Shkencë

NASA zbulon se neptuni është më i ftohtë nga ç’mendohej

Në pozicionin e tij 2.8 miliardë milje larg nga Dielli, nuk është çudi që Neptuni të jetë një nga planetët më të ftohtë në Sistemin Diellor, me temperatura mesatare prej -207 gradë celsius. Një studim i ri ka zbuluar se gjiganti i akullt mund të jetë edhe më i ftohtë nga sa mendonim fillimisht.
Studiuesit nga NASA analizuan imazhet termike infra të kuqe të Neptunit nga observatorë të shumtë për gati 20 vjet. Analiza e tyre zbuloi se temperaturat mesatare në stratosferën e Neptunit ranë papritur me rreth 8°C midis 2003 dhe 2018.

Michael Roman, bashkëpunëtor i kërkimit postdoktoral në Universitetin e Leicester dhe autori kryesor i studimit, tha se ky ndryshim ishte i papritur.
“Meqenëse ne kemi vëzhguar Neptunin gjatë verës së tij të hershme jugore, ne do të prisnim që temperaturat të rriteshin ngadalë, por jo të ishin më të ftohta”, shpjegon Roman.
Në studim, u analizuan imazhet termike me rreze infra të kuqe nga një sërë observatorësh, duke përfshirë teleskopin shumë të madh të Observatorit Jugor Evropian dhe teleskopin Gemini South në Kili. Ashtu si Toka, Neptuni përjeton stinët. Megjithatë, ndërsa Tokës i duhen 365 ditë për të përfunduar një orbitë rreth diellit, Neptunit i duhen mbi 165 vjet.

Kjo do të thotë se stinët në gjigantin e akullt ndryshojnë shumë më ngadalë.
Glenn Orton, Shkencëtar i Lartë Kërkimor në Laboratorin Jet Propulsion të NASA-s dhe bashkautor i studimit, tha se të dhënat tona mbulojnë më pak se gjysmën e sezonit të Neptunit, kështu që askush nuk priste të shihte ndryshime të mëdha dhe të shpejta.
Ndërsa, të dhënat termike zbuluan se temperaturat në të gjithë stratosferën kishin rënë nga 2003 në 2018, çuditërisht, e kundërta ishte e vërtetë për polin jugor të Neptunit nga 2018 në 2020.
Atje, stratosfera në fakt ishte ngrohur me 11°C – diçka që nuk është vërejtur kurrë më parë.
Studiuesit aktualisht nuk janë të sigurt se çfarë po i shkakton këto ndryshime të temperaturës.
“Ndryshimet e temperaturës mund të lidhen me ndryshimet sezonale në kiminë atmosferike të Neptunit, të cilat mund të ndryshojnë në mënyrë efektive sa ftohet atmosfera,” shpjegoi Roman.
Dielli ndjek një cikël 11-vjeçar, gjatë të cilit aktiviteti i tij ndryshojnë. Hulumtimet e mëparshme kanë treguar se shkëlqimi i dukshëm i Neptunit luhatet bazuar në këtë cikël dhe studimi i ri zbulon gjithashtu një lidhje të mundshme me temperaturat e planetit.
Burimi: Daily Mail/ Përshtati: Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë