Verën e kaluar, mes debateve se çfarë të bëhej me monumentet problematike, Muzeu Amerikan i Historisë Natyrore u kërkoi zyrtarëve të qytetit të hiqnin një statujë të ish-presidentit Theodore Roosevelt që ka qëndruar përpara institucionit që nga viti 1940, dhe e cila kohët e fundit është vënë në kritikë. Komisioni i Dizajnit Publik të Qytetit të Nju Jorkut votoi unanimisht për të përmbushur kërkesën në një takim publik të mbajtur në fillim të kësaj jave dhe ata tani do të zhvendosin statujën. As një datë e nisjes së tij dhe as se ku do të strehohet më tej nuk janë identifikuar ende, por një zëdhënës i muzeut është shprehur se ata “presin heqjen në muajt e ardhshëm”.
“Statuja ka për qëllim të zhvendoset në një institucion kulturor kushtuar jetës dhe trashëgimisë së Theodore Roosevelt”, shtoi zëdhënësi i Muzeut Amerikan të Historisë Natyrore. “Diskutimet në lidhje me magazinimin dhe destinacionin përfundimtar janë duke vazhduar”.
Statuja prej bronzi, e cila përshkruan presidentin e 26-të amerikan mbi kalë me një vendas amerikan dhe një burrë afrikan që e mbështesin në të dyja anët – të dy janë pa këmisha dhe të vendosur nën të – ka qenë nën vëzhgim për shumë vite. Në vitin 2017, ishte një nga katër përmendoret që u rishikua nga një komision i qytetit, i cili përfundimisht arriti një vendim të ndarë për fatin e tij. Afërsisht gjysma e panelit rekomandoi që statuja të hiqej, ndërsa shumica e panelistëve të tjerë rekomanduan që të bëhej më shumë hulumtim. Disa sugjeruan një mundësi të tretë, e cila ishte që statuja të qëndronte në vend, por me shtimin e shenjave të mëtejshme duke pranuar natyrën fyese të punës.
“Lartësia është fuqi në artin publik dhe statuja e Roosevelt shpreh dukshëm mbizotërimin dhe epërsinë mbi figurat amerikane vendëse dhe afrikane”, shkroi një ndër panelistët në një raport, i cili u botua në janar të vitit 2018. Raporti shtoi: “Cilido që të jetë në kohën e komisionimit të saj, skulptura lexohet si një përshkrim i hierarkisë për shumë shikues në New York City sot”. Vitin pasues, Muzeu i Historisë Natyrore priti një ekspozitë të quajtur Adresimi i Statujës, e cila synonte të kontekstualizonte statujën dhe të pranonte polemikat.
“Shumë e shohin përbërjen hierarkike të statujës si natyrshëm raciste, sepse konstrukti vizual duket se portretizon epërsinë e racës së bardhë. Sot, vendosja e statujës duke përshëndetur vizitorët në muze duket se nënkupton një miratim të përmbajtjes së saj – ose përmbajtjes së perceptuar – duke minuar misionin e muzeut”, tha Dan Slippen, nënkryetari i marrëdhënieve qeveritare në muze, në takimin e kësaj jave.
“Kuptimi i statujave dhe monumenteve si simbole të fuqishme dhe lënduese të racizmit sistemik u bë edhe më i dukshëm në vazhdën e lëvizjes për drejtësi racore që u shfaq pas vrasjes së George Floyd”, shton Slippen, duke theksuar se “është bërë e qartë se heqja e statujës do të ishte një simbol i përparimit drejt një komuniteti gjithëpërfshirës dhe të barabartë”.
Arkitekti Rolando Kraeher është ngarkuar të ridizajnojë hapësirën pas heqjes së statujave. Në takim, Kraeher tha se dizajni i ri do të jetë “sa më i thjeshtë dhe minimal” që të jetë e mundur dhe do t’u lejojë vizitorëve “mundësinë për të parë memorialin e Roosevelt si një vend i hapur për të gjithë”, për të cilin ata mund të “mendojnë dhe t’i përgjigjen në mënyrën e tyre”. Kraeher shton se “heqja e statujës krijon një mundësi për një koncept të ri rreth përfshirjes, hapjes dhe mirëpritjes”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



