Partia Socialiste vijon të mos ketë një qëndrim politik për dy deputetët e saj Orlando Rakipi dhe Saimir Hasalla për shkak të lidhjes së tyre me Aqif Rakipi, ish-deputeti i sanksionuar tre ditë më parë nga Departamenti amerikan i Thesarit. Por kryetari i grupit parlamentar, Taulant Balla paralajmëroi se PS do të dalë me qëndrim politik të martën e ardhshme.
“Do të kemi një mbledhje grupi të martën, duroni deri atëherë për një qëndrim politik”, tha Balla.
Ai mohoi gjithashtu se Partia Socialiste po përdor dy standarde lidhur me sanksionet amerikane, pas furtunës politike që shkaktoi shpallja “non grata” e ish- kryeministrit Sali Berisha në kampin kundërshtar.
“Do të ketë vetëm një standard në qëndrimet e PS-së,” shtoi ai.
Departamenti amerikan i Thesarit shpalli sanksione financiare për Rakipin të hënën, duke e përshkruar atë si një “ish-deputet famëkeq nga Elbasani me ndikim të dëmshëm dhe destabilizues në proceset politike në Shqipëri”. Sipas vendimit, Rakipi ka qenë prej kohësh ‘pjesë e krimit të organizuar dhe ka ushtruar ndikim të paligjshëm për të emëruar zyrtarë publikë në Elbasan dhe në Tiranë”.
Në zgjedhjet e fundit parlamentare të prillit 2021, i biri, Ornaldo Rakipi dhe dhëndri i vëllait të tij, Saimir Hasalla u zgjodhën deputetë me mbështetjen publike të Rakipit, duke mbledhur së bashku mbi 27 mijë vota për Partinë Socialiste.
“Na është thënë mos komentoni deri në mbledhjen e grupit,” tha deputeti Erjon Braçe, ndërsa shtoi: “po e presim mbledhjen për të diskutuar, pasi këtu duket se ka çeduar sistemi”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.