Nga Gazeta ‘SI’ – Fronti i ri i luftës në Lindjen e Mesme, ka ngritur shqetësime nëse Shqipëria do të përjetojë një ‘Deja Vu’ të vitit 2022; një rritje të pazakontë dhe të pajustifikuar të çmimit të naftës.
Brenda pak orësh, lufta në Iran e çoi naftën në 80 dollarë për fuçi dhe ekspertët presin të kalojë edhe 100 dollarë.
Shoqata e Hidrokarbureve në vend ka parashikuar se brenda javës, kjo rritje do të reflektohet edhe në Shqipëri, me 20 lekë, duke shkuar në 195 lekë/litër.
Nëse çmimi arrin këto nivele jemi në një situatë të ngjashme me atë kur Rusia nisi luftën në Ukrainë. Atëherë nga bllokimi i tregut ndërkombëtarë, çmimi i naftës në pikat e karburantit vendas pati një rritje shpejt dhe pa justifikim. Të dhënat treguan se grosistët rrisnin çmimin edhe pse kishin rezerva. Ata nga ana tjetër justifikoheshin me ndryshimet në bursa. Përsëritje gjithnjë e të njëjtit skenar: kur çmimi rritej në bursa, karburantet në tregun vendas rriteshin në sinkron, por nuk ndodhte kështu kur kishte ulje. Kjo solli edhe pakënaqësi të shtuar publike sa e detyroi qeverinë që të kontrollonte çmimet e të krijonte Bordin e Transparencës.
Çdo 2 javë, kompanitë dhe qeveria dakordësonin një çmim të unifikuar për naftën, gazin dhe benzinën. Por edhe gjatë kohës së Bordit, nafta në vend arriti çmime rekord. Kur një litër naftë shkoi deri në 260 lekë, me vendim Bordi, qytetarët dolën në protesta, për të kundërshtuar pasojat e rënda të një lufte që s’i përkiste.
Rritja e vazhdueshme e naftës (Shqipëria renditej si një ndër vendet më të prekura) nxiti akuzat se qeveria po favorizonte grosistët e naftës dhe po krijonte një kartel, që zgjati edhe pasi ai u shkri.
Në maj 2023, Bordi e mbaroi misionin, por akuzat qëndruan. Ndonëse, tregjet ishin stabilizuar dhe çmimet në bursa kishin rënë ndjeshëm, Shqipëria vazhdonte të kishte naftën më të shtrenjtë në rajon dhe ndër më të shtrenjtat në Europë.
Dyshimet se ky treg funksiononte realisht si një kartel, u shtuan më tej kur çmimi i naftës mbeti i qëndrueshëm përballë rënies në bursa dhe përballë kursit të dobët të dollarit.
2022-shi konfirmoi se kontrolli dhe fiksimi i çmimeve është praktikë joeficiente dhe ringjallja e Bordit vështirë të jetë në menu këtë herë. Mbetet e paqartë nëse qeveria do të konsiderojë mekanizma të tjerë lehtësuese për qytetarët, apo ata do të përballen të vetëm me pasojat e luftës.
Kryeministri Rama në takimin e fundit me drejtues të partisë socialistë kërkoi që të merren masa për të përballur efektet e rritjes së kostove. Por katër vite më vonë, shqiptarët po presin sërish një spirale të mundshme të rritjeve të çmimeve dhe se fatkeqësisht përvoja e dikurshme nuk vlen.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje