Nga Gazeta Si – Në vetëm 11 minuta, mazhoranca kaloi (pa u bezdisur) 15 projektvendime parashikuar në rendin e ditës, përfshi tre akte normative dhe ligjin për buxhetin faktik të vitit 2022.
Gjithçka kaloi pa tensione në praninë e kryeministrit Edi Rama dhe një rreshti deputetësh të grupit ‘Bardhi’ që qëndruan në këmbë para foltores me pankarta në duar duke e akuzuar atë si “vrasës i pluralizmit”.
Një seancë më e moderuar (për shkak të masave të larta ndëshkuese me rregulloren e re) pa karrige përmbys dhe flakadanë, por gjithësesi e shurdhueshme për shkak të zhurmuesve të ndezur nga ana e deputetëve të PD-së, ku dallonte mungesa e Flamur Nokës dhe Gazment Bardhit, të përjashtuar me 10 ditë nga punimet e seancës plenare.
Ai që “mori flamurin” për të drejtuar grupin ishte deputeti Ervin Salianji. “Na jep komisionet hetimore”, iu drejtua ai Nikollës.
“Agjenda është e ngjeshur dhe ka nevojë për debat për të gjithë”, u përgjigj kryetarja e Kuvendit, duke u fokusuar tek rendi i ditës.
Salianji nuk replikoi më tej, por pati një reagim për mediat pas përfundimit disa minutashe të seancës.
“Rama e ka vënë përfund edhe parlamentin, përveçse të gjitha institucionet e tjera.
E kam thënë dhe e rithem se të gjitha institucionet i nënshtrohen vullnetit personal të Edi Ramës, duke mos respektuar as Kushtetutë, as ligj, me një lehtësi jo vetëm ekstreme, por në kuptimin e papërgjegjshmërisë së funksionimit të parlamentit, po dhe të secilit prej deputetëve që nuk kanë rolin e deles, por të përfaqësuesve të popullit, votohen ligjet pa asnjë diskutim, kalohen në mënyrë të përshpejtuar dhe nuk merren me thelbin e problemit që është sot Shqipëria.
Ne po kërkojmë dhe po i përsëris, tri kërkesa kushtetuese që nuk na i garanton Edi Rama, nuk na i garanton Lindita Nikolla dhe asnjë prej përfaqësuesve të PS-së.
Po kërkojmë bashkëkryetarin e Komisionit të Reformës Zgjedhore. Ashtu siç e keni parë, 47 deputetë që përbëjnë shumicën e deputetëve të grupeve parlamentare të opozitës, kërkojnë që të kenë përfaqësimin e tyre në Komisionin e Reformës Zgjedhore dhe proporcionaliteti ndërkohë është i mirëpritur.
Nuk mund të ketë një grupim që nuk është as parti me shtatë deputetë, të ketë katër përfaqësues dhe grupet opozitare, të gjithë partitë opozitare bashkë me partinë më të madhe që është PD dhe Grupi Parlamentar i PD, të mos kenë përfaqësimin e bashkëkryetarit”.
“Na duhet qeveri, jo kartel”, “Vrasës i pluralizmit”, “Gjykatat e Shqipërisë, apo gjykatat e Ramës”, “Edhe Rama, në burg si Mcgonigal”, “Na ktheni atë që është e jona!“, ishin disa nga pankartat që grupi Bardhi-Berisha mbajtën në Kuvend.
Nga grupi i PD-së zyrtare ishin të pranishëm disa deputete dhe Sekretari i Përgjithshem i PD-së, Enkelejd Alibeaj. Basha mungoi por në vend të tij ishte vendosur një pankartë: ‘PD peng i gjykatave’
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.