Shkencë

Mutacioni gjenetik që e bën ‘Kraken’ kaq ngjitës

Në botë ka një nënvariant të ri të Covid-19 që është cilësuar si më ngjitës se mutacionet e tjerë.

“Kraken” ose i njohur ndryshe edhe si XBB.1.5 shmang antitrupat tanë dhe po përhapet më shpejt se cdo variant tjetër.

XBB.1.5 evoluoi pas disa kthesave të mëdha gjenetike.

Kraken përmban një mutacion kyç që gjenetistët e quajnë “F486P”.

Është një ndryshim në dukje i vogël në proteinën S, pjesa e virusit që e ndihmon atë të kapet dhe të infektojë qelizat tona. F486P funksionon duke rritur aftësinë e proteinës për t’u “lidhur” me një pjesë të veçantë të qelizave tona të quajtur receptori ACE2.

Ky ndryshim i vogël ka implikime të mëdha. F486P lejon XBB.1.5 të ruajë të gjitha cilësitë më të rrezikshme të nënvarianteve të tij mëmë, duke shtuar gjithashtu një cilësi të re: transmetueshmëri ekstreme.

Në thelb, F486P e bën XBB.1.5 vërtet ngjitës, shumë më ngjitës se paraardhësit e tij. Por trashëgoi gjithashtu nga të njëjtët paraardhës një potencial alarmues për të shmangur antitrupat tanë.

“Për shkak të mutacionit të F486P, XBB.1.5 shfaq një transmetueshmëri më të lartë se variantet e tjera por gjithashtu ka ruajtur vetitë e shmangies së antitrupave”, thotë Lihong Liu, studiues i Covid-19 në Universitetin e Kolumbisë.

Me pak fjalë, XBB.1.5 është nënvarianti i parë në familjen e tij të ngushtë që është edhe më imun ndaj antitrupave, dhe më ngjitës.

Shfaqja e mutacionit F486P është një kujtesë se, edhe pse shumë njerëz vazhdojnë jetën e tyre, pandemia nuk ka mbaruar. Virusi vazhdon të gjejë mënyra për t’u përhapur më shpejt, ndërkohë që po kalon gjithnjë e më shumë të gjithë ato antitrupa që kemi fituar nga vaksinat, përforcuesit dhe infektimet e kaluara.

XBB.1.5 u shfaq për herë të parë në verilindje të Shteteve të Bashkuara në tetor. Dy muaj më vonë, ky variant është i pranishme në afro 30 vende dhe, sipas projeksionit të fundit nga Qendrat e SHBA për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, mund të jetë tashmë forma dominuese e Covid në Shtetet e Bashkuara.

Kjo është një situatë që e kemi kaluar edhe më parë. Del një variant i ri, bëhet dominues dhe shton rastet. Por deri tani, shumica e njerëzve kanë antitrupa nga vaksinat, infekstimet e kaluara ose të dyja.

Kjo ka bërë që deri më tani, të ketë më pak shtrime dhe më pak vdekje dhe nuk ka asnjë arsye për të pritur që XBB.1.5 do ta ndryshojë ndjeshëm këtë dinamikë.

Me gjithë ndryshimet gjenetike, është ende Omicron.

Përjashtim bën vetëm Kina, ku pas tri vitesh izolimi, në dhjetor u hoqën të gjitha masat dhe sistemi shëndetësor tani është në kolaps nga infektimet dhe vdekjet.

Shumica e botës është në një pozicion mjaft të mirë për të luftuar me XBB.1.5. Kina nuk është. Për miliona kinezë me imunitet më të dobët, një variant me karakteristika si XBB, është një rrezik.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë