Menaxhim

Mungesa e infrastrukturës, parave dhe profesionistëve – Shqipëria s’është gati për digjitalizim

Nga Gazeta 'SI' - Shqipëria nuk është gati për digjitalizimin, të paktën në rang institucional.

Një raport i punuar nga UNPD, program brenda OKB-së, tregon se shërbimet virtuale janë ende sfidë për Shqipërinë. Matur sipas 5 indikatorëve, nota mesatare e gatishmërisë nëpër bashki është 31 pikë nga 100, duke treguar një gatishmëri të kufizuar digjitale. Rrethet përballen me sfida të mëdha në infrastrukturë, rregullore, qeverisjen digjitale dhe ofrimin e shërbimit me në qendër përdoruesin. Përjashtim bën vetëm Tirana, e cila bie në sy me notë shumë më të avancuar, 73/100 pikë.

Raporti i Kombeve të Bashkuara vlerëson gatishmërinë me matjen e 5 indikatorëve; qeveria, rregulloret, infrastruktura, njerëzit dhe shpërndarja e shërbimit tek qytetarët.

UNPD tregon se ngërçi është institucional dhe se qytetarët janë të aftë e të gatshëm për digjitalizim, ndryshe nga se percepton qeveria.

Qeveria merr 25 nga 100 pikë në vlerësim pasi ajo ka ende mungesë të infrastrukturës inovative. Shumica e bashkive thotë raporti nuk kanë asnjë strategji për digjitalizimin dhe asnjë fond të dedikuar asaj. Shërbimet fizike vazhdojnë të jenë normë. Megjithatë, disa shembuj të suksesshëm të ofrimit të shërbimeve administrative digjitale përfshijnë sistemin e-lejeve për lejet e ndërtimit, koordinimin e programeve sociale të strehimit nëpërmjet e-Albania dhe Ndihmës Ekonomike.

Indikatori i rregulloreve vlerësohet me 25/100 pikë ku përsëri raporti përmend mungesën e një strategjie nga pushteti lokal dhe mungesën e informacionit në tërësi. Mungesa e ndërgjegjësimit në lidhje me kuadrin ligjor që rregullon menaxhimin e të dhënave, privatësinë dhe siguria kibernetike ngre shqetësime për transformimet e ardhshme digjitale. Për sa i përket të dhënave dhe transparencës, ndërkohë që ekziston një ndërgjegjësim dhe zbatim i kërkesave të transparencës, miratimi i rregulloreve që lidhen me të mbrojtjen e të dhënave mbetet e ulët, thuhet në dokument.

Infrastruktura është hallka më e dobët e zinxhirit me 19 nga 100 pikë. Bashkitë thotë raporti përdorin softuerë të palicencuar dhe kompjuterë të vjetër. Shmangia e zëvëndësimit të pajisjeve kompromenton dhe aftësitë teknologjike. Raporti thotë se pushteti lokal ka shumë mangësira me politikat e sigurisë kibernetike, mbrojtjen ndaj rrezikut, specializimin e punonjësve etj.

Njerëzit janë indikatorët të vlerësuar më lart, 67/100 pikë. Vetë punonjësit e bashkive janë të gatshëm të përballen me digjitalizimin dhe ta përdorin atë në punën e përditshme. Shumica e punonjësve deklarojnë se nuk ka protokolle ose udhëzime përdorimi për mjetet digjitale (53%) dhe asnjë trajnim për praktikat digjitale (69%) të ofruara nga institucioni. Gjithashtu, gjetjet tregojnë se ekziston një boshllëk i konsiderueshëm në ekspertizën e specializuar të Teknologjisë së Informacionit, TI, veçanërisht në bashkitë më të vogla. Për më tepër, qeveritë vendore luftojnë për të tërhequr dhe mbajtur profesionistë të kualifikuar të TI-së për shkak të konkurrencës me sektorin privat. Ekspertiza e specializuar e TI-së është shpesh e pakët përtej aftësive bazë të mirëmbajtjes, gjë që nxjerr në pah sfidat në ndërtimin e një fuqie punëtore të fuqishme të TI-së.

Ofrimi i Shërbimit në qendër të përdoruesit vlerësohet me 20/100 pikë thotë raporti, duke theksuar se grupet vulnerabël nuk mund të aksesojnë shërbimet publike. Këto grupe hasin pengesa në aksesin e shërbimeve për shkak të çështjeve që lidhen me infrastrukturën fizike të zyrës, distancën, transportin publik joadekuat (veçanërisht në zonat rurale), informacionin kompleks dhe komunikimin e kufizuar.

Ka një përplasje mes perceptimit të punonjësve të bashkisë se “sa të aftë dhe të hapur janë qytetarët/biznesi për futjen e shërbimeve të reja elektronike lokale” dhe deklaratave të të anketuarve në publik, se “sa e lehtë apo e vështirë është” për ata të merren me shërbime të tilla të reja elektronike. Shumica e punonjësve (75%) nuk mendojnë se qytetarët/biznesi “kanë aftësi” për të përdorur shërbimet elektronike. Kjo është në kontrast me 63% të qytetarëve të anketuar që deklaruan se përballja me një shërbim të ri elektronik nuk do të ishte “e vështirë” për ta. Duket se perceptimi i punonjësve të bashkisë për aftësinë e publikut për të përdorur shërbimet elektronike është shumë më i keq se “realiteti”.

Në hartën e punuar nga UNPD tregohen të gjithë indikatorët e matur sipas bashkive në vend, ku qartazi Tirana performon më mirë ndjekur nga Durrësi, Shkodra, Korça. Ngjyrat tregojnë nivelin e gatishmërisë së një bashkie për t’u digjitalizuar. Sa më e zbehtë të jetë ngjyra aq më sfidues është digjitalizimi për atë qytet.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë