Njerez

Moszbatim i ligjit të vitit 2016 / Shqiptaret që duan të punojnë vullnetarë s’kanë kontribute shoqërore dhe as certifikatë

Qytetarët shqiptarë që vendosin të kryejnë një punë vullnetare nuk marrin një certifikatë që vërteton këtë gjë. Edhe pse ligji i vullnetarizmit është miratuar që prek viti 2016 në Këshillin e Ministrave përsëri ka një ngërç në mos zbatimin e tij. Nisur nga kjo problematikë deputetet u mblodhën të Hënën në Komisionin për Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë për të diskutuar këtë ngërç.
Sipas Albin Gegut drejtor i politikave të punësimit në Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë, problematika qëndron në mos hartimin e duhur të ligjit i cili nuk parashikon “që vitet e vullnetarizmit nuk llogariten si kontribute shoqërore”
“Ofruesi i vullnetarizmit detyrohet të sigurojë vullnetarin në rast të aksidenteve apo sëmundjeve që ndodhin gjatë kohëzgjatjes së kontratës së vullnetarizmit, kur këto lidhen në mënyrë të drejtpërdrejtë me vullnetarizmin e kryer”, thuhet në Ligjin për Vullnetarizmin por problemi qëndron se ligji nuk parashikon se vullnetarët duhet të kenë kontribute shoqërore.

Ndërkaq, në një studim kombëtar të vitit të shkuar me mbështetje të “LëvizAlbania”,një projekt i Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim,SDC ka treguar se dëshira e qytetarëve për vullnetarizmin nuk mungon por mungon asistenca ligjore.

Nga rreth 1100 njerëz të pyetur që nga mosha 15-65 vjeç rezulton se pjesa më e madhe (77%) besojnë se kontributi vullnetar në Shqipëri është shumë i nevojshëm. Sipas të dhënave të studimit pjesa më e madhe e të anketuarve (87%) nuk janë në dijenitë ekzistencës
së librezës së vullnetarit dhe një pjesë e konsiderueshme (2/3) nuk kanë informacion as për Ligjin mbi Vullnetarizmin. Gjithashtu, mungesa e informacionit mbi ligjin dhe librezën është shumë evident edhe tek ofruesit e vullnetarizmit.

Lidhur me këtë problematikë deputetët gjatë mbledhjes në Komision evidentuan se deri më tani nuk kemi dhe një regjistër ose minimalisht disa statistika se sa certifikata vullnetarizmi janë lëshuar që prej miratimit të këtij ligji.
Megjithatë, studimi tregoi se tendenca për kontribut vullnetar janë në rritje, rreth 68% e qytetarëve duan të japin kontributin e tyre vullnetar, ndonëse për një periudhë relativisht të shkurtër kohore.

Sipas përgjigjeve të anketuesve disa nga target-grupet më të përzgjedhura të cilët do të dëshironin të jepnin kontributin vullnetar, nga pjesëmarrësit në studim ishin banorët e komunitetit/lagjes, fëmijët dhe të rinjtë, minoritetet, persona në vështirësi ekonomike dhe të moshuarit. Nga të dhënat vihet re tendenca dhe interesi i vullnetarëve që duan të ofrojnë shërbimin dhe kontributin e tyre është më i lartë në komunitet (46.7%), duke vijuar me preferencat në shkolla (25.2%) dhe së treti në qendrat rinore dhe sociale me 11.8%.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë