A keni parë ndonjëherë një film ku tregohet se me sa rëndësi hartohen reformat burokratike? Keni dashur ta shikoni? Shanset janë të larta për ta parë këtë javë. “Napoleon”, një film biografi me një buxhet të lartë, e ofron këtë: mënyra se si një i ardhur nga Korsika fitoi fuqinë absolute si perandor i Francës, luftoi beteja të pafundme dhe shijoi shumë dashnore. Sado adrenalinë, gjak dhe djersë ofron filmi, nuk është fiks thelbi i Napoelon-it. Ka pasur shumë tiranë europianë që luftuan fort dhe shënjuan Europën moderne. Harroni Bonaparten si gjeneral, Napoleoni i vetëm që ka rëndësi është ai që mblodhi administratën franceze dhe hartoi ligjet e institucionet mbi të cilat Europa jeton sot.
Europianët nuk e dinë mirë se ku ta vendosin Napoelonin, që udhëhoqi Francën nga 1799-a në 1814-n (pak më pak se Angela Merkel në Gjermani) dhe u rikthye në 1815-n. Për shumë ai është një figurë e historisë së shkuar, një Cezar i mëvonshëm që erdhi të sundonte kontinentin me mizori. Të tjerët, e portretizojnë si një tiran qëllimi i vetëm i të cilit ishte të shkatërronte dhe vriste, një prelud i një të çmenduri që fuqizoi pushtetin totalitar në shekullin e 20-të. Napoeloni dhe ushtria e tij “grade” vranë miliona jetë. Jo më pak se ato që ka bërë Adolf Hitler apo Joseph Stalin. Por ndryshe nga ata, mbretërimi i tij la trashëgim institucione, ligje dhe reforma që e bënë Europën më të lirë dhe më të mirë.
Profecia e Napoleonit përjetohet çdo ditë në Francë: të rinjtë studiojnë diplomën që ai la nëpër lice, turistët vizitojnë mazoleumin e tij, avokatët studiojnë kodin e tij Civil. Nuk është për t'u habitur që Napoleoni ndeshet më rrallë në vendet që ai kishte nën kontroll nga kalorësia dhe artileria e tij. E megjithatë janë ato zona, që shtrihen nga Amsterdami në Napoli, Varshavë dhe Madrid, ku ai ndoshta ka më shumë nga të gjitha. Sepse në kohën kur Napoleoni erdhi në pushtet, Franca kishte pasur tashmë revolucionin e saj, në 1789: regjimi i lashtë, rendi politik i kontrolluar nga fisnikëria, esnafët dhe kleri, ishte përmbysur. Rëndësia e Napoleonit është si një agjent eksporti për këtë qasje të ndritur. Modeli revolucionar francez – i përzier me të tjerët, dhe i mbushur me demokraci mes ndryshimeve të tjera – është padyshim sistemi politik dominues i ditës në Europë, edhe në pjesët që ai nuk i pushtoi.
Napoleoni nuk arriti të kualifikohej për të qenë një hero liberal. Kritikët vërejnë se ai kushtëzoi të drejtat që revolucioni u kishte dhënë grave dhe rivendosi skllavërinë në Inditë Perëndimore. Pati të paktën një vrasje politike, dhe burrat u sakrifikuan në fushën e betejës, dashur pa dashur. Por futja e kodit civil që Bonaparti mbrojti – ai drejtoi personalisht shumë sesione hartimi dhe me kalimin e kohës e quajti Kodi i Napoleonit – ishte një pikë kthese për Europën. Ligjet e paqarta zakonore që u imponuan nga madhështi vendas mbi disa qytetarë, por jo të tjerë, u zëvendësuan me statute transparente të shkruara në mënyrë që të kuptoheshin nga publiku (e arsimuar). Besëtytnitë dhe tradita u zëvendësuan nga "mendimi i shëndoshë i sublimuar", ndoshta gjëja më franceze ndonjëherë. Harrojini privilegjet që i jepen fisnikërisë ose kishës: i vetmi burim autoriteti ishte shteti. Zotëruesit e tokave humbën privilegjet e tyre (shumë kishin humbur kokën tashmë), ashtu si kleri dhe oligarkia urbane e drejtuesve të esnafëve që frenuan inovacionin dhe i mbajtën njerëzit e vegjël në vendin e tyre. Në administratë lulëzoi meritokracia.
Napoleoni nuk e shpiku shtetin europian, por ai tregoi se si ai mund të çohej përpara në epokën moderne. Edhe një pushtim i shkurtër nga Franca shpesh rezultoi në reforma të shpejta që nuk u zhbënë kurrë plotësisht edhe pasi trupat e saj u larguan. Në shumë pjesë të Gjermanisë të kontrolluara nga Franca, elitat e vjetra vetëm pjesërisht rifituan kontrollin e tyre. Pastrimi nga feudalizmi dhe vendosja e ligjeve të parashikueshme lejoi që ato vende që ishin vizituar nga trupat franceze të rriteshin më shpejt, kanë gjetur ekonomistët: pjesët e Europës që ranë nën magjinë e Napoleonit vazhduan të industrializoheshin më shpejt, në vitin 1850. Dhe shtrirja e Napoleonizmit shtrihet përtej kontinentit të tij të origjinës: sistemet ligjore në pjesën më të madhe të Amerikës Latine dhe Lindjes së Mesme janë variacione të kodit që ai krijoi.
Vetëm mos përmend Rusinë!
A mund të quhet Napoleoni një nga baballarët themelues të Europës, një gur themeli midis Charlemagne dhe Jean Monnet? Adhuruesit e historisë e kujtojnë atë si shkatërruesin e Perandorisë së Shenjtë Romake, asaj përpjekjeje kontinentale 1000-vjeçare. Por ajo që e zëvendësoi ishte një hap më afër kuazi-federalizmit të sotëm. Koalicionet ushtarake pan-europiane të krijuara për t'iu kundërvënë Napoleonit më vonë u shndërruan në tubime diplomatike të përsëritura, të mbajtura për të ruajtur një ekuilibër fuqie në Europë. Në një pararendës të samiteve të sotme të BE-së, liderët kombëtarë dhe emisarët e tyre filluan të takoheshin rregullisht nga viti 1814 deri në 1825. Rezultati përfundimtar, pas disa luftërave të tjera, ishte një variant i Shteteve të Bashkuara të Europës që vetë Napoleoni kishte në mendje, me ligjet dhe monedhën e tij të unifikuar. (Përkundrazi, kundërshtarët do të tregojnë mënyrën se si u shfaq nacionalizmi në Gjermani dhe Itali, shkaku i shumë problemeve .)
Prodhuesit e Hollywood nuk janë të vetmit që e kujtojnë Napoleonin si një luftënxitës dhe jo si një reformist. Parisi është plot me rrugë të emërtuara për gjeneralët e tij, ndërsa autorët e reformave të tij civile janë të harruar. Vetë ai tha: “Lavdia ime e vërtetë nuk janë 40 betejat që fitova… ajo që do të jetojë përgjithmonë është kodi im civil”. Njerëzit rezultojnë të kenë kujtuar mësimet e gabuara nga epoka e Napoleonit. Një manjat i shkolluar filmi mund të përpiqet ta rregullojë këtë me një vazhdim, "Napoleon 2: Burokrat i jashtëzakonshëm".
Burimi: TheEconomist/ Përshtati: Gazeta ‘Si’
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.