Mustafa Arapi apo Faja siç e thërrisnin miqtë e të afërmit, u nda nga jeta në moshën 70 –vjeçare. Një tjetër njeri i artit shqiptar që Covid-19 e merr para kohe.
Ishte e bija, Dorina, që vetëm pak ditë më parë iu drejtua publikisht në një lutje kryeministrit Rama dhe ministres së Shëndetësisë, Manastirliu, ku theksonte se veçse prind i përkushtuar, ishte një vlerë për kulturën shqiptare.
Me një kontribut prej mëse dyzet vitesh në fushën e restaurimit, piktori Arapi kishte risjellë në jetë artin bizantin me afresket e Onufrit, Qipriorit, Zografët, Çetirët. Mes punëve të tij restauruese shënohen banesa tradicionale, kisha, ikona e afreske. Mustafa Arapi, do të përfshihej edhe në Lëvizjen e Dhjetorit, si kolegë e studentë të tij nga Akademia e Arteve, ndërsa për shumë vite ishte pedagog.
Vetëm pak orë para se piktori dhe restauratori të ndahej nga jeta, e bija Dorina, shkruante në rrjetet sociale se ai kishte nisur të shfaqte përmirësime. “Engjëjt janë në qiell, por dhe në tokë”, shkruante ajo, duke falënderuar të gjithë stafin e spitalit “Shefqet Ndroqi” dhe miqtë e të atit.
Por mesnatën e së mërkurës, Mustafa Arapi ndërroi jetë. “Sot në mesnatë, babi im u largua nga jeta. Drita, dielli, bota, shtylla e familjes sonë u shua. Ba! Dua të të kujtoj kështu të qeshur gjithmonë! Të duam përjetësisht!”, shkruante Dorina.
Lajmi hidhëroi të njohurit, miqtë, kolegët dhe komunitetin e artistëve.“Të qoftë dheu i lehtë mik!”, shkruante Zaim Elezi ndërsa e vlerësonte Arapin si një zë i fuqishëm në pikturën shqiptare.
“Në tablotë e Fajes dielli ndriçon çdo cep të saj, edhe në hije. Ngjyrë e shpërndarë si rezet e diellit, azdisin pothuaj gjithë peizazhet e tij. E kur ti përfshihesh në pafundësinë e nuancave ngjyrore të tablove të këtij mjeshtri në kuptimin e vërtetë të fjalës, ndjen gazmend dhe mrekullinë e realizimit, rritet pulsimi i emocioneve deri në dehje”, shkruan Zaim Elezi dhe e cilësonte mikun e tij modern, të papritur dhe befasues në pikturë.
Skenografi Bashkim Zahaj, shok fakulteti me piktorin, shkruante se hera e fundit që kishte biseduar me Mustafa Arapin ishte ditën kur ai u shtrua në spital për shkak se Covid i kishte prekur pjesë të mushkërive.
“Dhimbje pa masë për një artist të dimensioneve të tua. Mesazhi im ngeli pa përgjigje. Do ngelesh në veprat e pa fund që na dhurove, në afresket që restaurove e në kujtesën tone studentore si shembull frymëzimi. Nuk mendoja kurrë miku im se do shkruaja këto fjalë për ty…. i paharruari Faje!”, shkruante Zahaj.
Piktori Niko Dhales, pak ditë më parë kishte postuar një fotografi ku shfaqej me Arapin, në vitin 1986-n, në Dardhë të Korçës. Me të përfunduar studimet më 1979-n, Mustafa Arapi nisi punës si restaurues i veprave të artit bizantin në Institutin e Monumenteve të Kulturës në Tiranë.
Punoi si pedagog më në Akademinë e Arteve nga viti 1985 deri më 1991 dhe gjatë viteve 1993-2006 ishte shef i Departamentit të Punëve të Artit në Institutin e Monumenteve të Kulturës.
“Shumë i trishtë ky mëngjes”, shkruante mesazhi i Institutit të Trashëgimisë Kulturore, për ndarjen nga jeta të piktorit dhe restauratorit, duke veçuar disa nga kontributet e Arapit, që veç punës si restaurator ishte edhe autor i shumë artikujve në revistën “Monument”.
“Largimi nga jeta i Mustafa Arapit është jo vetëm trishtim por një humbje e madhe dhe e pazëvendësueshme për trashëgiminë kulturore shqiptare”, përfundonte mesazhi i Institutit të Trashëgimisë Kulturore.
Arapi kishte punuar pa lodhur në nxjerrjen në dritë të afreskëve në kishën e Shën Marisë në Leusë të Përmetit, në Kishën e Shën Marisë në Vllahogoranxi, me afresket Onufër Qioriotit dhe Alivizit, të Kishës së Shën Thanasit në Karavasta edhe në shumë të tjera nëpër Shqipëri.
Ai ka restauruar shumë ikona dhe tavane dekorative të kishave, si të kishës së Gjithëhenjtorëve në Himarë, të Shën Thanasit në Karavasta, të Shën Kollit në Grabovë, Kishën e Manastirit të Zvërnecit, ikonostasin e Leusës e shumë të tjera. Ai ka kryer gjithashtu studime për piktorët shqiptarë.
Vetë Arapi pat rrëfyer përvojën e restaurimit të murales së famshme të kishës Ristozi, e shekullit XIV, në Korçë, gjatë viteve 1983-1987, që siç shpjegonte piktori ishte ndërtuar në territorin ku shtrihej dikur Principata e Muzakajve.
“Ti gjithë jetën tënde punove dhe restaurove figurën më të çmuar, Krishtin Shpëtimtarin, lutem sot që Zoti Jezus pastë mëshirë për shpirtin tënd të vyer dhe me plot botë artistike”, shkruante i nipi, Enea Arapi.
Mustafa Arapi kaloi më shumë se gjysmën e jetës duke restauruar ikona e afreske të artit mesjetar e bizantin, më orë e orë të tëra brenda kishave të vjetra nën shoqërinë e imazheve të shenjtorëve, duke kuptuar ndoshta në heshtje misterin e besimit dhe të së përtejmes.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.