Art dhe Kulture

Mripa , artisja që tremb frikën

Harresa, thonë, është vdekja e dytë e viktimës.

Pikërisht për të mos harruar vuajtjet e mijëra viktimave, të cilëve iu vodh liria dhe iu përçudnuan jetët. Por edhe për qindra e mijëra të tjerë që i heshtën për të vërtetat e tmerrshme  të diktaturës  që kinse po ndërtonte ‘njeriun e ri’ me frikën se edhe muret mund të kishin veshë, artistja konceptuale dhe aktivistja Alketa Xhafa Mripa, së bashku me Autoritetin për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, për njëzetekatër orë nga mbrëmja e 8 majit në agimin e 9 majit, që është edhe Dita e Europës, u dhanë mureve jo veshë, por zë.

Më shumë se nëntëdhjetë thënie nga rrëfimet e të mbijetuare të krimeve të diktaturës komuniste u projektuan në sheshin ‘Nënë Tereza’ në Tiranë, në Pedonalen e Shkodrës, në sheshin ‘Teodor Muzaka’ në Berat, Teatrin ‘Andon Zako Çajupi’, në sheshin ‘Bajron’ të Tepelenës dhe në sheshin Çerçiz Topulli në Gjirokastër

Të rinj e të reja, të mbijetuar dhe familjarë të tyre, përfaqësues të trupit diplomatik dhe agjencitë e zhvillimit në Shqipëri, kalimtarë të rastit dhe përfaqësues të mediave lexuan në heshtje pjesë nga rrëfimet e të mbijetuarve të tmerreve të komunizmit.

“Çdonjëri ka pasur rrëfimin e vet, por thelbi ka qenë vuajtja, terrori. Historia e jetës vonon, por nuk harron kurrë. E drejta nuk mund të shtrembërohet.”- thotë artistja Alketa Xhafa Mripa, e cila ka udhëtuar për muaj nëpër Shqipëri për të intervistuar të mbijetuar e për të mbledhur nga goja e tyre rrëfenjat për torturat, vuajtjet dhe forcën për të mbijetuar.

“Për vuajtjet e mia personale do ta falja diktaturën komuniste, por nuk ia fal dot atë që u bëri shqiptarëve”- kjo fjali e shkëputur nga intervista e Uran Kostrecit , ndriçoi errësirën e mureve të Universitetit Politeknik, ndërsa dhjetëra sy shihnin.

Një tjetër nga të mbijetuarit e projektit “Edhe Muret kanë veshë” thotë: “

Tregimi im është detyrim moral për prindërit e mi, për veten time, për ju o bij, për bashkëvuajtësit e mi dhe për shoqërinë.”

Artistes i janë bashkuar një ekip ekspertësh të artit dhe komunikimit, të cilët kontribuojnë në aktivitetet ndërgjegjësuese të kësaj platforme.

“Është përballja me të vërtetën ajo që e çon shoqërinë drejt shërimit e që rivendos ekuilibra’ shprehet Gentiana Sula, Kryetare e Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit.

Rrugëtimi drejt Tiranës.....

Në një intervistë dhënë pak kohë më parë për Briggs Burton e publikuar në victimsofcommunism.org.,  Alketa ka rrëfyer rrugëtimin për të sjellë këtë instalacion dhe çfarë e shtyu të vinte në Tiranë.

Arti është universal , gjuhë e përbotshme. Pavarësisht nga vjen, apo ç’kombësi ke, apo ç’besim fetar praktikon, flet dhe ka potencialin për të mbërritur te gjithkush” , thotë Alketa Xhafa Mripa. “Arti u jep njerëzve zë.”

Në projektin “Even Walls Have Ears” (Edhe Muret Kanë Veshë), Mripa mori dëshmi personale të të mbijetuarve të regjimit komunist dhe i projektoi ato në publik.

Frazat apo thëniet që përshkruajnë tragjedinë njerëzore janë shkëputur nga dorëshkrime, dokumentime, apo arkiva personale të individëve të burgosur apo internuar dhe janë përzgjedhur nga dëshmitë gojore të të mbijetuarve.

 “Teksa udhëtonin nëpër të gjithë Shqipërinë për të mbledhur historitë e të mbijetuarve, jam habitur kur pashë sesi studentët dhe brezi i sotëm nuk ishin në dijeni të përmasave të qëllimeve persekutuese të Enver Hoxhës dhe sesa gjerësisht regjimi komunist shenjtëronte grupe për qëllime intelektuale, politike dhe fetare” -thotë Xhafa.

Sokol Mirakaj që tregon një foto të rrallë të vetes dhe të të vëllait , shkrepur në kamp. (Marrë nga victimsofcommunism.org) 

Ajo shpreson se ky projekt do të sjellë një vetëdije më të madhe të së shkuarës së shtypur të Shqipërisë në nivel komunitar, kombëtar, rajonal dhe ndërkombëtar.

Instilacioni, ka rrëfyer Mripa, u frymëzua kur një shoqe e saj, Kristale Ivezaj Rama, që aplikoi për Dosjen e Sigurimit të stërgjyshes.

Kur fati të takon me Neim Pashën

Për Mripën, aspekti më i rëndësishëm i të gjithë projektit ka qenë të dëgjonte të vërtetën, historitë e të mbijetuarve dhe të familjeve të tyre, ndërsa i mbërthenin të gjallë. “Jemi të vetëdijshëm se koha kalon: shumë nga të mbijetuarit mund të mos jenë mes nesh për shumë gjatë, duke qenë se janë shëndetligë” .

Ndaj e quan veten me fat që takoi Neim Pashën, një nga të fundit e tetë të mbijetuarve të revolucionit në burgun e Spaçit, më 1973-shin.

“E intervistuam Neimin, i cili ishte me diabet. Ndërsa mundohej mes emocioneve të thella, ai mblodhi fuqitë që i kishin mbetur për t’u ulur në cep të shtratit dhe të ndante me ne kujtimet e tij më tronditëse. Ai kaloi 25 vjet në burg për mendimet e tij politike: për tetë nga ata vite, ai u mbajt në izolim. Z.Pasha na e dha ne intervistën e tij të fundme. Pasha u nda nga jeta në mars të 2018-ës, pas intervistës me Xhafën për projektin. “Kjo na preku thellë, por e bëri historinë e tij edhe më të çmuar për ne.”

Edhe të pazëshmit flasin

Alketa Xhafa Mripa, një artiste e talentuar konceptuale, nënë e katër fëmijëve, mësuese joge dhe një grua në biznes e cila drejton një sallon çaji në Londër, së bashku me të shoqin.

Alketa rrjedh nga një familje artistësh, i ati Xhevdet Xhafa , një piktor bashkëkohor, i vëllai Sislej Xhafa një artist konceptual me bazë në Nju Jork.

E lindur në Pejë, ka jetuar në Prishtinë deri në moshën 17 vjeçare kur lëvizi drejt Londrës më 1997-ës për të studiuar Arte të Bukura në Central Saint Martins , ku jeton me të shoqin dhe katër fëmijët. Ka studiuar edhe Histori Arti në Tate Modern, Londër.

Si artiste konceptuale ajo është e fokusuar në çështje të tilla si stigmat sociale, tabutë, emigracioni, gjinia...

Pasi mbërriti si studente, Alketa u bë refugjatë kur më 1998-99-ën shpërtheu lufta në Kosovë.

Qysh atëherë ajo ka shfaqur veprën e saj shumë-dimensionale në ekspozita rreth Europës, si në Berlin, Londër, Itali, Portugali dhe Kosovë, ku është mirëpritur veçanërisht për instilacionin e saj “Duke menduar për ty”.

Tek “Duke menduar për ty”, Alketa përdori një stadium futbolli në Kosovë si kanavacën e saj, ku ajo pikturoi me mijëra fustane të dhuruara në një homazh të fuqishëm të të mbijetuarave të dhunës seksuale, më synimin për të ngacmuar heshtjen që rrethon përdhunimet gjatë luftës. Presidentja asokohe e Kosovës, Jahjaga ishte e para që dhuroi një fustan, duke lëvduar solidaritetin dhe mbështetjen që vepra artistike gjeneroi për gratë.

Në një tjetër vepër, titullohet “Refugjatë Mirëserdhët!”

“ Ashtu edhe Refugjatë Mirëserdhët është një dritare në Britaninë mikpritëse që unë mbaj mend – një hapësirë e sigurt ku njerëzit nga të gjithë sfondet mund të hynin, të uleshin e të ndanin një histori.

“Praktika imë e artit prek çështje, luftëra, frikëra dhe të vërtetën e shoqërisë që jeton brenda... qëllimi i tij është frymëzimi i komunitetit për të bërë diçka rreth saj, qoftë të përballet me të, të pajtohet apo ta kapërcejë.

Përpara instalacionit “Edhe muret kanë veshë, Mripa paraqiti në Bienalen Autostrada në Kosovë instalacionin “Ujëvarat” , ndërsa bienalja titullohej “E ardhmja e kufijve”

...Në qendër të një dhome të mbyllur brenda stacionit të autobusëve të Prizrenit, ka një tavolinë bilardoje e cila nga  simbol për argëtim shndërrohet në një platformë nga e cila gratë protestojnë. Bilardoja është një lojë e sunduar nga meshkujt ku ata kanë stekat në dorë për të kontrolluar dhe goditur topat në “drejtimin e duhur”. Ka një aludim ndaj faktit se burrat marrin vendim në shoqërinë bashkëkohore. Ata godasin topat në tek xhepat, shënojnë pikë kundër njëri-tjetrit, ata marrin në duar vendim për të ardhmen e burrave, grave dhe të së gjithë shoqërisë. Kjo vepër siç citon Historiani i artit Penesta Dika, “është gjithaq një protestë kundër vendimmarrësve meshkuj, të cilët “luajnë lojëra” me jetët njerëzore.”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë