Art dhe Kulture

Muzetë e Vjenës hapin një profil në OnlyFans për të promovuar pikturat e tyre nudo

Është një protestë kundër kritereve të algoritmeve Facebook dhe TikTok, të cilat përfundojnë duke censuruar vepra si ato të Egon Schiele

Bordi turistik i Vjenës kohët e fundit hapi një profil në OnlyFans, një platformë e paguar veçanërisht për përmbajtjen pornografike, në shenjë proteste ndaj kufijve të lakuriqësisë të imponuar në rrjetet sociale më të njohura, të cilat e bëjnë të vështirë promovimin e galerive në internet dhe muzetë që punojnë me subjekte të zhveshura.

Është një zgjedhje e pazakontë për një organ publik, por siç tha zëdhënësja Helena Hartlauer për “Guardian”, qëllimi i profilit nuk është vetëm promovimi i muzeve vjenezë, por edhe ngritja e vetëdijes se si mekanizmat e censurës së përmbajtjeve eksplicite mund të kenë efekte paradoksale kur aplikohen në disa piktura dhe skulptura. Vjena e di veçanërisht mirë këtë, pasi ndër pikturat më të famshme në muzetë e saj janë nudot e piktorit ekspresionist, Egon Schiele.  

Në faqen e bordit turistik lexohet se Vjena dhe hapësirat e saj artistike janë “ndër viktimat e një vale të re modestie disproporcionale”. Mesazhi i referohet udhëzimeve të rrjeteve sociale si Facebook dhe Instagram, të cilat parandalojnë shpërndarjen e përmbajtjeve që kanë të bëjnë me lakuriqësinë ose qëndrimet seksuale, ndonjëherë edhe ato të pranishme në vepra arti (Twitter, nga ana tjetër, lejon gjithashtu pornografinë). OnlyFans, i cili është rritur shumë veçanërisht në kohën e pandeminë, është konsideruar prej kohësh një platformë më tolerante e përshtatshme për përmbajtje më pak konvencionale. Duke qenë se fillimisht ka tërhequr përmbajtje kryesisht pornografike, megjithatë, prej kohësh ka filluar të mirëpresë foto, video dhe postime të një lloji krejt tjetër, nga gatimet te kopshtaria, gjithmonë në formën e kanaleve të dukshme vetëm për abonentët.

“Vjena ka qenë gjithmonë e famshme për mendjen e hapur”, tha Hartlauer për Guardian, por tani është bërë “pothuajse e pamundur” përdorimi i nudove të piktorëve më të famshëm austriakë të fillimit të shekullit të 20-të për t’i bërë reklamë qytetit dhe muzeve të tij.

“The Lovers” rreth vitit 1913, Muzeu Leopold, Vjenë

Në korrik, muzeut Albertina në Vjenë iu desh të hapte një profil të ri në TikTok, pasi ai ekzistues u bllokua sepse u shpërnda një foto e fotografit japonez, Nobuyoshi Araki që përmbante gjoksin e një gruaje. Disa vjet më parë një imazh nga piktura e Koloman Moser “The Lovers” (Liebespaar), e vendosur në Muzeun Leopold në Vjenë, ishte hequr nga Facebook si pornografike, dhe e njëjta gjë ndodhi me një postim që përshkruante Venusin e Willendorf, një statujë nudo e një gruaje që daton rreth 25 mijë vjet më parë dhe që ndodhet në Muzeun e Historisë Natyrore të qytetit.

Hartlauer shtoi se edhe disa piktura të Amedeo Modigliani aktualisht të ekspozuara në Albertina janë shumë eksplicite për t’u përdorur për t’i promovuar ato në internet.

Një nga problemet kryesore është se censura e subjekteve nudo pengon muzetë vjeneze të reklamohen jashtë vendit, diçka që konsiderohet e rëndësishme për tërheqjen e turistëve të huaj, e cila mungon prej kohësh për shkak të pandemisë së Covid-19.

Kur në vitin 2018, Muzeu Leopold kishte probleme me promovimin e koleksionit të nudove të Schiele në disa postera të ekspozuar në Gjermani, Mbretërinë e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara, bordi i turizmit të qytetit kishte gjetur një zgjidhje alternative. Pjesët e posterave me gjoks dhe organe gjenitale ishin të mbuluara me një pankartë ku shkruhej: “Na falni, ne kemi më shumë se 100 vjet, por ne jemi ende shumë të guximshëm sot”.

Pranë mesazhit shfaqej hashtag-u #ToArtItsFreedom, i cili ishte një referencë për frazën “Në çdo epokë arti i vet dhe në çdo art liria e tij”, kjo ishte motoja e tyre, një fenomen artistik i zhvilluar midis fundit të shekullit të nëntëmbëdhjetë dhe fillimit të shekullit të njëzetë nga piktorë të famshëm, arkitektë dhe artistë austriakë, duke përfshirë Gustav Klimt, Otto Ëagner dhe Schiele.

Nudot e Schiele dhe Moser janë “kyç” për promovimin e Vjenës dhe muzeumeve që i presin ato, por “është e padrejtë dhe zhgënjyese që ato nuk mund të përdoren në një mjet komunikimi aq të fuqishëm sa mediat sociale”, tha Hartlauer.

Në këtë kuptim, ata që ndjekin profilin OnlyFans të “bordit turistik të Vjenës” do të mund të shohin me pak euro në muaj atë që i njëjti institucion ka përcaktuar si “përmbajtje historike për të rriturit e Vjenës”, ose “vepra arti eksplicite të famshme në mbarë botën”. Personat që abonohen në faqe do të mund të fitojnë gjithashtu një kartë për të hyrë në muzetë e qytetit ose një biletë për të parë live një nga veprat e shpërndara në faqe.

Qëllimi i fushatës nuk është vetëm të kritikojë standardet shumë të ngurta të kontrollit të përmbajtjes në rrjetet sociale, të cilat në shumicën e rasteve menaxhohen nga algoritmet, por gjithashtu të krijojë vetëdije se si censura ndikon në mënyrën se si punojnë artistët dhe të ngrejë problemet lidhur me promovimin e artit. Sipas Hartlauer, Vjena dëshiron të vërë në dyshim vetë natyrën e censurës: “A na duhen këto kufizime? Kush vendos se çfarë të censurojë?”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë