Art dhe Kulture

Ndahet nga jeta mjeshtrja e Cirkut, Vitore Sallaku

foto e akrobates

Nga Gazeta Si – Ndahet nga jeta artistja e madhe, Vitore Sallaku, një ndër pionieret e cirkut shqiptar.

Ish-akrobatja Vitore Sallaku, një nga themelueset e Cirkut që u ka falur gëzim fëmijëve ndër breza ka mbyllur sytë përgjithmonë këtë të enjte.

Karriera e saj e gjatë në Cirk dhe numrat e paarritshëm që i dha skenës ndër vite e bëjnë atë të mbetet një shkollë për brezat e rinj.

Për ndarjen e saj nga jeta ka reaguar edhe komuniteti i artistëve të Cirkut. Kryetari i Sindikatës së Artistëve, Julian Kazazi, ndërsa u shpreh ngushëllimet familjarëve thotë që ajo ishte një emër i spikatur në artin e bukur të Cirkut.

“Cirkut Kombëtar ju shua dhe një tjetër yll, një Artiste me vlera të larta artistike dhe kulturore. Vitore Sallaku, Mjeshtre e Madhe e Cirkut Kombëtar, një prej themeluesve të këtij arti kaq të bukur e të dashur nga të gjithë, u larguar sot nga kjo jetë për tu bashkuar me Skënderin që e donte jashtë mase. I shprehim ngushëllimet tona të sinqerta familjarëve për këtë humbje kaq të madhe”, shprehet Kazazi.

Vitore Sallaku do të bëhej pjesëtare e trupës së Cirkut që në moshën 11-vjeçare, duke dhënë një kontribut të madh, si brenda edhe jashtë vendit. Pas shkëputjes nga skena, ajo u bë ndër pedagoget e para të studios së Cirkut. Në shenjë mirënjohje të aktivitetit të saj artistik në shërbim të artit, i janë akorduar Medalje dhe Urdhëra Pune, gjithashtu edhe titujt “Artiste e Merituar” dhe “Mjeshtre e Madhe e Punës”.

Akrobatja Sallaku ishte bashkëshortja e Skënder Sallakut, emri i të cilit lidhet me historinë e humorit shqiptar. Vitore Sallaku do të njihej me të që në moshën 15-vjeçare në ambientet e Cirkut.

Në një studio televizive, Vitore do të tregonte se propozimi për martesë nga humoristi ka qenë një surprizë e vërtetë, pasi ai i ka propozuar në skenë para publikut.

“Mund të them që ka qenë një surprizë, sepse Skënderi në skenë më ka bërë një surprizë. Unë po dilja për të bërë ushtrimet plastike që kisha në skenë dhe më thotë: Do martohesh me mua Vitore. Surpriza është moment që nuk e di si kalon. Unë si natyrë nuk flas shumë me thënë të drejtën dhe Skënderi ishte natyrë shumë gazmore dhe të ngatërronte, me gojën e tij ngatërroheshe ti. Unë isha lart në tavolinë dhe poshtë ishte dikush tjetër që e shtynte tavolinën deri në qendër, pastaj fillova ushtrimet. Skënderi rrinte poshtë tavolinës dhe kur mbarova unë ai thotë: Këtu jam edhe unë, para publikut. Unë mendova se po bënte humor se ishim në skenë dhe i thashë po. Pastaj dalëngadalë më vinte mbrapa s’kishte punë tjetër”, do të rrëfente Vitore Sallaku në një intervistat e fundit televizive.

Vitore Sallaku Rasha mban titullin e lartë Mjeshtre e Madhe. Ka lindur në Tiranë. Përfundoi studimet në liceun artistik “Jordan Misja” dhe ato të larta në Institutin e Kulturës Fizike “Vojo Kushi” në Tiranë. Është një nga akrobatet më të spikatura të arenës së cirkut që për më shumë se 35 vjet i dha skenës numra të paarritshëm. Përgjatë karrierës së saj ajo do të shokonte publikun shqiptar e të huaj duke interpretuar në shumë skena të botës.

E shumëquajtura nga publiku si “Njeriu pa kocka” apo “Artistja që sfidoi kohën” ka kryer specializime të posaçme në trupat e cirkut të Pekinit dhe Bashkimit Sovjetik.

Vitorja ka botuar edhe një numër librash.  Puna e saj e fundit ka qenë një libër biografik për bashkëshortin e saj, Skënder Sallaku, ndërkohë që numëron edhe 5 libra të tjerë të botuar mes të cilëve tri janë me poezi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë