Gazeta Si - Reshjet e dendura të shiut gjatë mesnatës në veri të vendit, kanë shkaktuar problematika në disa zona.
Prurjet e larta të lumit Fan dhe Mat dëmtuan më shumë Urën e Zogut në Milot.
Struktura e urës pësoi dëmtime jo vetëm në këmbët e saj, por edhe në pjesën e harqeve, ku rrezikon të shembet.
Lumi Mat mëngjesin e sotëm ka mbërritur në pikën kritike, ku rrezikohen të çahet argjinatura duke rrezikuar shumë banesa në Tale.
Ura e Zogut është monument kulture dhe shpesh herë janë ngritur peticione për restaurimin e saj, por nuk u mor asnjë masë duke përfunduar deri në dëmtimin e plotë të strukturës së saj në këmbët e urës dhe pjesën e harqeve.
Ndërkohë, reshjet e shumta të shiut në qarkun Dibër, kanë shkaktuar probleme në lëvizjen e mjeteve në rrugën e Arbrit.
Konkretisht nga ura që lidh dy lagjet e Bulqizës e në drejtim të qafës Buallit ka probleme me qarkullimin.
Deri tani nuk është marrë asnjë masë për të hapur kanalin anësor që të largohet prezenca e ujit nga trupi i rrugës.
Sa herë ka reshje shirash kjo pjesë e rrugës përmbytet për shkak të mosfunksionimit të kanaleve kulluese anësore.
Mbrëmjen e kaluar uji në rrugë ka arritur në një lartësi të konsiderueshme duke penguar qarkullimin e automjeteve, por edhe të këmbësorëve.
Sakaq, rënie gurësh ka pasur edhe në segmentin Bulqizë-Maqellarë të rrugës së Arbrit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.