Pas më shumë se një viti nga vrasja e vëllezërve Besmir dhe Viktor Haxhia në Durrës, policia ka arrestuar edhe dy persona të tjerë si të dyshuar në ngjarje.
Në pranga kanë rënë Besian Xhixha, 30 vjeç, banues në Larushk të Krujës dhe Enver Diva, 42 vjeç, banues në Fushë Mamurras në Kurbin. Sipas dëshmisë së Klevis Allës, dy të dyshuarit janë kontaktuar nga Nuredin Dumani për të realizuar vrasjen.
Dumani së bashku me të shumëkërkuarin Talo Çela si dhe Altin Ndocin janë nën akuzë nga SPAK për vrasjen e vëllezërve me origjinë nga Puka. Mësohet se Xhixha dhe Diva kanë parë vendin dhe kanë studiuar territorin për të kryer vrasjen e dy vëllezërve.
Sipas informacioneve në rrugë jo zyrtare, ata kanë rënë dakord që të kryejnë vrasjen me pagesë. Por njëri prej tyre, Enver Diva u infektua me Covid 19 dhe në këtë mënyrë nuk arriti të jetë gjatë atentatit.
Besian Xhixha dhe Enver Diva janë vënë nën akuzë për sigurim të kushteve dhe mjeteve për të kryer vrasje. Të dy janë persona me precedentë të mëparshëm penalë dhe të dënuar nga drejtësia.
Xhixha është dënuar për pengmarrje për një ngjarje të ndodhur në vitin 2013, ndërsa Diva për akuzën e vjedhjes me armë dhe mbajtjes pa leje të armëve të zjarrit. Ata janë njohur në burgun e Shënkollit në Lezhë gjatë kohës së vuajtjes së dënimit.
Ndërkohë, vrasja e vëllezërve Besmir dhe Viktor Haxhia ndodhi më 27 prill të një viti më parë, rreth orës 16:40 te tregu i makinave, në qytetin bregdetar të Durrësit. Ata u qëlluan teksa po lëviznin me makinën e tyre tip “Golf” ku u gjetën të pajetë brenda mjetit të tyre.
Deri tani, në pranga për vrasjen e dy vëllezërve Haxhia janë vënë 22-vjeçari Klevis Alla si dhe Altin Ndoci të akuzuar si autorë të dyshuar të vrasjes së dy vëllezërve.
Klevis Alla cilësinë e bashkëpunëtorit të prokurorisë dhe policisë, ka treguar se së bashku me Talo Çelën, Nuredin Dumanin dhe Altin Ndocin, kanë ekzekutuar me armë zjarri, vëllezërit Haxhia në Durrës.
Alla, veç dëshmisë të vendit ku ishin fshehur armët, ka treguar dhe pozicionin dhe veprimet kriminale që kishin kryer të gjithë pjesëmarrësit. Ndërkohë, në kërkim janë shpallur Talo Çela dhe Nurdein Dumani.
Në dëshminë e tij, Klevis Alla, tregon se shkak i motivit të vrasjes beson se është bërë një shumë parash, që Talo Çela e kishte grabitur në ngjarjen e famshme të Rinasit.
Kjo sasi lekësh e papërcaktuar nga dëshmitari Alla, ishte lënë për ruajtje nga Talo Çela në servisin e dy vëllezërve Haxhia, por më pas sasia e lekëve ishte zhdukur.
Si u zbulua grupi rastësisht!
Hetimet kanë nisur një vit më parë, kur policia mori një denoncim nga ish-drejtori i Policisë së Beratit, Shkëlqim Kokonozi për djegien e dy makinave.
Më 6 prill të këtij viti, në rrugën “Ndre Mjeda” u përfshinë nga flakët dy automjete, njëri prej të cilave ishte e Kokonozit. Me dyshimin se bëhej fjalë për zjarrvënie të qëllimshme, policia nisi procedimin për rastin dhe u hapën kamerat në zonë.
Nga pamjet filmike u zbuluan edhe dy djemtë që merreshin me shpërndarjen e drogës, kurse zjarri në automjet rezultoi të ishte aksidental.
Të përfshirët në këtë rast ishin Deivid Shuaipi dhe Arnaldo Çiçaj. Më tej, policia e shtriu hetimin edhe për prodhimin e shitjen e narkotikëve kur u zbuluan edhe personat e tjerë të përfshirë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.