Mendim

NATO e alarmuar për ndikimin e Rusisë në Ballkan

Vizita e presidentit Vladimir Putin në Serbi, premtimet për investime atomike dhe sulmet e drejtpërdrejta ndaj influencës perëndimore duket se kanë alarmuar zyrtarët e NATO-s. Aleanca transatlantike ka njoftuar se në fillim të shkurtit, ministrat e mbrojtjes së NATO-s do të mblidhen në një konferencë dhe se në prill, ministrat e jashtëm të të gjitha vendeve anëtare do të mblidhen sërish ne Bruksel. Sipas ekspertëve, këto takime pritet të rivlerësojnë rëndësinë strategjike të Detit të Zi dhe të Ballkanit, veçanërisht në dritën e ngjarjeve të fundit.

Këto ngjarje përfshijnë incidentin e kohëve të fundit të Krime, zbulimet e ndërhyrjes së Rusisë në Maqedoni, Greqi dhe Mal të Zi, për të parandaluar që Podgoricën dhe Shkupin të hyjnë në NATO dhe të bëjnë paqe me fqinjët. Njëkohësisht, Moska është kthyer në një kërcënim për shtetet bregdetare të Detit të Zi, të cilat janë të gjitha anëtarë të NATO-s.
Sipas burimeve të revistës prestigjioze “Time”,gjatë dy samiteve, zyrtarët e NATO-s pritet të diskutojnë për shtimin e pranisë ushtarake në Ballkan dhe në Detin e Zi.

Shumë raporte të kohëve të fundit kanë theksuar kërcënimin rus ndaj shteteve ballkanike dhe balltike. Polonia ishte e fundit që bëri thirrje për shtimin e pranisë ushtarake të SHBA-së dhe të NATO-s n rajon, ndërkohë që ekspertët thonë se kërcënimet ndaj shteteve bregdetare të Detit të Zi dhe Ballkanit nuk janë vetëm ushtarake por edhe politike. Moska po përdor çdo instrument jo-ushtarak në arsenalin e saj për të nxitur tensionin midis serbëve dhe myslimanëve në Serbi dhe Bosnje. Avionët ushtarake rusë po kryejnë një sërë fluturimesh mbi Rumani, duke kërcënuar sidomos platformat e energjisë në Detin e Zi. Kremlini ka shpërndarë po ashtu edhe një sërë agjentësh të lidhur ngushtë me parti politike në të gjithë Ballkanin. Por lëvizja më dramatike erdhi rreth një muaj më parë, kur Moska dërgoi armët bërthamore në zonën e Detit të Zi, në përpjekje për të trembur qeveritë europiane.

Presidenti rus Vladimir Putin dhe presidenti serb Aleksandër Vucic

Ndërkohë, gjatë vizitës së tij në Serbi,Putin u takua me disa nga zërat më anti-NATO në rajon, dy kryetarët e Frontit Demokratik të Malit të Zi, një parti pro-ruse e përbërë nga grupe që kundërshtojnë anëtarësimin e vendit në NATO dhe kreun e Republikës Srpska. Zyrtarët rusë nuk bënë asnjë përpjekje për të fshehur agjendën e tyre për Ballkanin, pasi Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov u tha gazetarëve se Rusia nuk do të pranonte kurrë që Bosnja të bashkohej me NATO-n.

Mikpritja heroi tregoi edhe njëhere se Putin e ka kthyer Serbinë në një poligon për përhapjen e interesave ruse në Ballkan dhe kjo është e dukshme në çdo hap. Për shembull, në prill të vitit 2017, kur demonstruesit sulmuan me forcë Kuvendin maqedonas, i pranishëm ishte edhe agjenti serb Goran Zivaljeviç, duke kaluar çdo protokoll diplomatik. Živaljević u kthye sërish në Beograd, nga ku u riemërua në Ambasadën e Serbisë në Sarajevë.

Rusia mbështeti hapur Nikolla Gruevskin dhe më pas punoi kundër kryeministrit Zoran Zaevit, me qëllim bllokimin e marrëveshjes së Prespës. Ndërhyja e Rusisë në Ballkan u tregua edhe nga ndërhyrja e zyrtarëve serbë në procesin zgjedhor në Bosnje dhe Herzegovinë, me qëll, mbështetjen e hapur të Milorad Dodik

Gaz dhe pushtet

Luftanije ruse në Detin e Zi

“TurkStream”, gazsjellësi që nis në Rusi dhe përfundon në Turqi, duket se është kthyer në një armë të fuqishme në duart e Moskës për të kontrolluar Ballkanin. Ai do të përfundojë në kufirin greko-turk pa juridiksionin e BE-së, dhe nëpërmjet tubacioneve të tjera do të shpërndahet për klientët e Ballkanit, Italisë dhe Europës Qendrore. Si pjesë e kësaj strategjie, Putini vizitoi Serbinë, duke u përpjekur të shiste të njëjtin kalë dy herë. Në thelb, ai i premtoi presidentit Aleksandër Vucic, përfaqësuesve të opozitës malazeze dhe presidentit të Republikës Srpska se vendi i tyre do të jetë në qendër të këtij projekti.

Ekspertët perëndimorë janë mjaft skeptikë, duke ngritur alarmin se më pas Moska, e ndihmuar nga klientët e saj ballkanikë, do të dominojë skenën e Europën Lindore dhe do të intensifikojë përpjekjet e saj për të parandaluar integrimin europian në të gjitha format e tij. Këto forma përfshijnë zgjerimin e NATO-s në Ballkan dhe integrimin e Ukrainës në institucionet ndërkombëtare. Sipas tyre, deri në përfundim të gazsjellësit, Moska do të ketë fituar mjetet e duhura për të korruptuar qeveritë e rajonit, duke shfrytëzuar ndikimin e saj për të mbajtur Ballkani jashtë Bashkimit Europian.

Rasti më flagrant është ai i presidentit Viktor Orban, i cili i ka lejuar Rusisë të marrë kontroll mbi burimet e energjisë të Hungarisë dhe t’i përdorë për të depërtuar në ekonominë dhe politikën e Hungarisë. Duke qenë se kompania energjetike hungareze “MOL” është një pronarja e kompanisë energjetike të Kroacisë INA, prania në rritje e Moskës në Hungari përkthehet në një prani të madhe edhe në Kroaci, duke bërë kështu që Moska të ndikojë përmes saj tendencat e energjisë në Ballkan, ekonominë dhe politikën e përgjithshme.

“Turk Stream”

Korrikun e kaluar, Hungaria nënshkroi një marrëveshje me kompaninë që ka marrë përsipër këtë tubacion, gjigantin rus “Gazprom”, për të marrë gaz nga gazsjellësit turk. Pak muaj më pare, Presidenti rus vizitoi Budapestin, ku edhe diskutoi me Kryeministrin Orbán pjesëmarrjen e Hungarisë në “TurkStream” si dhe ndërtimin e centraleve bërthamore ruse në Hungari.

Edhe Serbia po planifikon gjithashtu të nënshkruajnë një marrëveshje ndërqeveritare me Rusinë për bashkëpunimin në energjinë atomike, një lajm që mund të rrisë tensionet në rajon, për shkak së Serbia ka mbajtur deri më tani një qëndrim ushtarakisht neutral.

“Pala serbe është shumë serioze për rivendosjen e industrisë së saj bërthamore në vendin e saj”, tha kreu i Korporatës Ruse “Rosatom”, Aleksey Likçev. Ai shtoi se “për herë të parë, marrëveshja me Beogradin përfshin çështje të bashkëpunimit në fushën e inovacionit ushtarak dhe digjitalizimit”.

Duke pasur parasysh kaosin e tanishëm në BE për shkak të Brexit dhe dobësimin e marrëdhënieve transatlantike në përgjithësi, nëse NATO dhe SHBA-ja nuk vendosin të ndërhyjnë, Moska mund të fitojë ndikim të qëndrueshëm në të gjithë Ballkanin.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë