Menaxhim

Mos monopolizoni Inteligjencën Artificiale!

Nga Marietje Schaake* – Javën e shkuar, gazeta “The Wall Street  Journal” raportoi se shefit ekzekutiv të OpenAi, Sam Altman i duhen 7 trilionë dollarë fonde për të riformuar industrinë globale të gjysmëpërçuesve për të fuqizuar inteligjencën artificiale. Fakti që një kompani e vetme kërkon një financim më të madh se e gjithë PBB-ja e Kinës tregon se sa i përqendruar është tregu i Inteligjencës Artificiale, AI.

Nga zbulimet mjekësore, ndërhyrjet në zgjedhjet elektorale, ndryshimet klimatike etj, AI është shumë e rëndësishme për tu monopolizuar.

Por tregu po ecën pikërisht në atë drejtim, duke e monopolizuar atë në duart e një kompanie të vetme. Kërkuesit dhe bizneset e vogla e të mesme, po rrezikohen përsëri nga varësia ndaj kompanive Big Tech ose do të humbasin mundësinë e valës së re të inovacionit.

Në të dyja anët e Atlantikut, po bëhen investime të mëdha publike në përpjekje për t’u fuqizuar më tej në këtë fushë. Për tu siguruar se shkencëtarët kanë akses në të njëjtat kapacitete si ato të Silicon Vallet, qeveria e SHBA krijoi Burimin Kombëtar të Kërkimit të AI.

BE-ja ka krijuar një rrjet të pavarur superkompjuterash, EuroHPC. Kjo nismë duket e nënvlerësuar deri më tani. Siç tha presidentja e Komisionit Europian Ursula von der Leyen në fund të vitit të kaluar: ne duhet ta përdorim këtë fuqi. BE-ja tani imagjinon se aksesi i demokratizuar i superkompjuterëve mund të ndihmojë gjithashtu në krijimin e “fabrikave të AI”, ku bizneset e vogla bashkojnë burimet e tyre për të zhvilluar modele të reja të fundit.

Ka kohë që flitet për konsiderimin e aksesit në internet si një shërbim publik, për shkak të rëndësisë së tij për arsimimin, punësimin dhe marrjen e informacionit. Megjithatë, rregullat për këtë qëllim nuk u miratuan kurrë. Por me zhbllokimin e kësaj teknologjie si një e mirë e përbashkët, SHBA dhe BE po tregojnë vullnet të vërtetë për të bërë investime në infrastrukturën digjitale publike.

Edhe nëse masat e fundit shihen si politikë industriale me një xhaketë të re, ato janë pjesë e një hapi të vonuar për të formuar tregun digjital dhe për të kompensuar fuqinë e madhe të kompanive të mëdha të teknologjisë në qoshe të ndryshme të shoqërive tona.

Këto qeveri kanë marrë vendimin e duhur duke zgjeruar aksesin në burimet bazë llogaritëse, por investime të tilla janë vetëm faza e parë dhe duhet të punojnë së bashku me ndërhyrjet legjislative dhe rregullatore.

Mbikëqyrësit e mosdiskriminimit kanë plot raste se si aplikacionet e AI shfaqin paragjykim dhe diskriminim. Në mënyrë të ngjashme, investimet publike të AI janë plotësuese të politikave që synojnë të parandalojnë që monopolet e tregut të bëhen gjithashtu monopole të dijes. Ndërsa BE-ja ishte e zgjuar për të koduar aksesin në të dhëna për akademikët në Aktin e Shërbimeve Digjitale që përcakton përgjegjësitë e kompanive të platformës, ajo nuk i ka përfshirë në mënyrë eksplicite dispozita të tilla në Aktin e AI. Kompanive u kërkohet të raportojnë përdorimin e energjisë dhe hyrjet e të dhënave, për shembull, por sekreti tregtar do të respektohet, duke lejuar paqartësi të konsiderueshme në detajet kryesore.

Në vazhdim, investimet në infrastrukturën publike digjitale duhet të rriten — dhe fondet shtetërore duhet të devijohen nga Big Tech, edhe nëse janë për projekte me funksion publik. Në vitin 2022, qeveria amerikane investoi 3.3 miliardë dollarë në AI, një shumë e konsiderueshme, por asgjë në krahasim me dhjetëra miliarda të investuara çdo vit nga industria ose trilionat e kërkuara nga Altman.

Parandalimi i monopoleve të AI është pjesë e një klime të shëndetshme inovacioni dhe është gjithnjë e më kritike për një kuptim më të mirë publik të teknologjisë. Në këtë rast, këto synime mbivendosen. Historikisht, kërkimi akademik ka qenë gjenezë e shumë inovacioneve të vlefshme. Ai ekosistem nuk duhet të vdesë.

*Marietje Schaake ka qenë anëtare e Parlamentit Europian.

Burimi: Financial Times/ Përshtati: Gazetasi.al


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë