Sport

Mundi leuçeminë, notarja japoneze realizon ëndrrën për të shkuar në Olimpiadën e Parisit

Gazeta Si – Notarja Rikako Ike preku gjithë botën disa vjet më parë. Në 2018-ën fitoi 6 medalje ari në Lojërat Aziatike të Xhakartës. Ishte 18 vjeç dhe shihej si një talentet më brilante të notit botëror, pa e ditur që pak muaj më pas do të ndeshej me një kundërshtar shumë më të komplikuar se ata të ujit, si leuçemia.

Sportistja japoneze e ka përballuar të keqen me të gjitha forcat e saj dhe tani është gati të realizojë ëndrrën: të marrë pjesë në Olimpiadën e Parisit.

Notarja 23-vjeçare nga Tokio i mahniti të gjithë, duke zënë vendin e dytë në 100 metra flutur, me kohën 57″34, që i jep të drejtën për të shkuar në Paris, bashkë me 17-vjeçaren Haiari Mazuki.

Ike kishte prekur më parë mundësinë për të marrë pjesë në një garë olimpike, duke fituar në 2021-shin provat kualifikuese në 100 metra stil i lirë dhe 100 metra flutur, por hoqi dorë nga ideja e pjesëmarrjes në Olimpiadën shtëpiake për shkak të kohës së gjatë.

Sportistja e re ishte përzgjedhur për stafetat, por pa mundur te garonte, një mundësi që do të konkretizohet duke nisur nga 26 korriku, kur do të marrë pjesë në Lojërat Olimpike, bashkë me 26 sportiste të tjera të zgjedhura nga Federata e notit në Japoni.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë