Nga Gazeta “Si” – Regjisori i shquar Dhimitër Anagnosti është ndarë nga jeta në moshën 89-vjeçare, duke lënë pas një trashëgimi të vyer në historinë e kinemasë dhe kulturës shqiptare.
Me një karrierë që zgjati mbi katër dekada, Anagnosti realizoi 14 filma artistikë dhe 10 dokumentarë, duke u bërë një nga emrat më të respektuar dhe më të vlerësuar në fushën e artit filmik në Shqipëri. Ai ishte autor i 15 skenarëve, shumicën e të cilëve i kishte shkruar vetë për filmat që drejtonte.
Debutimi i tij në botën e filmit nisi herët, me filmin “Njeriu kurrë nuk vdes”, një ekranizim i një tregimi të Ernest Heminguejt, xhiruar si punë diplome në bashkëpunim me Viktor Gjikën. Ky film u vlerësua me Çmimin e Parë në Festivalin Botëror të Shkollave Kinematografike në Holandë, në vitin 1961.
Pas kthimit në Shqipëri, Anagnosti nisi punën si operator në Kinostudion “Shqipëria e Re” me filmin “Debatik” (1961), dhe më pas “Toka jonë” (1964). Po ashtu, ai realizoi edhe filmin e parë dokumentar me ngjyra në vend, “Gurët dekorativë”.
Në vitin 1966, realizoi filmin e parë artistik si regjisor “Komisari i dritës”, sërish në bashkëpunim me Gjikën. Një vit më vonë, ai debutoi si regjisor i vetëm me filmin “Dueli i heshtur”.
Për kontributin e tij të jashtëzakonshëm në art dhe kulturë, Dhimitër Anagnosti u nderua me titullin e lartë “Artist i Popullit” në vitin 1987 dhe me Kupën e Karrierës në Festivalin e 10-të të Filmit Shqiptar.
Në vitin 2001, ai shkroi dhe vuri në skenë dramën e tij të vetme “Nata e trokitjeve në xham”, e shfaqur në Teatrin Kombëtar. Ndërsa në vitin 2005, rikthehet fuqishëm në kinema me filmin “Gjoleka, djali i Abazit”, i cili fitoi dy çmime ndërkombëtare në Itali.
Anagnosti ishte gjithashtu një nga themeluesit dhe drejtuesit e Fondacionit për Artin dhe Kulturën “Fan Noli”, duke mbështetur krijues, artistë dhe intelektualë në zhvillimin e kulturës shqiptare brenda dhe jashtë vendit.
Disa nga veprat më të njohura të tij përfshijnë:
- Gjoleka, djali i Abazit (2006)
- Kthimi i ushtrisë së vdekur (1989)
- Përrallë nga e kaluara (1987)
- Gurët e shtëpisë sime (1985)
- Kujtime nga Gjirokastra (1983)
- Vëllezër dhe shokë (1982)
- Në shtëpinë tonë (1979)
- Monumenti (1977)
- Lulëkuqet mbi mure (1976)
- Kur hiqen maskat (1975)
- Cuca e maleve (1974)
- Përjetësi (1974)
- Motive nga dita e diel (1973)
- Malet me blerim mbuluar (1971)
- Plagë të vjetra (1968)
- Duel i heshtur (1967)
- Komisari i dritës (1966)
- Njeriu kurrë nuk vdes (1961)
Vdekja e Dhimitër Anagnostit përbën një humbje të madhe për kulturën dhe artin shqiptar.

Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



