Gazeta Si – Përveç Sali Berishës, këtë të hënë ka qenë e pranishme në SPAK edhe deputetja Monika Kryemadhi me mamanë e saj, Fatime Kryemadhi.
Ato kanë zbatuar masën e “detyrimit me paraqitje”, pasi akuzohen për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie në dosjen ku është i përfshirë edhe ish-presidenti Ilir Meta, në burg prej disa muajsh.
Pas daljes prej andej, deputetja Kryemadhi ka deklaruar se nuk e ka uruar për Vitin e Ri bashkëshortin e saj, Ilir Meta, me të cilin është në proces divorci.
Kryemadhi u shpreh se “nuk kam si të uroj një njeri që nuk ka lidhje me mua”. Ndërsa theksoi se armiqtë e saj janë të gjithë ata që kanë shpifur ndaj deputetes.
Kryemadhi shtoi se tani e tutje nuk do të japë asnjë shpjegim para prokurorëve, por do të flasë vetëm në gjykatë.
“FIlluam lojën me kungullesha ne dhe prokurorët si 2 palë para gjykatës. Unë tashmë do të vazhdoj të njihem me fashikujt që janë sigurisht të domosdoshme dhe ndërkohë nga ana tjetër do të përballemi me ekspertizën që do të ndërtojë Prokuroria së bashku me ekspertizën finanicare që e kemi bërë edhe unë dhe mamaja ime. Është një procedurë e gjatë që kërkon durim dhe përfshirje të të gjitha palëve. Tashmë unë nuk flas para prokurorëve, por vetëm në gjykatë. Deklaratat e mia nuk bëhen në Prokurori, por vetëm në gjykatë”.
Për t’u pyetur në ambientet e Prokurorisë së Posaçme është paraqitur edhe nëna e deputetes, Fatime Kryemadhi.
Në fjalën e saj për mediat, ajo u shpreh se nuk ka dhënë asnjë deklaratë para prokurorëve të posaçëm, ndërsa shtoi se SPAK nuk merret me ata që vjedhin shtetin, por merren me një grua në moshë.
“Hetohem meqë jam person i paprekshëm unë… Për çfarë shpjegime të jap, se kam shtëpinë time. Jam 80 vjeçe, nuk kam të drejtë blej një shtëpi unë? Ju nuk keni shtëpi? Nuk merren me ato që shesin copat e shtetit e të popullit, por merren me një plakë. Më kanë futur person nën hetim për shtëpinë time”, tha ajo.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.