Nga Gazeta 'SI'- Shoqata Kombëtare e Ndërmjetësve të Pasurive të Paluajtshme të Shqipërisë, NAREA, njoftoi sot vonesa për miratimin e rivlerësimit të pronave me 3% nga ana e Parlamentit, ka dëmtuar tregun imobiliar në vend.
NAREA thotë se tregu është bllokuar nga zvarritja e trajtimit të këtij propozimi, pasi shitësit kanë tërhequr pronat nga tregu, në pritje të miratimit.
Më tej, Shoqata thotë se qeveria duhet të rishikojë tatimin e fitimit për shitjen e pronave dhe nga 15% ta reduktojë atë në 3%, aq sa parashikohet të bëhet rivlerësimi.
“Mbështetur në të dhënat kombëtare të këtij sektori, vëmë re se në krahasim me vitet kur ky tatim mbahet në nivelin 15%, gjatë periudhave të lehtësirave fiskale ku norma e tatimit aplikohet jo më shumë se 3%, sektori jo vetëm që njeh rritje dhe zgjerim, shqiptarët jo vetëm që fitojnë më tepër, por dhe buxheti arkëton të ardhura më tepër, në nivelet 35-40 milionë euro. Nga krahasimi i 5 viteve te fundit, tregon se në vitet 2020-21-22 ku tatimi ka qenë në nivelet 3%, për buxhetin e shtetit janë realizuar mesatarisht 44 milionë euro të ardhura për çdo vit nëpërmjet këtij tatimi, pra rreth 60% me tepër në krahasim me vitin 2019 ku tatimi ka qenë 15%”, argumenton Shoqata.
Propozimi me firmën e deputetes socialiste Blerina Gjylameti u dërgua në Kuvend në maj të këtij viti synon formalizimin e tregut të pasurive të paluajtshme. Në rast miratimi, ligji do të jetë i shtrirë deri në qershor të 2025-s.
Qytetarët apo bizneset mund të bëjnë rivlerësimin pranë Kadastrës ose me një agjent pronash.
Hera e fundit që nisi një fushatë rivlerësimi ishte në 2020-n dhe përfundoi në fund të 2021-shit. Sipas të dhënve të Kadastrës atëherë u rivlerësuan 56.623 banesa. Vendimi i 2020-s lejonte rivlerësim 3% për qytetarët dhe 5% për bizneset.
Sipas të dhënave të Regjistrit Kombëtar të Adresave (RKA), rezulton se në Shqipëri numërohen 471 mijë e 945 apartamente dhe në total 774 mijë e 431 ndërtesa.
Në fund të verës së shkuar, qeveria miratoi çmimet e reja të referencës për qarkun e Tiranës, po ashtu me synimin e formalizimit të tregut. Në një takim me ndërtuesit, kryeministri Edi Rama tha se referencat do të ndalojnë abuzimet me çmimet e pronave që shiten me vlerë më të lartë nga ajo që deklarohet.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.