë së Kulturës së Kosovës.
Regjisorja kosovare, Burbuqe Berisha, studimet i ka përfunduar në Fakultetin e Arteve, dega Regji e Filmit në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, në Prishtinë.
Autore e një numri të konsiderueshëm të filmave me metrazh të shkurtër dhe të gjatë si dhe dokumentarë, seriale televizive, shfaqje teatrore, Burbuqe Berisha është fituese e disa shpërblimeve në festivale të filmit dhe teatrit me karakter ndërkombëtar.
Në vitin 2019 Berisha u shpall fituese e Çmimit Kombëtar për Kinematografi.
Disa nga realizimet e saj janë “Lexi në qytet” në 10 episode, “Ashensori”, “Kosova 9/11”, “Ëndrra”, “Nanë”, “Dimri i shpirtit”, “Bunari”, “Viti 2000” etj. Kurse, nga filmat e saj dokumentarë shquhen “Për Jusuf Gërvallën”, “Universiteti nëpër vite”, “Harmonika”, etj.
Për katër vjet me radhë ka punuar si drejtoreshë e Përgjithshme e Teatrit Kombëtar të Kosovës, pastaj anëtare e Këshillit Drejtues të Qendrës Kinematografike të Kosovës dhe kryetare e këshillit drejtues të Teatrit Kombëtar të Kosovës. Së fundi ishte pro -dekane në Fakultetin e Komunikimit Masiv dhe Gazetarisë në Kolegjin AAB. Ka ligjëruar lëndët Film Dokumentar, Regji televizive, Regji për film, teatër dhe televizion.
Në shumë festivale filmash ka qenë anëtare e jurive profesionale me karakter ndërkombëtar dhe është aktiviste e shumë kampanjave bamirëse.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.



