Nga Gazeta “SI”– Në hyrje të qytetit të Roskovecit bie menjëherë në sy një monument i pazakontë: një vajzë me një bucelë mbi kokë, e veshur me një fustan të gjatë që derdhet mbi këmbët e saj, dhe me gjinjtë e ekspozuar. Në pamje të parë, kjo statujë duket se mishëron anën femërore dhe sensuale të gruas në përgjithësi, por sapo afrohesh e lexon mbishkrimin në bazament “Vajza myzeqare” kuptimi i saj merr një tjetër dimension.
Vetvetiu krijohet ideja se ky monument, i konceptuar si përfaqësim i gruas myzeqare, përmbledh elemente moderne të ndërthurura me forma klasike nga fiziku thuajse perfekt, te ekspozimi i gjinjve. Duke pasur parasysh artin e antikitetit , ky detaj është i zakonshëm, por fakti që vendoset në hyrje të një qyteti të vogël si Roskoveci, ngre pikëpyetje dhe kureshtje për mënyrën se si ky element i trupit të zbuluar është përdorur për të përfaqësuar pjellorinë dhe jetën siç thotë skulptori Kasemi, një simbolikë që transmetohet nga gruaja te fëmija, nga trupi te jeta.

Një monument për emancipimin
Kryetarja e Bashkisë së Roskovecit, Majlinda Bufi, rrëfen për GazetaSi.al se ekspozimi i gjinjve te “Vajza myzeqare” ishte një surprizë edhe për të. Një ndryshim që nuk ishte në versionin fillestar të skulpturës.
“E kisha parë skulpturën në bocet, dhe vajza ishte e mbuluar, me veshjen karakteristike të zonës. Por në bronzim, skulptori Hilmi Kasemi e kishte ndryshuar. Më njoftoi vetëm pak momente para inaugurimit të bustit,” tregon ajo.
Bufi e pranon se në fillim pati stepje dhe një lloj frike se si do të reagonin banorët. Por, me shpjegimet e skulptorit, u bind se ky element i jepte hijeshi dhe kuptim të plotë monumentit.
“Vetëm pak minuta para inaugurimit, më thërret skulptori dhe më thotë se janë bërë disa ndryshime. Më tregon fotografinë dhe kur pashë versionin me gjinjtë e ekspozuar, u stepa. E imagjinova menjëherë valën e reagimeve. I thashë: ‘Mos, çfarë na ke bërë kështu?’” – rrëfen ajo për Gazetasi.al

Fillimisht pati pakënaqësi dhe akuza nga qytetarë të ndryshëm, që e shihnin statujën si përfaqësim të shthurjes, pa lidhje me identitetin e vajzës myzeqare. Por sot, monumenti është pranuar gjerësisht dhe është kthyer në simbol të qytetit.
“Në fillim më shkruanin mesazhe, më kritikonin në komente se nuk përfaqësonte vajzën myzeqare. Por me kalimin e viteve, njerëzit udhëtuan, panë Europën, panë botën, dhe e kuptuan se në këtë monument nuk ka asgjë të pahijshme. Ai përfaqëson bukurinë fizike, karakterin punëtor dhe pjellorinë e gruas myzeqare. Fundja, gruaja është simbol i jetës,” përfundon Majlinda Bufi.

Monumentet që bëhen simbole
Tashmë në Roskovec, “Vajza myzeqare” nuk është më “e vetme”. Në hyrjen jugore të qytetit është vendosur një tjetër monument: statuja e titulluar “Tregtari – Pazari i Roskovecit”, ndërtuar në vitin 2019. Edhe kjo vepër është realizuar nga skulptori Hilmi Kasëmi.
Monumenti është një skulpturë në bronx që simbolizon pazarin e Roskovecit – një hapësirë që ka shërbyer ndër vite jo vetëm për shkëmbimin e mallrave, por edhe të dijes, informacionit dhe marrëdhënieve njerëzore. Në këtë vend janë krijuar njohje të reja, janë formuar çifte, dhe është trashëguar tradita brez pas brezi.

Dy monumentet së bashku “Vajza myzeqare” dhe “Tregtari i Roskovecit ” po e kthejnë praninë e artit publik në Roskovec në një atraksion estetik dhe qytetar, një mënyrë për të treguar identitetin nëpërmjet formës artistike dhe për të ndezur reflektim e debat mbi mënyrat e përfaqësimit kulturor në hapësira publike.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.