Gazeta Si – Një aksident me makinën tip “BMW” dhe mbajtja e skafandrës në kokë gjatë tentativës për t’u larguar nga vendi i ngjarjes pas masakrës në Shkodër, ka tërhequr vëmendjen e policisë për të gjurmuar dhe arrestuar Ragip Gilën.
29-vjeçari, autori i dyshuar i atentatit në një lokal pranë bashkisë me 2 të vrarë dhe dy të plagosur, u aksidentua në dalje të qytetit gjatë tentativës për t’i shpëtuar policisë.
Fillimisht, ai kishte përdorur një motor para se të qëllonte shënjestrën e tij, ku në kokë mbante një skafandër për t’u maskuar.

Pastaj braktisi motomjetin dhe pasi përshkoi 300 metra në këmbë, hipi në një makinë tip “BMW”, duke i vënë armën në kokë drejtuesit të makinës.
Me makinën e grabitur dhe skafandër në kokë brenda automjetit, ka tentuar që të largohet derisa ka bërë një aksident në zonën e Serreqit.
Ka qenë pikërish skafandra që mbante në kokë, teksa ende drejtonte makinën ajo që e “tradhëtoi” Gilën, duke tërhequr vëmendjen e policisë.
I ndjekur nga efektivët, i riu braktisi automjetin dhe tentoi të largohej në këmbë drejt lumit Kir, por u kap nga forcat e Njësisë Speciale “Shqiponja”. Gjatë operacionit i është sekuestruar arma me të cilën kreu masakrën.
Rakip Gila në vitin 2023 ishte arrestuar në kuadër të operacionit policor të koduar “Imazhi fals”, pasi banesa e tij ishte kthyer në një bazë të armatosur me mjete të përdorura zakonisht nga grupet kriminale.
Gjatë këtij operacioni policia sekuestroi 7 jelekë anti-plumb, 2 palë doreza, 3 maska, 2 paruke, municion luftarak, një kokore metalike, një armë gjahu dhe sende të tjera të kundërligjshme.
Për këtë rast, Gila u procedua për disa vepra penale, përfshirë “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit” si dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive”.
Sakaq në atentatin e përgjakshëm mbetën të vrarë Armando Pali dhe Liridon Kraja, ndërsa u plagosën Erogen Vaso (vëllai i Denis Brajoviç) si dhe një kameriere që punonte në lokalin ku ishin ulur tre personat e mësipërm, 25-vjeçarja Meri Kaceri.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)


