Shqipëria është përfshirë nga një mot i ftohtë, që është shqoëruar me reshje shiu dhe reshje bore në verilindje dhe juglindje të vendit.
Reshjet e borës kanë mbuluar Korçën, Dibrën dhe Kukësin.
Mësohet se reshjet me intensitet më të lartë dhe të shoqëruara me erë të fortë janë në zonat malore si Qafa e Qarrit që lidh Korçën me Ersekën, fshati turistik i Dardhës dhe ai i Voskopojës. Në Dardhë trashësia e borës varion nga 10- 15 cm, ndërsa në Qafën e Qarrit dhe Voskopojë nga 2-10 cm.
Qarkullimi i mjeteve është pa probleme në të gjitha akset, lëvizja bëhet pa zinxhirë, por përjashtim bën vetëm km 5 deri në km 13, në fshatin Dardhë ku për mjetet e vogla rekomandohet përdorimi i zinxhirëve.Firmat kontraktore janë duke punuar për pastrimin dhe mirëmbajtjen e rrugëve.
Edhe Qarku i Dibrës është përfshirë nga reshjet e borës. Në Bulqizë trashësia e borës ka shkuar në 10 cm ndërsa në njësitë administrative Martanesh,Ostren,Trebisht,Zerqan,Fushë-Bulqizë,Shupenzë trashësia shkon nga 15 cm deri në 30 cm,ku dhe kalimi në njësit administrative bëhet me zinxhirë.
Po ashtu zona problematike në Peshkopi janë Lura, Kalaja e Dodës dhe Arras.
Megjithatë Peshkopi, Bulqizë, Burrel kalohet pa zinxhirë. Gjithashtu, qark problematik është ai i Kukësit, ku fshatrat e thella janë mbuluar nga bora dhe ka mungesë të energjisë elektrike.
Po ashtu edhe zona malore e Bashkisë së Librazhdit, Gramshit, Elbasanit dhe Përrenjasit është zbardhur nga dëbora.
Moti i keq që ka përfshirë vendin gjatë orëve të fundit ka shkaktuar edhe probleme të shumta në furnizimin me energji elektrike në qarkun e Korçës dhe Pogradecit dhe Kukësit.
Ndërkohë, Autoriteti Rrugor Shqiptar me anë të një njoftimi mbi gjendjen e akseve thotë se qarkullimi i mjeteve në të gjitha akset kryhet pa zinxhirë.
Sipas ARRSH, të gjithë kontraktorët janë në terren me mjete e punëtorë për pastrimin e akseve rrugore dhe monitorimin e situatës rast të përkeqësimit të motit.
Ndër të tjera, ARRSH u bën apel drejtuesve të mjeteve të tregohen të kujdesshëm gjatë qarkullimit, sidomos gjatë orëve të para të mëngjesit dhe përgjatë natës, të reduktojnë shpejtësinë, të pajisen me goma dimërore dhe zinxhir dhe të respektojnë sinjalistikën.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
















