Nga Liridon Mulaj- Muzika autentike shqiptare është rikthyer edhe një herë në vëmendje të studiuesve dhe krijuesve të saj në konferencën e organizuar nga Akademia e Shkencave të Shqipërisë.
Problematikat e muzikës sonë sot nisin nga mungesa e mbështetjes ndaj krijuesve, e deri te mosangazhimi i të rinjve që në shkollë, përmes orëve të muzikës.
Kompozitori dhe etnomuzikologu Vasil Tole, në detyrën e Zëvendëskryetarit të Akademisë së Shkencave, thotë për GazetaSi.al se problemet janë të mëdha dhe mungesa e mbështetjes ndaj krijuesve po ndikon edhe në humbjen e lidhjes mes publikut dhe krijuesve të kohës.
“Në fushën e krijimtarisë, kompozitorët shqiptarë nuk kanë një mundësi reale se ku të aplikojnë për të gjetur mbështetje për të shkruar një vepër. Kam parasysh veprat madhore skenike, opera, balete apo qofshin vepra të mëdha të natyrës simfonike.
Çështja e krijimit të një fondi për krijimtarinë e re është një çështje që ka preokupuar gjithë këto vite klasën e krijuesve shqiptarë, sepse kjo ndikon jo vetëm në numrin e veprave, por edhe në shkëputjen e publikut me veprat e krijimtarisë shqiptare. Dihet që këto janë vepra që sjellin jo vetëm një realitet muzikor, por njëkohësisht janë edhe gjurma e kohës që jetojmë.”

Ai thekson fort edhe mungesën e mbështetjes ndaj krijuesve, duke marrë edhe shembullin më të fundit nga Irlanda, ku shteti ndërhyri drejtpërdrejt për t’u garantuar artistëve një jetë sa më të qetë krijuese.
“Janë disa detyrime që dalin nga ligji për artin që konsiderohet në ligj si pagesa e cilësisë artistike, e cila duhet të ketë një dysheme në shpërblimin e cilësisë artistike për të gjithë, qofshin këta krijues, individë apo grupe si një detyrim që duhet marrë seriozisht.
Dhe ne duhet ta risjellim në vëmendje duke i thënë qeverisë që të plotësohen këto kritere.
Marrim shembullin e fundit të Irlandës, e cila u siguroi mbi 3000 artistëve një pagesë prej 1500 eurosh çdo muaj për tre vjet, në mënyrë që ata të kenë mundësinë të krijojnë.
Në Shqipëri nuk janë më shumë se treqind artistë. ”
Sipas Toles, një tjetër shqetësim është edhe reduktimi i orëve të muzikës në shkolla, çka ul edhe interesin e të rinjve për të njohur muzikën e mirë. Po ashtu, ai thekson si shqetësim edhe mungesën e hapësirave në media për muzikën autentike shqiptare.
“Një element tjetër është edhe shqetësimi i ngritur nga mësuesit e shkollave. Mësimi i muzikës është reduktuar nga dy orë që kishte, në një orë mësimi në javë. Është një shqetësim, sepse ulja e orëve të mësimit të muzikës ul edhe kontaktin e nxënësve me muzikën, por po ashtu ndikon edhe në uljen e formacioneve muzikore brenda shkollave, sado të thjeshta qofshin ato.
Kemi nevojë që në shkollat tona të ketë një repertor të përzgjedhur të krijimtarisë sonë, që duhet të reflektohet në orët e mësimit të muzikës, disa kompozitorë të cilët janë më të rëndësishëm në historinë tonë të muzikës.
Një shqetësim tjetër është edhe interpretimi. Më lejoni t’ju them se sot nuk ka asnjë informacion të saktë se sa vend zë në transmetuesit privatë, por edhe në ato publike, muzika jonë kombëtare. Është pothuajse inekzistente. Transmetohet shumë muzikë jo cilësore, ndërkohë që nuk ka vend për muzikën tonë kombëtare.Duhet të ketë programe të dedikuara për të.”
Elaborimi i materialeve të vjetra folklorike nëpërmjet muzikës moderne është një çështje për të cilën muzikologu Vasil Tole flet me shqetësim, duke vënë në dukje shpesh edhe mungesën e profesionalizmit në përpunimin e këtyre materialeve nga krijuesit e rinj.

“Janë dy probleme. E para, është raporti i krijuesve të rinj ose alternativave të reja muzikore që citojnë materiale folklorike të cilat nuk kanë autor. Është e drejta e tyre ta marrin një material dhe ta zhvillojnë sipas kontekstit të tyre. Problemi qëndron te fakti se a janë në gjendje ta mirëkuptojnë dinamikën e brendshme të zhvillimit të këtij materiali folklorik për të bërë diçka të saktë, apo e marrin dhe e denatyrojnë.
Së dyti, kur merren këto materiale, qofshin të natyrës urbane apo folklorike, këtu sigurisht ndërhyn fort edhe e drejta e autorit. Ne mund të mos jemi nga vendet model të mbrojtjes së autorit, por ka një agjenci ku secili artist regjistron veprën e tij dhe duhet të funksionojë me leje paraprake.
Por nuk mund të themi se jemi në kushte ideale të respektimit të kësaj të drejte.
Në përgjithësi, i gjithë transferimi i muzikës folklorike bëhet keq.”
Konferenca do të dalë në konkluzione por edhe rekomandime të cilat do ti drejtohen institucioneve publike me detyrimin për ti zbatuar ato.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



