Njerez

Myslimani që shpëtoi të krishterët

Emir Abdelkader – Mysliman, Sufi, sheik, luftëtar i paepur, humanist, mistik.

Rober Frisk/Indipendent – Pas masakrës së Mançesterit dhe pas Nisës dhe Parisit, Mosulit dhe Abu Ghraibit ,7 korrikut 2005 në Londër dhe masakrës së Hadithas – i mbani mend ata 28 civilë, përfshi fëmijë, të vrarë nga marinsët e   ShBA –së, katër më shumë se ata të Mançesterit, por asnjë minutë heshtje për ta? Dhe sigurisht 11 shtatori...

Kundërpeshimi i mizorisë nuk është përgjigje, sigurisht. Thjesht një përkujtim. Për aq kohë sa të bombardojmë Lindjen e Mesme në vend që të kërkojmë drejtësi atje, edhe ne do të sulmohemi. Por në çfarë duhet të përqendrohemi, sipas të përbindshmit Trump, është terrori, terrori, terrori, terrori. Dhe frika. Dhe siguria. Të cilën nuk do e kemi për aq kohë sa promovojmë vdekjen në botën myslimane dhe  u shesim armë diktatorëve të saj. Besoni në “terror” dhe Isis do të fitojë.  Besoni në drejtësi dhe Isis është i mposhtur. Dyshoj se është koha të ngremë fantazmën e një burri të njohur si  Emir Abdelkader – Mysliman, Sufi, sheik, luftëtar i paepur, humanist, mistik, mbrojtës i popullit të tij ndaj barbarisë Perëndimore, mbrojtës i të krishterëve ndaj barbarisë myslimane, aq trim sa shteti i Algjerisë këmbënguli që eshtrat e tij të silleshin në shtëpi nga Damasku i tij i dashur, aq fisnik sa Abraham Linkolni i dërgoi dy pisqolla Colt dhe francezët i dhanë atij Kryqin e Madh të Legjionit të Nderit. Ai e donte edukimin, admironte filozofët grekë, ua ndaloi luftëtarëve të tij të shkatërronin librat, adhuroi një besim fetar i cili besonte – kështu mendoi  -në  të drejtat e njeriut. Por të ngrejë dorën ai lexues që e njeh emrin e Abdelkader-it.

Duhet të mendojmë për të më shumë se kurrë tani.  Ai nuk ishte “i moderuar” për shkak se luftoi egër kundër pushtimit francez të vendit të tij. Nuk ishte ekstremist ngaqë, gjatë burgimit të tij në  Chateau d’Amboise, ai foli për të krishterët dhe myslimanët si vëllezër. Ai mbështetej nga Viktor Hygoi dhe Lordi Londonderry  dhe fitoi respektin e Luigj Napoleon Bonaparit (i njohur më pas si Napoleoni III) dhe shteti francez i pagoi atij një pension prej 100 mijë frangash. i meritoi.

Kur francezët mësynë në Algjeri,  Abdelkader Ibn Muhiedin al-Juzairi (Abdelkader,  i biri i Muhiedinit, Algjeriani  1808-1883,  për ata që pëlqejnë nekrologjinë ) nisi një luftë të suksesshme  guerrilase kundër një prej ushtrive më të mirë pajisura në botën Perëndimore – dhe fitoi.

Ai krijoi shtetin e vet në Algjerinë perëndimore – mysliman por duke punësuar këshilltarë të krishterë dhe hebrenj – dhe krijoi departamente të ndarë (mbrojtje, arsim, etj.), të cilat u shtrinë deri në kufijtë marokenë. Pati madje edhe monedhën e tij, “muhamedijen”. Bëri paqe me Francezët- pakt që francezët e thyen duke pushtuar sërish territoret e tij.

Abdelkader kërkoi një prift që të mbante shërbesat për të burgosurit e tij francezë, duke u dhënë madje edhe lirinë kur nuk pati ushqim për ta. Francezët plaçkitën  qytetet algjeriane që pushtuan, qindra hadithë, për të shtypur rezistencën e Abdelkader-it.

Një burrë mysliman ngushëllon një grua të moshuar hebraike në simbolikë të unitetit të Mançesterit.

Kur më në fund, u mposht, u dorëzua me nder – duke dorëzuar kalin si një luftëtar – me premtimin e mërgimit në Aleksandri apo Akrë. Sërish, francezët e tradhtuan, duke e çuar në burg në Tulon, dhe më pas  brenda Francës.

Gjatë  mërgimit francez, ai predikoi paqe dhe vëllazëri dhe studioi frëngjisht dhe foli për diturinë e Platonit dhe Sokratit, Aristotelit dhe Ptolemeut dhe Averoesit dhe më pas shkroi një libër “Thirrje Inteligjentëve”, i cili duhet të ishte i disponueshëm në çdo platformë të medias sociale. Gjithashtu shkroi një libër mbi kuajt që dëshmon se ai ishte një Arab në shalë.

Por kuraja e tij u tregua sërish në Damask, më  1860-ën, ku jetoi i nderuar në mërgim. Lufta civile Krishtere-Druze në Liban u përhap drejt Damaskut ku popullsia e krishterë e gjeti veten të rrethuar nga  Druzët myslimanë,  të cilit mbërritën me një mizori të ngjashme me atë të Isis-it, duke vringëlluar shpata e thika për të masakruar kundërshtarët e tyre.

Abdelkader-i dërgoi rojet e tij myslimane –milicia e tij vetjake- të depërtonin përmes turmës dhe të shoqëronin më shumë se 10 mijë të krishtdrë në pronën e tij. Dhe kur trumat me thika mbërritën në derën e tij, ai i mirëpriti me një fjalim, i cili ende recitohet në Lindjen e Mesme (por tejet i shpërfillur këto kohë në Perëndim). “Ju krijesa të mjera!” bërtiti ai. “A është kjo mënyra që e nderoni Profetin? Zoti ju dënoftë! Turp të kini, turp! Dita do të vijë kur do të paguani për këtë...Nuk do ju dorëzoj aq edhe një të krishterë të vetëm. Ata janë vëllezërit e mi. Shporruni nga këtu ose do ju vërsul rojat.”

Historianët myslimanë pretendojnë se  Abdelkader-i shpëtoi 15 mijë të krishterë, gjë që është pak e ekzagjeruar. Por ky ishte një burrë që të merret shembull nga myslimanët dhe të admirohet nga të krishterët. Furia e tij shprehej me fjalët që me siguri janë përdorur sot kundër ekzekutuesve të Isis që i kanë ngritur kult Kalifatit. Sigurisht, Perëndimi i “Krishterë” duhet ta nderojë atë ndërkohë (megjithëse,  në mënyrë interesante, ai ka marrë një letër lëvdimi nga lideri mysliman i Çeçenisë egërsisht të pavarur). Ai ishte një burrë i dialogut ndërfetar që do ta kënaqte Papa Franceskun.

Abdelkaderit iu bë ftesë në Paris. Një qytet amerikan ka marrë emrin e tij –Elkader në Kontenë Clayton, Iowa, dhe popullsia atje është 1273 banorë.  I themeluar në mes të shekullit të 19, ishte e natyrshme ta quaje shtëpinë tënde me emrin e një burri, i cili nderonte të Drejtat e Njeriut në Pavarësinë Amerikane dhe Revolucionin Francez?  Abdelkader-i flirtoi me Masonerinë – shumica e studiuesve besojnë se nuk u pranua – dhe e dashuronte shkencën  në atë masë sa pranoi një ftesë për hapjen e kanalit të Suezit, i cili me siguri ishte një projekt më shumë perandorak sesa shkencor.

Abdelkader u njoh me  De Lesseps-in. E pa veten, do të dyshonte dikush, si një burrë rilindës i Islamit, një burrë i të gjitha stinëve, një mysliman i të gjithë popujve, një shembull më shume sesa një shenjt, një filozof më shumë sesa një prift.

Por sigurisht,  Algjeria, vendlindja e  Abdelkader-it është fqinjë e Libisë nga ku erdhi familja e Salman Abedi-it,(terroristi i sulmit në Mançester)  dhe Abdelkader-i vdiq në Siri, sulmi ajror i ShBA ndaj të cilës – sipas motrës së Abedi-t , ishte arsyeja se pse ai masakroi të pafajshmit e Mançesterit.

E kështu kontrata gjeografike dhe historia zbehet, dhe krimi i Abedi-it është, për tani, më i rëndësishëm se e gjithë jeta e Abdelkader –it.

Kështu për banorët mançesterë, nëse ata bëjnë tatuazhe bletë mbi veten apo thjesht blejnë lule, përse të mos hyjnë në bibliotekën qendrore në sheshin Shën Pjetër për të pyetur mbi Luftëtarin e Dhembshur të  Elsa Marsten-it apo Komandantin e Besnikëve ( Faithfulor) e Kiser-it , botuar vetëm disa muaj më parë, apo Emirin Abdelkade: Apostulli i vëllazërisë?  të Mustafa Sherif?

Nuk ka kundërhelme për trishtimin dhe zinë. Por dëshmojnë se Isis nuk përfaqëson Islamin dhe se një mysliman mund të fitojë nderimin e botës. 

Emir Abdelkader  ishte mysliman, sufi, sheik, humanist, mbrojtës i popullit të tij kundër barbarizmit Perëndimor, mbrojtës i të krishterëve kundër barbarizmit mysliman, aq fisnik sa Abraham Linkols i dhuroi dy pisqolla Colt

Historianët myslimanë pretendojnë se Abdelkader ka shpëtuar 15 mijë të krishterë, fakt që mund të jetë disi i ekzagjeruar. Por ishte një burrë që myslimanët ta marrin shembull dhe perëndimorët ta admirojnë

*Përktheu:Suadela Balliu


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë