Lajme

Myftiu i Shkodrës: Riktheni fëmijët shqiptarë nga kampet e Sirisë

Myftiu i Shkodrës Imami Muhamed Syrtati, i ka bërë thirrje diplomacisë shqiptare që të punojë për të rikthyer në atdhe fëmijët shqiptarë që ndodhen në kampin Al Hol në Siri. Duke theksuar se prindërit e këtyre fëmijëve janë gënjyer nga propaganda e ISIS dhe tashmë pasoja i vuajnë të vegjlit, ai kërkon që shteti të punojë për rikthimin e tyre pasi janë të pafajshëm.
Reagimi i tij vjen pasi investigimi i emisionit italian “Le Iene” solli rastin e të miturit shqiptar që u gjet në Siri. I ati i Alvinit fëmijës 11 vjeçar, Afrim Berisha kishte kohë që kërkonte djalin e tij dhe nëpërmjet gazetarëve italianë, mundi ta takonte vetëm pak çaste në kamp. Afrimi tregoi në emision se i mungonte shumë djali i tij. Nga informatat që emisioni invstigativ “Le Iene” kishte siguruar, djali kishte shkuar në Siri para 5 vitesh me nënën e tij që tashmë ka vdekur. Kampi Al Hol ku qëndrojnë mijëra familjarë të luftëtarëve të ISIS është një vend i rrezikshëm, për shkak edhe të bombardimeve nga aeroplanët turq kundrejt kurdëve ditët e fundit. Por Afrimi nuk e morri dot djalin e tij në Itali, pasi duhej një përfaqësues i qeverisë shqiptare.

“Le Iene” kontaktoi me ambasadorin e Shqipërisë në Turqi, Gent Gazheli që herën e dytë nuk denjoi ti hapte telefonin gazetarëve, edhe pse në një bisedë të mëparshme me ta, i kishte premtuar se do të merrej me këtë çështje.
Por pas publikimit të rastit, Afrim Berisha njoftoi mbrëmjen e së premtes se djali tashmë nuk ndodhet më në kampin ku ai e takoi. Prej 7 ditësh ai ka humbur përsëri gjurmët e të birit dhe nuk di se çfarë të bëjë më, ndërkohë që është shprehur se ka folur me Kryeministrin Rama dhe ai i ka thënë se po merret personalisht me këtë çështje.


Ndërkohë kryeministri, në deklaratën e një dite më parë tha se është përgatitur e gjithë infrastruktura e nevojshme për rikthimin e shqiptarëve që kanë mbetur në Siri.
“E vërteta është që prej disa kohësh, unë kam nxjerrë një urdhër, i klasifikuar që nuk mund ta ndajmë me publikun lidhur me personat, familjet, individët që gjenden në atë territor si pasojë e përfshirjes së burrave në një luftë për të tjerë në funksion të ISIS. Në bashkëpunim me partnerët amerikanë kemi zhvilluar një proces të tërë identifikimi. Tërheqja e tyre nga ato kampe nuk bëhet as me ambasada dhe as me ambasadorë, pasi aksesi është i komplikuar dhe kërkon një koordinim me partnerët. Kemi rakorduar me partnerët tanë kryesorë,” tha kryeministri. Në Siri ndodhen rreth 60 fëmijë dhe gra që kanë mbetur nëpër kampe.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë