Njerez

Ndahet nga jeta aktori dhe regjisori Naun Shundi

Nga Gazeta “SI”- Aktori dhe regjisori i njohur, Naun Shundi, u nda nga jeta sot pas një sëmundjeje të rëndë, duke lënë pas një trashëgimi të vyer në teatër, kinematografi dhe në formimin e brezave të rinj të aktorëve.

Naun Shundi lindi më 3 shkurt 1959 në Tiranë. Që herët u dallua për talentin e tij dhe pasionin për artin skenik. Në vitin 1977 u diplomua “regjisor” në Shkollën e Mesme të Kulturës, ndërsa në 1983 përfundoi studimet si “aktor” në Institutin e Lartë të Arteve (sot Akademia e Arteve). Pas diplomimit, u emërua aktor në Teatrin Kombëtar, ku do të interpretonte një sërë rolesh të spikatura.

Në vitin 1985, Shundi u transferua si regjisor në Pallatin e Kulturës “Dardania” në Bajram Curri, por vetëm një vit më vonë u rikthye në Teatrin Kombëtar, duke forcuar edhe më shumë praninë e tij artistike.

Një nga kulmet e karrierës së tij ishte në 1989, kur fitoi çmimin si aktori më i mirë në Olimpiadën Teatrore, me rolin e paharrueshëm të Jovan Bregut në komedinë e njohur “Pallati 176”.

Kontributi i Naun Shundit nuk u kufizua vetëm në skenë. Nga 1993 deri në vitin 2000, ai ishte pedagog i mjeshtërisë së aktorit, regjisurës dhe fjalës artistike në degën e regjisë, pranë Akademisë së Arteve. Në vitin 1995, ai thelloi formimin e tij me një specializim në regji pranë Teatrit Kombëtar dhe Katedrës së Regjisë në Akademinë e Teatrit dhe të Filmit në Bukuresht. Gjithashtu Shundi themeloi të parin teatër privat në Shqipëri “ Zonja e bujtinës”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë