Libra

Namik Dokle sjell në shqip romanin ‘Puthja e bukës’ të shkrimtares së njohur spanjolle

“Puthja e bukës”, romani i autores së njohur spanjolle Almudena Grandes, ka ardhur në gjuhën shqipe nën përkthimin e Namik Dokles dhe mbështetjen e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit.

“Puthja e bukës” është romani i njërës prej shkrimtareve më të famshme të Spanjës, në të cilin përplasen dhe kryqëzohen jetët dhe fatet e shumë njerëzve, duke shkaktuar shumëllojshmëri konfliktesh, sa personale, po aq edhe shoqërore.

QKLL e përkufizon këtë roman si shumë tërheqës mbi të sotmen tonë. Në të ngrihen pyetjet: Ç’po ndodh me njerëzit e thjeshtë, të gjendur në syrin e ciklonit të krizës, si po e përballojnë të gjithë ata, çifte dhe të vetmuar, baballarë dhe fëmijë, pleq dhe të rinj, si mund të bëhet dashuria njerëzore një formë e rezistencës?

Me një delikatesë fine, por njëherësh edhe me një thellësi tronditëse, autorja shfaq të gjitha vështirësitë, mungesat dhe pasiguritë, me të cilat përballen personazhet e romanit. Të gjitha këto ndodhin vetëm në një lagje tipike të Madridit.

Namik Dokle eshtë mbështetur nga QKLL jo vetëm në rolin e përkthyesit por edhe atë të shkrimtarit. Ai ishte një prej 6 autorëve përfitues të  “Fondit të Përkthimit Letrar nga Gjuha Shqipe në Gjuhë të Huaj”, ku libri i tij “Vallëzim me hënën”, u përkthye në spanjisht nga Maria Esperanza Roces González.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë