Edhe drita e zbehtë mund të prishë gjumin, duke rritur rrezikun e problemeve serioze shëndetësore tek të moshuarit, zbuloi një studim i ri.
“Ekspozimi ndaj çdo sasie drite gjatë periudhës së gjumit ishte i lidhur me prevalencën më të lartë të diabetit, obezitetit dhe hipertensionit si te burrat ashtu edhe te gratë e moshuara”, tha Phyllis Zee, shef i mjekësisë së gjumit në Shkollën e Mjekësisë Feinberg të Universitetit Northwestern në Çikago.
Sipas tij njerëzit duhet të bëjnë çmos për të shmangur ose minimizuar sasinë e dritës gjatë gjumit.
Një studim i publikuar në fillim të këtij viti nga Zee dhe ekipi i saj ekzaminoi rolin e dritës në gjumë për të rriturit e shëndetshëm në të 20-at e tyre.
Fjetja vetëm për një natë me një dritë të zbehtë, si për shembull një televizor me zërin e fikur, rriti sheqerin në gjak dhe rrahjet e zemrës.
Rritja e rrahjeve të zemrës gjatë natës është treguar në studimet e mëparshme si një faktor rreziku për sëmundjet e zemrës në të ardhmen dhe vdekjen e hershme.
Studimi i ri, i botuar të mërkurën në revistën “Sleep”, u fokusua tek të moshuarit.
“Studimi fokusohet tek ata, sepse janë në rrezik më të lartë për diabetin dhe sëmundjet kardiovaskulare”, tha bashkautori Minjee Kim, një profesor i neurologjisë në Shkollën e Mjekësisë Feinberg të Universitetit Northwestern.

Në vend që të tërhiqte njerëzit në një laborator gjumi, studimi i ri përdori një mjedis të botës reale. Studiuesit u dhanë 552 burrave dhe grave midis moshës 63 dhe 84 vjeç një aktigraf, një pajisje e vogël si një orë dore që mat ciklet e gjumit, lëvizjen mesatare dhe ekspozimin ndaj dritës.
“Po matim sasinë e dritës së cilës personi i ekspozohet me një sensor në trupin e tij dhe e krahasojmë atë me aktivitetin e gjumit dhe zgjimit gjatë një periudhe 24-orëshe”, tha Zee.
Zee dhe ekipi i saj thanë se ishin të befasuar kur zbuluan se më pak se gjysma e burrave dhe grave në studim flinin vazhdimisht në errësirë totale.
“Më shumë se 53% kishin pak dritë gjatë natës në dhomë. Në një analizë dytësore, ne zbuluam se ata që kishin sasi më të larta drite gjatë natës kishin gjithashtu më shumë gjasa të kishin diabet, obezitet ose hipertension”,tha Zee.
Çfarë duhet bërë?
Strategjitë për reduktimin e niveleve të dritës gjatë natës përfshijnë pozicionimin e shtratit larg dritareve. Mos i karikoni laptopët dhe celularët në dhomën tuaj të gjumit. Sepse drita blu e tyre mund të prishë gjumin tuaj. Nëse nuk mund ta shmangni dritën mbani një maskë gjumi për të mbrojtur sytë tuaj.
Burimi: CNN/ Përshtati: Gazeta “Si”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




