Sociale

Moti i keq, dhjetëra fshatra në Qarkun e Korçës pa energji elektrike

Gazeta Si - Prej orëve të para të mëngjesit të kësaj të hëne është ndërprerë furrnizmi me energji elektrike për shkak të shiut dhe erës së fortë në 17 fshatra të Njësisë Administrative Lozhan të Bashkisë Maliq.

Pa energji kanë mbetur edhe 5 fshatra në Njësinë Administrative Pojan të Bashkisë Maliq. Në Pogradec janë pa energji për shkak të motit 12 fshatra të thellë malore në Njesine Administrative Proptisht.

Në Bashkinë e Devollit janë 3 fshatra pa energji dhe në atë të Kolonjës 2 fshatra, po ashtu ne zonat malore. Ekipet e OSHEE janë në terren për riparimin e defekteve në zonat ku mungon energjia prej disa orësh.

Edhe në Bruna, për shkak të motit të keq disa fshatra të Prrenjasit janë pa energji elektrike. Pjesa e Qukësit dhe fshatrat rrotull janë zgjuar pa drita.

Po ashtu, pa energji është edhe pjesa e Mokrës, pjesë e bashkisë së Pogradecit, por furnizohet nga OSHEE qarku Elbasan.

Në mesditë moti u përkeqësua edhe në Elbasan. Për disa minuta qyteti u përfshi nga një stuhi breshëri.

Reshjet e shiut që në disa qarqe si Korçë, Shkodër, Kukës, Dibër, Lezhë dhe Elbasan do të jenë intensive pritet të zgjasin deri të martën. Në mesjavë meteorologët parashikojnë përmirësim të motit dhe ngritje të temperaturave.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë