Jete & Stil

“Momfluencer”… Si nënat shqiptare po ndikohen nga “jeta e bukur” apo “ekspertët” e Instagramit

Ato pak foto që bënin dikur nënat me fëmijët e tyre më parë i mbanin vetë ose ua dërgonin familjarëve dhe shoqërisë së ngushtë.

Tani fotot e fëmijëve kanë një audiencë potenciale prej miliona personash. Nuk mund të ketë asgjë më ekspozuese sesa vendosja e fotografive në internet, dhe fotografia perfekte e paslindjes është bërë një “domosdoshmëri”.

Mediat sociale kanë transformuar mënyrën se si brezi i ri e sheh prindërimin, ashtu siç bënë revistat e grave dhe reklamat televizive për brezat e vjetër. Llogaritë e “Momfluencer” në Instagram janë duke u shtuar në masë. Shumica janë femra që shfaqen perfekte, me një jetë perfekte, me beba që duket se po bëjnë një jetë përrallash. Ato janë në rrjetet tona sociale edhe nëse nuk i ndjekim.

Postime të tjera udhëzojnë nënat e reja të ushqejnë fëmijët me gji me çdo kusht, premtojnë sekretin e humbjes së peshës pas lindjes ose thonë se mund të zgjidhin problemet e gjumit të foshnjave. Të gjitha këto janë kthyer në një shqetësim për nënat e reja në botë por edhe në vendin tonë.

Psikologe Aljona Jonuzi e cila shumë herë kryen seanca me grupe të ndryshme nënash për tema të caktuara, tregon për Gazetasi.al se nënat e reja në Shqipëri ndikohen jo vetëm nga “jetët e lumtura” të nënave që shohin në rrjete sociale por edhe nga pseudoekspertët që hapin faqe për prindërimin, edukimin dhe këshillimin.

“Janë shtuar në masë si njerëzit që promovojnë jetën perfekte pas lindjes por edhe njerëzit që japin informacione pa qenë të specializuar. Këto po i çorientojnë nënat”, thotë Jonuzi.

Jonuzi tregon se nënat përhumben me gjithë informacionet që janë vërdallë dhe nuk e dinë më kë të ndjekin.

Ajo thotë se e vetmja gjë që mund të bëjnë nënat e reja është që të kuptojnë se nuk ekzison prindërimi perfekt dhe për çdo problem që mund të kenë është e rëndësishme që të drejtohen te një specialist.

Duke parë këto trende, shumë nëna nëpër botë thonë se Instagrami ka qenë jashtëzakonisht shkatërrues për shëndetin e tyre mendor dhe në disa raste edhe për shëndetin e tyre fizik.

Shumë gra kanë treguar për britaniken “The Guardian” se kanë bërë gabimin më të madh duke krahasuar aftësitë motorikë të fëmijës me fëmijë të tjerë.

Hashtagu #krijojmëkujtime është kthyer në “shpëtimin” e nënave të cilat po gjejnë 10 minuta kohë për të qëndruar vetëm, qoftë duke u mbyllur në banjo apo në një dhomë.

Hashtagu duket se kërkon që nënat ta shijojnë këtë kohë të çmuar.

Të njëjtat gra kanë pohuar se pas lindjes kanë qëndruar me orë të zgjatura duke kërkuar në rrjetet sociale informacione për mëmësinë, duke uruar që të kishin jetën e nënave që shohin në internet ku fëmijët nuk i ndalojnë të bëjnë jetën e tyre.

Përveç mbajtjes së peshës së një foshnjeje, çdo nënë me një smartphone mbart me vete edhe të paktën një llogari “#jetët e bekuara të të tjerëve”, e cila shërben për të nxjerrë në pah, veçanërisht në një krizë të kostos së jetesës, ku prindërit po luftojnë për të ushqyer fëmijët e tyre, çfarë prindërit e rinj nuk kanë. Mund të jetë aq e vështirë për të kujtuar se është e gjitha false, ngaqë nuk i shohim kurrë fotografitë e dollapit plot me mbeturina apo fëmijën që qan edhe për diçka të pakuptimtë.

Shishja e qumështit formulë dhe ilaçet kundër depresionit në komodinë mbeten të fshehura, askush nuk po i regjistron orët pa gjumë, mungesën e gëzimit në një jetë të përbërë nga “momente” të kuruara.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë