Nga Gazeta Si- Në Manama, kryeqytetin e Bahreinit është duke u mbajtur Botërori i Peshëngritjes, ku pjesë e garës janë edhe sportistë nga Shqipëria. Ditën e djeshme garoi Briken Calja që ia doli të ngrinte 153 kilogramë në stilin e shkëputjes, duke zënë vendin e katërt në botë.
Kampioni shqiptar nuk mundi të çonte lart asnjë nga tre tentativat për 183 kilogramë në shtytje, duke mos u futur në zonën e medaljes për pak. Pas garës ai ka reaguar në rrjetin social Facebook duke iu kthyer një përgjigje të gjithë atyre që e quajnë vendin e katërt në shkëputje një dështim.
"Është e trishtë të shohësh që përpjekja dhe djersa e një sportisti minimizohen kaq lehtë nga disa persona. Vendi i 4-t në botë në shkëputje është rezultat i një pune të palodhur, sakrificave të pafundme dhe pasionit për sportin. Le të mos harrojmë se bota numëron 8 miliardë njerëz dhe të jesh mes më të mirëve nuk është kurrë dështim. Për ata që e quajnë këtë një dështim, ju ftoj të ecni në rrugën time qoftë edhe për një ditë. Kritikat dashakeqe nuk më ndalin, vetëm më japin forcë për të shkuar më lart", shkroi Calja pas garës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.