Njerez

Musine Kokalari – Vajza që nuk u bë dot nuse

Suadela Balliu - Kur ishte në kulmin e moshës, në kohën për të bërë familje, rrjedha tragjike e jetës e çon të mbulojë kryet me shifonin e zi, të cilin nuk e hoqi më, deri ditën kur vdiq… Ishte kjo hollësi e dhimbshme nga jeta e intelektuales dhe shkrimtares Musine Kokalari që e çoi regjisorin dhe skenaristin Ilir Lluri, ta titullonte filmin dokumentar mbi jetën e gruas, simbol i qëndresës në idealet e saj, pikërisht “Nusja me shifon të zi”.
E njohur është për sytë e shqiptarëve një nga të rralla fotografi të aktivistes sociale e politike - asokohe 29-vjeçare - në gjyqin famëkeq të të 36 intelektualëve, në teatrin e ndërtuar nga italianët gjatë pushtimit fashist, ku mbi skenë luhej tragjedia e vërtetë e elitës së vendit. Musine Kokalari, përballë një mikrofoni, me vështrimin e thellë, qortues, qëndrimin e patundur, edhe pse ishte torturuar bodrumeve, e burgosur në 17 ditë, i ka mbuluar flokët me vellon e zisë… Vetëm disa ditë më parë, të vëllezërit, Vesimin dhe Mumtazin, i kishin pushkatuar pa gjyq, në një tjetër bodrum, atë të hotel “Bristolit” në kryeqytet.

Regjisori Ilir Lluri 


“Jeta e Musinesë ka aq dhimbje”, rrëfen regjisori Lluri, ndërsa nuk mundet t’i përmbajë lotët kur flet për figurën e Kokalarit, duke shtuar se ishte kjo dhimbje që e shtyu ta realizojë këtë film, të cilin pas përurimit në muajin maj, në mjediset e Muzeut Historik Kombëtar, e solli si pjesëmarrës në TIFF- Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Tiranë. “Duhet ta duash njeriun me dhimbjen e tij dhe të marrësh diçka prej asaj dhimbjeje. Dukesh sikur e lehtëson”, thotë Lluri.
Filmi rrëfen jetën e gruas që i rezistoi torturës çnjerëzore të një regjimi politik nga fëmijëria e derisa u nda nga jeta, e munduar prej kancerit. Ajo jetoi pak në Gjirokastër, por e deshi shumë.
“Në disa pasazhe, e ka përshkruar aq bukur raportin me vendlindjen dhe e jep me një dashuri të atillë, sa çdo gjirokastrit e kap përnjëherësh.”
Në mbrëmjen dedikuar filmit, në një sallë të vogël të Teatrit Eksperimental, improvizuar si një kinema, ka shumë gjirokastritë, siç i dallon vetë regjisori, që përloten herë pas here, heqin syzet optike e fshijnë sytë. Nuk qajnë vetëm zonjat, teksa përjetojnë në ato minuta dhimbjen e gruas, vajzës, motrës, qytetares së angazhuar, qenies njerëzore të dënuar me vetmi dhe përbuzje nga shoqëria e “njerëzve të rinj” që transplantohej dhunshëm nga diktatura. Janë edhe burrat ata që vajtojnë, heshtur, dhimbjen e vajzës së re që shkruante vargje se donte të ish një lule, se shkrihej nën tingujt e pianos me sonatën e hënës, se jetonte ëndrrat vajzërore në rrugët dhe kopshtet e Romës kur ishte studente…

Pjesë nga filmi "Nusja me shifon të zi" 

Në këtë dokumentar, i pari që sjell një rrugëtim të plotë, me fakte, dokumente e fotografi të panjohura, Lluri thotë se e pa të udhës të ndërtonte edhe skena artistike. Musineja, veç fotografive në etapa të ndryshme të jetës, interpretohet nga katër figura femërore, nga vajza e vogël që luan pranë vatrës së zjarrit me Babamadhin dhe Nënon plakë dhe këndon “Nusja jonë arbërore” me shoqet e shkollës, ngjit dhe zbret kalldrëmet e qytetit, tek studentja që shpenzon pjesën më të madhe të ditëve të saj në bibliotekë, deri në grahmat e fundit të jetës, në spital.
Në vitet ‘20 ish kthyer bashkë me familjen në qytetin e origjinës Gjirokastër, ndërsa në Tiranë u rrit mes shkollës dhe vëllimeve të lexuara në “Venus”, libraria e hapur nga i vëllai Vesim që me Mumtazin, vëllai tjetër do të nistë më vonë më ’43 edhe shtëpinë e vogël botuese Mesagjeritë shqiptare”. Më 1938-ën ndodhet në Romë dhe më ’41 diplomohet në Letërsi në Sapienza, me një tezë të shkëlqyer të poetit kombëtar shqiptar Naim Frashëri.

Musine Kokalari me famijarë të saj në Romë, Itali. 


Xhirimet janë kryer më së shumti në Gjirokastër, zbulon regjisori, ndërsa shton se një shtëpi karakteristike gjirokastrite i hapi dyert (kur një tjetër i mbylli, me shpërfillje) për të rindërtuar fëmijërinë e Musinesë, në pamundësi për të përdorurën shtëpinë e saj, të djegur (me premtimin e tre viteve se do të shndërrohet në muze, por ende nuk shihet t’i jetë vendosur një gur). Ka gjithashtu xhirime në qytetin e Rrëshenit, ku ajo kaloi jetën në internim dhe vendet e parapëlqyera ishin kafeneja dhe biblioteka. Për të sjellë atmosferën e bodrumeve në rrugën e Elbasanit dhe më pas në Rrugën Bardhyl në Tiranë, ku Musine Kokalari qëndroi e mbyllur për 17 ditë, Lluri zbulon se është përdorur bodrumi i një shtëpie të vjetër në Gjirokastër. Nuk mbulojnë edhe pamjet në natyrë, ku siç rrëfen regjisori, për të sjellë vizualisht përshkrimin që Musine Kokalari u bën stinëve në Gjirokastër i është dashur të presë mbërritjen e të katër stinëve, për të sjellë shiun e rrëmbyer, shtrojën e dëborës, vetëtimat dhe bubullimat në qiellin e mbrëmjes, lindjen dhe perëndimin e diellit.

“Nuk kemi mbuluar dot me pamje filmike kohën e Italisë, ku kaloi jetën universitare”, thotë regjisori, por nuk harron të falënderojë studiuesit Mauro Geraci dhe Simonetta Ceglie, që i erdhën në ndihmë me botimin e ditarëve të Kokalarit, me titullin “Jeta ime universitare”.
Kërkimet në Bibliotekën Kombëtare, arkiva, muze, i morën pothuajse dy vjet kohë. “Kam lexuar mbi njëmijenjëqind fare mbi jetën e Musine Kokalarit” , zbulon, ndërsa shton se në Bibliotekën Kombëtare gjeti artikujt e botuar në shtypin e kohës nga Kokalari, me pseudonimin Muza. Mes viteve në 1937 dhe 1944 shkrimtarja boton veprat e saj më të rëndësishme letrare, rrëfimet e bazuara në folklorin toskë dhe dramat e përditshme të grave shqiptare të jugut “Seç më thotë nëna plakë”, tregime me një karakter moral të mbledhura në “Sa u tund jeta”; përrallat “Rreth vatrës”; poezitë dhe novelat e mbledhura nën titullin “Kolla e vdekjes”, të botuara mes ’37 -38. Ishte nga të parat gra shkrimtare, me ide përparimtare, feministe. Në Tiranë, ditë pas dite, Musineja asiston në lindjen shqetësuese të stalinizmit nga hiri i rezistencës partizane dhe të Partisë Komuniste Shqiptare që ish themeluar në nëntor 1941.
Për të neutralizuar atë projeksion destabilizues dhe regjimin, Musineja merr pjesë me Skënder Muçon në themelimin e Partisë Socialdemokrate të Shqipërisë dhe në organin saj të shtypit Zëri i Lirisë me angazhimin e saj politik për të siguruar daljen demokratike nga lufta. Angazhim që në një pjesë të mirë u bë përmes aktiviteteve kulturore të librarisë Venus që e reja e shndërroi shpejt në një pikë të rëndësishme referimi dhe ballafaqimi për romancierë, poetë, studiues, intelektualë.


Fotografi, të panjohura më parë, Lluri i siguroi nga djali i xhaxhait të saj, Platonit, nëpërmjet së shoqes së tij, Bibika Kokalarit, “e cila jo vetëm më ndihmoi me një arkiv të pasur fotografish, por më vuri në dispozicion edhe një sërë sendesh personale të Musinesë”.
Një prej aktoreve, që interpreton Kokalarin në këtë film dokumentar mban veshur kostumin origjinal dhe byzylykun e saj. “Kur vajtëm në Rrëshen, njerëzit që e panë gruan që interpreton Musinenë shtangën. Edhe Bibika u prek shumë”, kujton Ilir Lluri. Në udhën kërkimore iu shfaqën edhe shumë rastësi, që e pasuruan dokumentarin në rrugë e sipër. Fotografi dhe kujtime vijnë nga e mbesa, Karolina Halimi Kokalari, ndërsa një tjetër detaj që e mësoi pasi e kishte mbyllur filmin, ishte një fotografi ku të afërmit e familjes mbajnë një shirit të zi, në shenjë zije për vëllezërit e pushkatuar, Vesim dhe Mumtaz Kokalari. “Gjirokastra është shumë e vogël për Musinenë!”, pranon jo pa dhimbje regjisori, i cili rrëfen sesi në disa raste pa pengesa që tregojnë se kësaj gruaje vazhdojnë t’ia mohojnë jetën dhe të drejtën, edhe në këtë sistem. Jo vetëm një shtëpi-muze në Gjirokastër refuzoi të përdoreshin disa mjedise për xhirime, por edhe Instituti i Folklorit, për të cilin etnologia Musina Kokalari, mbledhësja e këngëve të dasmës gjirokastrite, kontribuoi me punë serioze, “kur erdhi puna tek ndihma konkrete, nuk dhanë”, zbulon regjisori.


Falë trashëgimisë së Anesë, shqisës së vëzhgimit të hollë a “të thekur” siç i thonë gjirokastritet, ajo mblodhi qindra tekste këngësh të popullit. “Një nga miqtë e saj, Ramadan Sokoli, kishte regjistruar këngët gjirokastrite sipas varianteve të Musine Kokalarit në librin dhe “Kënga e Dasmës”. Kjo, përbënte një risi sepse më jepte dorë jo vetëm për filmin, por edhe si krijues”, thotë Lluri, i cili merret ngushtë me folklorin dhe punon në një qendër që sot ka marrë emrin “Musine Kokalari”. Do të kishte qenë e thjeshtë për të sikur Instituti i Folklorit do të ishte treguar bashkëpunues. Megjithatë nga ky film lindën edhe dy këngë kushtuar jetës dhe figurës së Musine Kokalarit, një këngë polifonike nga grupi “Argjiro” dhe një këngë e lehtë me titullin “Nusja me shifon të zi”. Lluri rrëfen se nga studimi i veprës së Musine Kokalarit kanë lindur tre apo katër projekte të tjerë. “Një u realizuar pas dokumentarit dhe është “Nata e kënasë” – fragment i dasmës gjirokastrite –që u vendos në kuadër të “Argjiro Fest” 2017”. Në kuadrin e 100-vjetorit të lindjes së Musine Kokalarit, në shkurt të vitit të kaluar u dramatizua edhe skena e gjyqit, për herë të parë. “Këto detaje që i veçova, më ngacmuan më tej. Të interpretosh Musinenë nuk është aq e thjeshtë”, pranon Lluri, duke shtuar se është hera e parë që tentohet të interpretohet. “Sigurisht aq sa mban një dokumentar”.

Skenë nga filmi "Nusja me shifon të zi", Kako Pinua që pikturon qipari në ballin e vajzave. 


Për të parën herë vijnë edhe figurat e Babamadhit, Anesë, Kako Pinos. “Jemi mësuar që e ka trajtuar i pari Kadareja, por së pari e ka trajtuar Musine Kokalari.”
Figura e Kako Pinos, zbukuronjëses së vajzave në ditën e dasmës me qiparisin në ballë, simbol i nuseve gjirokastrite, është figurë qendrore në këtë dokumentar, ku regjisori Lluri, njëherazi skenarist dhe narrator shpërfaq dhimbjen edhe të natyrës njerëzore, intime, të një vajze të re, e ëndrrat për t’u bërë nuse. I gjithë dokumentari shoqërohet nga kjo dozë trishtimi, ku faktet e njohura nga historia, por edhe ato të zbuluara për këtë projekt, gërshetohen me përshkrimet, pjesë të kujtimeve të saj, bisedave me shoqe kur thotë se “fati e desh të mos martohesha”.
Perëndia i kish falur gjithçka, por fati nuk desh që ajo t’i gëzohej jetës, rrëfen Lluri gjatë filmit.
Një nga ngacmimet e para për realizimin e dokumentarit, rrëfen se e mori nga libri i Eglantina Mandisë, “Sonata e Hënës”. “Ka ditur të japë me elegancë femërore disa goditje tek Musineja. Lidhjen me qiparisat, i kishte lexuar tek kujtimet e saj. Unë nuk i kisha lexuar ende, por me intuitë futa një lojë…” Fëmijët në Gjirokastër zbaviteshin duke lozur “babot” me kukunaret e qiparisave, pylli i lartë i të cilëve rritet në kodrat e qytetit dhe përshkruhet me narracion dhe pamje filmike në film. “Doja që të ishte detaji shoqërues, që nxjerr krye aty-këtu në film”.
Rasti apo fati e desh, që shumë vite më pas, të gjente shoqen tashmë 95-vjeçare të Musinesë, me të cilën dikur luante me kukunare. “E bija e kësaj gruaje të moshuar që kisha ardhur ta intervistoja këtu në Tiranë, më dha një fotografi.”

Musine Kokalari me kostum tradicional 


Ishin tre vajza, një prej tyre më e vogël, që shfaqeshin të qeshura në sokakët e Gjirokastrës. “E pyes kush ishte në fotografi dhe e bija e gruas më thotë: Kjo këtu, është Musineja. E merrte nënën time për pushime (familja e Musinesë qe më e kamur). Ç’mban mend nga Musineja e pyeta gruan 95-vjeçare. Më tha: “Shpesh venim e loznim me kukunare.” U pamë me kameramanin në sy dhe mbetëm të shtangur. E kisha futur si element me intuitë, pa e ditur”, kujton Lluri, ndërsa sjell ndërmend edhe një tjetër episod, me vajzën më të vogël në atë fotografi, të cilën e mori dhe e përdori si pamje ilustruese në dokumentar.
“Marr një telefonatë nga një grua me një zë shumë fëminor. U prezantua si Karolina, e mbesa e Musinesë. Më tha: Si bën një film për të dhe nuk pyet familjarët? I thashë se nuk qe qëllimi im të pasqyroja familjen Kokalari, por jetën e Musinesë. Ajo më ndihmoi me një fotografi të librarisë “Venus”, e cila më mungonte dhe kur i rrëfeva për fotografinë që kisha siguruar së fundi, më tregoi se ajo vajza e vogël ishte ajo vetë. Bëra kështu dy personazhe të gjallë, përmes fotografisë.”


Kur je në kërkim të diçkaje, do të hasësh domosdo me rastësi që do të të ndihmojnë. Kështu mendon Lluri, ndërsa në dokumentar ka përdorur edhe pretendimin e kahershëm të Musinesë, me pemën gjenealogjike se me diktatorin Enver Hoxha, ishin kushërinj. “Nga një dokument kam parë ku djali i xhaxhait të Musinesë shfaqet fillimisht me mbiemrin Hodja-siç shkruhej germa ‘xh’ dikur – pastaj Hoxha, e më vonë Kokalari. Është i faktuar në dokumente, të cilat i pashë më vonë, por i besova asaj çka kishte ngulmuar Musineja vetë.”
Familja Kokalari është e rrethuar me tragjizëm. Më shumë se nga çdo gjë, mendon Lluri, njeriu mëson nga vuajtjet që kanë pësuar të tjerët.
“Janë njerëz të lidhur fort me jetën e Gjirokastrës. Dy vëllezërit dhe djali i saj i xhaxhait ishin mësues në Liceun France të qytetit. Vunë themelet e shkollës, arsimit e kulturës dhe kjo nuk mund të neglizhohet.”
Vëllezërit e saj , Vesim dhe Mumtaz ishin pushkatuar më 12 nëntor 1944 dhe trupat e tyre dhe shumë intelektualëve të tjerë që ishin bezdi për regjimin, u gjetën pas një muaji në bodrumet e hotel Bristol-it në Tiranë , vigjiljen e Krishtlindjes, në atë që shumë njerëzve iu duk si i pari pastrim masiv i Republikës Popullore Shqiptare.

Në Rrëshen, një rrugë u pagëzua me emrin e Musine Kokalarit, në Gjirokastër qendra kulturore mori emrin e saj e po ashtu, në vitin 2000 u ngrit një memorial në hyrje të qytetit, ku Musine Kokalari qëndron pranë figurave të Eqerem Çabejt dhe Ismail Kadaresë. 


Përpjekjet për të mos e lënë ende në harresë, edhe sot, duket sikur kanë disa fryte, edhe pse ende jo në përmasat që familja Kokalari dhe veçanërisht Musineja dha për kulturën.
Në Rrëshen, një rrugë u pagëzua me emrin e Musine Kokalarit, në Gjirokastër qendra kulturore mori emrin e saj e po ashtu, në vitin 2000 u ngrit një memorial në hyrje të qytetit, ku Musine Kokalari qëndron pranë figurave të Eqerem Çabejt dhe Ismail Kadaresë.
Dhe ky dokumentar është një homazh për atë çka Musine Kokalari i dha qytetit të saj.
“Nuk para dashurohem shumë me punën time, kam bërë dhjetëra dokumentarë nga fusha e folklorit me personalitete dhe figura, por ky është një dokumentar që do të mbetet. Sa herë, e shoh me kënaqësi. Ndoshta edhe prej figurave të dashura; Kako Pinua, Babamadhi, Nëna Plakë, Gjirokastra me magjinë e saj më vete…Kjo vajzë që erdhi në moshën katër vjeçare e iku për shkollim… Mendoj se është dhimbja që tërheq.” Përtej shfletimit të materialeve arkivore apo librave për jetën e Musine Kokalarit nga Eglantina Mandia dhe Novruz Shehu, i cili ka botuar dy vëllime mbi jetën e saj, Lluri rrëfen se nuk mundi dot ta sigurojë dosjen e Musine Kokalarit, e cila ishte e para dosje e hapur nga Autoriteti i Informimit të Dokumenteve të Sigurimit të Shtetit, me rastin e 100 vjetorit të lindjes së saj, në shkurt të vitit të kaluar.


“Dosja është mesele më vete. Ia kërkova një miku në Arkivin e Ministrisë së Brendshme të më ndihmonte, më premtoi, por nuk m’u hap më telefoni. Dëgjova pastaj se dosja do të hapej për 100 vjetorin e lindjes. Më la një shije të hidhur. Aktakuzën munda ta siguroj nga Kastriot Myftaraj”, zbulon regjisori, duke shtuar “ Nuk mundem ta kuptoj: mirë që e penguan të gjallë, por ta pengosh edhe tani?!” Padrejtësisht, thotë Lluri, po e lënë sërish në harresë, sepse shtëpia e saj ende nuk ka nisur të restaurohet. Ndalet në një tjetër hollësi që i ka bërë përshtypje gjatë kërkimeve të tij, por që nuk e ka përfshirë në film, e ka hasur në veprën e Shehut, sepse kjo grua bashkë me intelektualë të tjerë shqiptarë u tradhtua nga forcat Aleate. Thuhet se pas arrestimit të saj, një përfaqësues i Aleatëve i dërgoi një kuti ëmbëlsirash anesë, si për t’ia ëmbëlsuar dhimbjen. “heshtën në zgjedhjet e ’46-ës duke i çuar drejt pushkatimit, syrgjynosjes, burgut e internimit. Musineja pati fatin të mbetej gjallë, për të na lënë disa gjëra. Ky detaj që lexova më la shumë përshtypje.”Thotë se së shpejti do të realizojë një dokument për të gjithë familjen Kokalari dhe shumë materiale që ka hequr mënjanë apo ka zbuluar gjatë rrugës do të përfshihen aty. “Ishte e vetmja grua që rreshtoi 27 burra në Partinë Socialdemokrate të Shqipërisë. Ende nuk ka një tjetër si ajo…” thotë Lluri.

Aktorja që interpreton Musine Kokalarin në vitet e fundit të jetës


Filmi ndalet në jetën e kaluar në internim, punën e rëndë, izolimin. Lluri e sjell me një rindërtim artistik momentet në kinemanë e Rrëshenit, kur rreth saj kishte disa ndenjëse bosh. Sesi e sëmurë rëndë lëngon në spital, por pa lëshuar në krenarinë e saj për t’i kërkuar ndihmë burri që kishte në dorë t’ia lehtësonte dënimin.

"Mirë që e penguan të gjallë, por ta pengosh edhe tani?!”


Në Rrëshen askush nuk i fliste me gojë. Përveç policisë rrethohej nga spiunë që mbi të ndërtuan dosje të të tëra me raporte ditë pas dite, orë pas ore… për 38 vjet e përndoqën njëzet bashkëpunëtorë të shtetit, që në dosjen e saj të hapur me rastin e 100 vjetorit të lindjes, një dosje e paruajtur mirë, kanë raportuar me pseudonime. Raportonin seku ndalej të shëtiste deri në të perënduar të diellit, librat që merrte në bibliotekën e vogël të qytetit, si krihej, si vishej, në mënyrë të thjeshtë, por ende të bukur dhe sfiduese, ç’thoshin fqinjët për shtëpinë e saj të vjetër, në mes baltës. Të nesërmen, sërish, shkonte të ulej në stolin e të vetmit kopsht të lulëzuar ku askush nuk mund të ndalej ta përshëndeste. Shkruante, mblidhte folklorin, por edhe mbante një ditar. Ndonjëherë kushëriri Platon shkonte ta takonte. Më 1981-shin kanceri kishte përhapur metastazat. U dërgua në spitalin e Tiranës ku fshehurazi shkonin ta takonin nipërit , veçanërisht Hektori, për të cilin flet shumë në Jeta ime universitare.

Nga xhirimet e filmit dokumentar "Nusja me shifon të zi"


Prerja e hardhisë, të cilën e kishte mbjellë në oborrin e shtëpisë, në Rrëshen, pasi u kthye nga vizita që i bëri të vëllait - të vetmit të mbetur gjallë - Hamitit, në Tiranë, është një element që ia rrëfyen banorët që e njohën. E çuditshme për vendasit aty, por zakon gjirokastrit që kryhet zakonisht kur vdes një fëmijë. Lluri e përdor për të ngritur pyetje se përse Musine Kokalari, edhe pasi iu lejua të dilte nga Rrësheni, nuk u kthye më në Tiranë për të takuar të vëllain? Pati frikë se po rrezikohej edhe e ardhmja e nipërve? Përse nuk u kthye më në Gjirokastër? Deshi vallë ta ruante në kujtesë  të pastër, Gjirokastrën romantike të përshkruar nga pena e saj, në të katërta stinët?
Aneja, i vetmi gëzim i saj, e cila iu bashkua në Rrëshen, u nda nga jeta në vitin 1963. I kishin thënë se kur të vdiste, dhimbja e saj do të helmonte edhe dheun. Mbeti fillikat në odën, që Lluri e ka sjellë të rindërtuar prej përshkrimeve të saj. Nuk ishte vetëm, shkruante, sepse në muret e dhomës kishte varur iluministët shqiptarë, ideologë e njerëz të penës e kulturës, krejt të ndryshëm nga anëtarët e Byrosë së regjimit komunist.
Më 1972 -11 vjet pasi doli nga burgu dhe ende në internim - do të shkruante esenë “Si lindi Partia Social-Demokrate “dhe u botua nën kujdesin Platon Kokalarit vetëm në vitin 2000, 17 vjet pas vdekjes tragjike të shkrimtares.


Muza - emri i saj i penës - i ka lënë të rrëfyera të gjitha; ka shkruar për arrestimin, hetuesinë, akuzat, procesin, mbrojtjen, dënimin dhe qëndrimin në burg.
“Nuk kam nevojë të jem komuniste për të dashur vendin tim! Unë e dua vendin time edhe pse nuk jam komuniste. Unë dua zhvillimin e tij. Edhe pse ju e fituat luftën, edhe pse ju fituat zgjedhjet ju nuk mund t’i persekutoni ata që kanë mendime politike ndryshe nga tuajat. Unë e mendoj ndryshe prej jush, e megjithatë e dua vendin tim. Ju po më dënoni për idetë e mia. Unë nuk kërkoj falje, sepse nuk kam asnjë faj”.Në film Ilir Lluri ka futur edhe një mbresë të Musine Kokalarit nga bisedat me Nexhmije Xhunglinin, për të themeluar një parti të qendrës, por siç e kujtonte ajo “Nexhmija nuk qe dakord, duke thënë se nuk ishte koha për të themeluar parti, por për të dëbuar pushtuesin”. Sipas Musinesë, Xhunglini, që më vonë do të bëhej bashkëshortja e diktatorit, donte vetëm të komandonte.

Sende të Musine Kokalarit 

Në një prej vizitave të të afërmve, rrëfen Bibika Kokalari në film, u dorëzoi disa sende që i quante me vlerë më muzeun etnologjik, qëndisma me motive gjirokastrite. Lëshoi një rënkim lehtësimi dhe nuk do të vononte shumë, kur më 1983-shin u nda nga jeta e kaluar me dhimbje e mundime dhe nga një botë që tregoi fytyrën më çnjerëzore me të. Fqinjët ia mbyllën sytë dhe kryen të gjithë ritet mortore. Kamioni, pa funeral, me arkivolin e saj të mjerë sipër, nxitoi drejt varrezave të Rrëshenit. Dy punëtorë me kazma e lopata e varrosin me shpejtësi mes një grumbulli rrënojash. Madje edhe drekën në nder të të vdekurit, ata që merrnin pjesë në funeral, e hëngrën në varreza. I kishin caktuar një copë tokë diku në fund të varrezave, me mendimin se do të qe e zhytur nga baltërat. Por punëtorët u munduan shumë ta hapnin “ishte tokë shtuf”, rrëfen Bibika. Të paktën vdekja, po tregohej pak më e butë me të. Pas viteve ’90, eshtrat e saj u sollën në Tiranë, për t’u varrosur pranë të vëllezërve. Vendi ku qe i varrosur në Rrëshen, ende ka mbetur bosh. Nuk ka asnjë shenjë dalluese, veç një qiparisi. Ka aq shumë lirizëm dhe dhimbje në këtë dokumentar. 

Qiparisi vjen sërish në fund të dokumentarit dhe jetës së Musine Kokalarit, kur Ilir Lluri ka rindërtuar një ëndërr. Ëndrrën e vajzës gjirokastrite që përgatitet për martesë. Musine Kokalari me vellon e bardhë, Kako Pinua që fsheh kapistrën e kalit nën jastëk, mesazhi i heshtur që i kalonte nuseve të reja për të qenë të bindura. Musineja nuse, del prej shtëpisë, ecën në rrugicat e ngushta të qytetit, në sokakun e të marrëve që duket sikur i zë frymën, kalon në “rrugën e qumështit” pas kalasë, kur thuhej se gratë kishin mëndur me radhë jetimin e princeshës Argjiro, ndalet mbi shkëmbin nga ku ajo u hodh, kalon mbi urën e Ali Pashait dhe sheh të fluturojë në hon kapistra, dëgjon këngën polifonike e kthehet edhe njëherë fëmijë të luajë me kukunare qiparisash… Atje në pyllin me qiparisa, Kako Pinua e kish zgjedhur një filiz për të, filiz që nuk u rrit më dhe vajzat gjirokastrite në nder të vajzës që nuk mundi të hedhë mbi krye vellon e bardhë, nuk e vizatojnë më qiparisin në ballë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë