Njerez

Ndahet nga jeta aktori dhe regjisori Enver Petrovci

Është ndarë nga jeta aktori, regjisori dhe dramaturgu i njohur shqiptar, Enver Petrovci, një nga figurat më të rëndësishme të skenës dhe ekranit shqiptar.

I lindur më 28 shkurt 1954 në Prishtinë, ai hodhi hapat e parë në aktrim në Shkollën e Lartë Pedagogjike të qytetit të tij, ndërsa studimet e larta për art dramatik i përfundoi në Fakultetin e Arteve Dramatike në Beograd.

Karriera e tij u shtri në teatër, film dhe televizion, ku spikati për fuqinë interpretuese dhe aftësinë për të mishëruar role të ndryshme. Përveç aktrimit, Petrovci u dallua edhe si regjisor, dramaturg dhe autor veprash letrare, duke dhënë një kontribut të çmuar në pasurimin e kulturës shqipe.

Pas viteve ’90, ai u rikthye në trojet shqiptare, ku veproi si aktor, regjisor dhe pedagog. Ai ishte themelues i disa institucioneve kulturore në Kosovë, ndër to “Akademia e Arteve në Prishtinë” dhe “Teatri i Babës”, duke formuar breza të rinj artistësh.

Me punën dhe përkushtimin e tij të pashtershëm ndaj artit, Enver Petrovci u bë një nga ikonat më të respektuara të kulturës shqiptare, duke lënë gjurmë të pashlyeshme në zhvillimin e skenës dhe ekranit shqiptar për dekada me radhë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë