Njerez

Ndahet nga jeta ish-Presidenti Bujar Nishani, prej një muaji ishte në gjendje të rëndë në spital, në Gjermani

Ish-Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, ka ndërruar jetë.

Nishani prej disa javësh ishte i shtruar në një spital në Gjermani dhe kaloi në vdekje klinike dhe mbahej në jetë përmes aparaturave

Lajmi u konfirmua nga deputeti i PD, Edi Paloka.

Situata shëndetësore e ish-kreut të shtetit u rëndua pas infektimit të tij me COVID-19 dy muaj më parë. Ai vuante nga një sëmundje autoimune në mëlçi dhe nuk arriti t’i tejkalojë pasojat që virusi famëkeq i ka lënë në organizëm.

Fillimisht, Nishani u shtrua në Senatorium dhe pas rehabilitimit të tij fillestar, ai u rikthye në spital për shkak se simptomat post-COVID e patën lënë me shenja pneumonie në mushkëri.

Gjendja e tij u stabilizuar për pak kohë. Por, më pas, ajo u përkeqësua.

Më 23 prill, ai u nis drejt Gjermanisë për mjekim, por që nuk mundi të mbijetonte.

Kanë qenë mjekët, të cilët kanë sugjeruar eutanazinë si zgjidhje përfundimtare dhe aparaturat i janë hequr.

Vetë familja e Nishanit ka udhëtuar për në vendin evropian, për të dhënë pajtimin e tyre.

Kush ishte Bujar Nishani?

Bujar Nishani, Presidenti i pestë i Republikës së Shqipërisë pas ardhjes së demokracisë në Shqipëri, ka lindur në Durrës më 29 shtator 1966.

Karriera e tij profesionale filloi në vitin 1988 si pedagog në Akademinë Ushtarake Skënderbej. Pas kësaj, në 1993 shërbeu si Drejtor i Punëve të Jashtme në Ministrinë e Mbrojtjes, për të vazhduar në Departamentin e Marrëdhënieve me NATO-n në Ministrinë e Punëve të Jashtme në vitin 1994. Viti 1996 e gjen Nishanin në Kabinetin e Ministrit të Mbrojtjes. Një vit më pas u emërua dhe shërbeu si Kryetar i Forumit Ushtarak Euro-Atlantik.

Karriera politike e Nishanit filloi në vitin 1991 si anëtar i Partisë Demokratike. Në vitin 2001 u zgjodh Sekretar i Degës së Partisë Demokratike Tiranë, ndërsa në vitin 2003 u zgjodh anëtar i Këshillit Bashkiak të Tiranës.

Dy vite më pas Nishani zgjidhet anëtar i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike dhe më pas anëtar i Kryesisë Qendrore të kësaj partie politike. Ndërsa, në korrik po të këtij vite ishte kandidat për Partinë Demokratike, ku fiton mandatin e deputetit në zonën zgjedhore 34 në Tiranë. Në zgjedhjet parlamentare të qershorit 2009, ai u zgjodh sërish deputet.

Nga marsi 2007 deri në shtator 2009, Nishani shërbeu si Ministër i Brendshëm. Gjithashtu ai ka qenë dhe ministër i Drejtësisë, nga shtatori 2009 deri në prill 2011 dhe më pas, në prill të 2011 Nishani u emërua sërish në postin e Ministrit të Brendshëm, ku qëndroi deri në qershor të vitit 2012, kur u zgjodh nga Kuvendi i Shqipërisë në detyrën e Kreu i shtetit.

Më 24 korrik 2012 Bujar Nishani u betua si President i Republikës para Kuvendit të Shqipërisë për një mandat. Nga 2017 e në vijim ka vijuar me angazhimin e tij politik pranë selisë blu.

Në konfliktin e fundit në PD, ishtë pjesë e Foltores së Berishës dhe pjesë e Komisionit të Rithemelimit.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë