Drejtësia

Mungon avokati mbrojtës, gjyqi ndaj ish-kryeprokurorit Llalla shtyhet në shtator

Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit ka shtyrë sërish seancën ndaj ish-kryeprokurorit Adriatik Llalla Këtë të enjte, teksa pritej që të jepej vendimi nëse ish-kryeprokurori do të shpallej i pafajshëm apo do të shkonte në burg, seanca në GJKKO është shtyrë sërish, duke u caktuar në datën 9 shtator.

Shkak u bë mungesa e vetë Llallës dhe avokatit të tij, Sokol Hazizaj, i cili është justifikuar se ka qenë i sëmurë. Ai u kishte dërguar togave të zeza një raport mjekësor.

Në fakt, Hazizaj mungoi edhe në seancën e kaluar të 16 korrikut dhe u gjobit me 20 mijë lekë për shkak se mungoi pa arsye.

Ndërsa vetë ish-kryeprokurori nuk ka dhënë asnjë arsye për mungesën e tij në seancë.

Për të mos pasur më zvarritje të procesit gjyqësor, GJKKO caktoi mbrojtës kryesisht dhe në seancën e 9 shtatorit, Llalla do të mbrohet nga avokatja Gentiana Qendro. Adriatik Llalla u bë zyrtari më i lartë shqiptar i dënuar ndonjëherë nga një gjykatë në vend.

Pas kërkesës së SPAK, GJKKO mori një vendim historik, në një seancë ku nuk munguan edhe përfaqësues të ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë.

Ish-Prokurori i Përgjithshëm Adriatik Llalla, u dënua me 2 vite burg dhe 5 vite përjashtim nga postet publike.

Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, pranoi pretencën e SPAK-ut, duke mbyllur kështu në shkallë të parë këtë çështje. Llallës i janë sekuestruar 4 sipërfaqe toke dhe një shtëpi në Durrës për llogari të shtetit.

Gjykata argumentoi se Llalla ka blerë prona me çmim të ulët dhe i ka rivlerësuar nga 4 deri në 12 herë me çmime më të larta, por ato nuk kishin origjinë të ligjshme për krijimin e ketyre pasurive.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë