Art dhe Kulture

Ndahen çmimet e Kokofest, triumfon “Ferma e Kafshëve”

Festivali Mbarëkombëtar i Komedisë “Kokofest” mbylli siparin në Korçë, pas 6 net feste për qytetarët.
“Kokofest”, Festivali Mbarëkombëtar i Komedisë në gjashtë net radhazi solli për artdashësit 6 shfaqje nga të gjithë teatrot e vendit.
Juria e përbërë nga personalitete të teatrit dhe kinemasë shqiptare si aktori Ndriçim Xhepa, aktorja Eva Alikaj, aktori Sotiraq Bratko, Alfred Trebicka, regjisori Qëndrim Rijani vlerësuan si shfaqjen më të mirë: “Ferma e Kafshëve” të George Orëell me regji të Driada Dervishit me të cilën u prezantua Teatri Kombëtar në këtë edicion të Koko Fest në Korçë. Çmimi i regjisë më të mirë i shkoi Driada Dervishit nga Teatri Kombëtar për shfaqjen “Ferma e Kafshëve”.
Aktori më i mirë joprotagonist u çmua aktori Hervin Çuli, me rolin e Majorit dhe të Topdëborës në shfaqjen “Ferma e Kafshëve”.
Aktori më i mirë i ri shkoi për Donald Shehu për rolin e Beniaminit te “Ferma e Kafshëve”.
“’Ferma e kafshëve’ korri një sukses të jashtëzakonshëm në Festivalin Mbarëkombëtar të Komedisë Koko Fest 2021, duke fituar plot 4 Çmime.
Urimet më të mira shkojnë për regjisoren e shfaqjes Driada Dervishi dhe të gjithë aktorët, stafin krijues dhe teknik”, thuhet në njoftimin e Teatrit Kombëtar.
Çmimi Aktori më i mirë Protagonist i shkoi Gentjan Zenelajt në rolin e Kryetarit të Bashkisë në komedinë “REVIZORI”.
Ky Festival po merr trajtën e traditës, që e kthen në një pikëtakim të teatrove të trojeve shiqipfolëse që i vijnë publikut korçar me plot të qeshura përmes komedive.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë