Lajme

Nata e ndërrimit të viteve, dy të lënduar nga fishekzjarret

Në atmosferë feste dhe gëzimi nata e ndërrimit të viteve u prit në të gjithë qytetet e vendit. Ajo që ra në sy ndryshe nga vitet e tjera, ishte hedhja e përqendruar e fishekzjarreve nga bashkitë. Vendimi i qeverisë për të ndaluar shitjen e materialeve piroteknike kësaj here ka ndikuar që në natën e ndërrimit të viteve të mos kishte shumë shpërthime kapsollash, apo fishekzjarrësh si në vitet e kaluara.
Në Sheshin “Skënderbej” ku ishin mbledhur qytetarë të shumtë për të festuar dhe ndjekur koncertin e organizuar nga bashkia, sipas Policisë për herë të parë nuk janë hedhur kapsolla.

Mbi 2500 punonjës policie kanë qenë të angazhuar në shërbim në të gjithë vendin, natën e ndërrimit të viteve.

Mbrëmë në shesh kanë qenë të pranishëm, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ardi Veliu, i cili ka ka inspektuar shërbimet e Policisë ku u kryen festimet nga Bashkia e Tiranës.
Gjatë një prononcimi për mediat Drejtori i Përgjithshëm, Veliu ka theksuar se në të gjithë vendin ndërrimi i viteve ka kaluar pa probleme, në të gjitha sheshet janë hedhur fishekzjarrë në mënyrë të organizuar dhe është për t’u vlerësuar fakti se si rezultat i masave të marra, pothuajse është zeruar hedhja e kapsollave, ndërsa paralajmëroi masa ndaj shkelësve.

Drejtori Ardi Veliu ka uruar gjithë punonjësit e policisë të cilët natën e ndërrimit të viteve e kaluan në punë dhe vijojnë të jenë në shërbim, por edhe gjithë punonjësit e Policisë së Shtetit si dhe qytetarët për bashkëpunimin dhe besimin që ata i japin Policisë së Shtetit.
Por në disa zona të Tiranës dhe në qytete të Shqipërisë ka pasur hedhje të fishekzjarrëve të pakta në numër.

Image may contain: 1 person, standing and night
Drejtori Veliu gjate inspektimeve ne Tirane

Policia bën të ditur se në të gjithë vendin si rezultat i hedhjes së fishekzjarreve janë lënduar lehtë pa probleme për jetën dy shtetas, një shtetas në Tiranë dhe një shtetas në Korçë.
Qeveria mori vendimin e veçantë për të bllokuar tregtimin e lëndëve piroteknike, pas incidentit të ndodhur në nëntor, ku gjatë protestës përpara Parlamentit, u plagos policja Ina Nuka. Shkak i kësaj plagosjeje u bë shpërthimi i një kapsolle, e cila i dëmtoi pjesët e gishtave të dorës së djathtë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë