Gazeta Si – Prej më shumë se 4 orësh, deputetja e Partisë së Lirisë, Monika Kryemadhi ka qëndruar këtë të mërkurë në SPAK. Ajo ka dalë prej andej pas orës 15.00. Ndërsa nuk dihet ende zyrtarisht arsyeja e thirrjes së saj, supas burimeve, mësohet se ajo u paraqit në cilësinë e personit që ka dijeni nga prokurori, i cili ka në dorë një dosje sa i takon pasurisë së çiftit Meta-Kryemadhi.
“U dhashë përgjigje të gjitha pyetjeve. Ballafaquam gjërat që kanë të bëjnë me akuzat që kanë ngritur. Besoj se e ezauruam aspektin e pyetjeve dhe përgjigjeve. E lexova me vëmendje dhe e firmosa me vetëdije të plotë, duke marrë të gjitha përgjegjësitë”, tha Kryemadhi pas daljes nga SPAK.
“Lobimi, hetimi pasuror dhe operacionet plastike janë në një çështje. Dua të them që nuk kam bërë ndërhyrje estetike. Cdo gruan që mirëmbahet dhe që kërkon korrekte me imazhin e saj, nuk është ndërhyrje estetike. Ndërhyrje estetike do të thotë të ndryshosh shumë gjëra. Botox kam bërë si të gjitha gratë”, u shpreh ajo.
Kryemadhi tha se ishte pyetur në cilësinë e personit në dijeni. Ndërsa lidhur me telefonin e saj që ende është i sekuestruar nga prokurorët, ajo u shpreh: “Le ta mbajnë se s’ka ndonjë gjë në celularin tim. Kam vetëm fjalë të bukura në celularin tim”.
Kjo është hera e dytë që deputetja thirret në SPAK. Më herët, ajo i është përgjigjur pyetjeve të prokurorëve të posaçëm dhe ka dorëzuar fakte të reja për inceneratorët.
Në dhjetor të vitit të kaluar, Monika Kryemadhi pranoi se ishte në hetim pasuror nga Prokuroria e Posaçme dhe tha se është e hapur të përballet me drejtësinë.
Ndërkohë më 11 prill 2024, SPAK mori në pyetje për gati 5 orë nënën e Monika Kryemadhit, Fatime Kryemadhi.
Burimet nga Prokuroria e Posaçme bënë me dije se ajo kishte dhënë sqarime në lidhje me pasurinë, ne kuadër të hetimit pasuror të nisur ndaj çiftit Meta që përfshinë edhe familjarët e afërt të tyre, pas kallëzimit për lobimin në SHBA.
Më herët, ndaj Kryemadhit është bërë një kallëzim nga një avokat me argumentin se mund të ketë fshehur burimin e të ardhurave pas disa ndërhyrjeve estetike jashtë vendit.
Në prill 2024, Gjykata e Lartë refuzoi kërkesën e deputetes së Partisë së Lirisë për kthimin e një aparati celular të sekuestruar nga SPAK pas disa kallëzimeve ndaj saj dhe personave të lidhur me të, përfshirë ish-presidentin Ilir Meta.
Kryemadhit para së gjithash i është sekuestruar celulari në funksion të hetimeve të SPAK në lidhje me lobimin e LSI-së (Partia e Lirisë) në SHBA.
Kryemadhi e kundërshtoi sekuestron fillimisht në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë, por u rrëzua. Të njëjtin fat pati dhe ankimimi në Apel, i cili e gjeti të drejtë sekuestrimin duke lënë në fuqi masën.
Pajisja e llojit “iPhone” i është sekuestruar një personi të afërt të Kryemadhit, ndërsa dyshohet nga SPAK se përdorej prej saj.
Një kolegj penal i përbërë nga gjyqtarët Ilir Panda, Albana Boksi dhe Medi Bici vendosi në Dhomë Këshillimi të mos pranojë rekursin e bërë nga Kryemadhi, duke lënë kështu në fuqi vendimin e Apelit të Posaçëm të 4 janarit 2024, që nuk liroi nga sekuestroja telefonin.
SPAK është duke hetuar në një dosje të vetme dy kallëzime të bëra ndaj bashkëshortëve Meta-Kryemadhi.
I pari është kallëzimi i ish-deputeti Halit Valteri, i cili ka pretenduar “korrupsion” e “fshehje pasurie”. Kallëzimi tjetër është bërë nga avokati Idajet Beqiri, i cili pretendon se bashkëshortët kanë kryer shpenzime të pajustifikuara në burime të ligjshme për shërbime estetike jashtë vendit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




