Gazeta Si - Në aksin nacional Elbasan-Librazhd, në vendin e quajtur “Çezma e Myftarit-Kthesa e Murrashit”, ka pasur rrëshqitje masive gurësh dhe inertesh gjatë natës.
Stuhitë e shiut që ranë deri në mesnatën e kaluar bënë që nga malet aty pranë të shkëputin masivë të mëdhenj gurësh dhe masash shkëmbore, duke bllokuar përkohësisht qarkullimin e automjeteve.
Nuk raportohen dëme në njerëz, por mjetet kanë pësuar dëmtime të ndryshme, kryesisht në goma për shkak të gurëve.
Për zhbllokimin e rrugëve janë angazhuar vetë drejtuesit e automjeteve deri në mbërritjen e kompanisë që mirëmban këtë aks rrugor.
Gjatë natës, deri në orët e para të mëngjesit është punuar për largimin e gurëve dhe mbajtjen hapur të këtij aksi të rëndësishëm kombëtar.
Më herët, edhe qyteti i Librazhdit u përfshi nga rrebeshe të mëdha shiu, duke shkaktuar përmbytje dhe dëme në njësi tregtare.
Reshje të dendura shiu në Bulqizë
Ndërkohë, edhe në Bulqizë ka pasur reshje të dendura të shiut. Sipas informacioneve, është bllokuar rruga që lidh Lagjen e vjetër me Lagjen e Re, ndërsa janë dëmtuar disa makina.
Shkak i bllokimit të rrugës kanë qenë prurjet e mëdha të përrenjve që shkarkojnë në kanalin kryesor si dhe bllokim i pusetave, për shkak të reshjeve të dendura.
Si pasojë e bllokimit të rrugës banorët e kanë pasur të pamundur të lëvizin në këtë segment por jo vetëm, nga niveli i lartë i ujit që vërshon në rrugë janë dëmtuar disa automjete.
Banorët dhe drejtues të mjeteve shprehen se bllokimi i këtij segmenti rrugor ndodh shpesh herë dhe se duhet një ndërhyrje në pastrimin e kanalit kryesor, pasi në të ka shumë inerte duke bllokuar edhe lëvizjen e ujit.
Për shkak të reshjeve në rrugën e Arbrit ka pasur edhe rrëshqitje të gurëve në rrugë duke rrezikuar drejtuesit e automjeteve.
Reshje bore në zonal malore të Shkodrës
Sakaq, reshjet e borës vazhdojnë në Shkodër, por këtë të mërkurë paraqiten më pak probleme. Në akset Bogë-Theth dhe Tamarë-Vermosh gjate natës ka pasur reshje shiu, që më pas gjatë mëngjesit janë kthyer në reshje bore. Ndërkohë, po punohet për pastrimin e borës dhe rrugët janë të hapura për qarkullim.
Në aksin Hani i Hotit-Tamarë vazhdojnë reshjet të dendura të shiut. Ndërkohë, në Kelmend ka ndërprerje të energjisë, për shkak të motit të keq.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.