Muzike

Momentet e paharrueshme nga MTV Video Music Awards 2025

Nga Gazeta “SI”- Çmimet MTV Video Music Awards u transmetuan për herë të parë në historinë e tyre 41-vjeçare në rrjetin CBS. Ky ndryshim, edhe pse ishte pjesë e një bashkëpunimi mes kanaleve nën ombrellën e Paramount Global, solli një kontrast interesant: një spektakël që prej dekadash ka qenë simbol i kulturës së të rinjve, tashmë në ekranin e transmetuesit me publikun më të vjetër në prime-time.

Ceremonia u drejtua nga një figurë e njohur për shikuesit, LL Cool J, i cili më parë kishte qenë prezantues i “Grammy”-ve në të njëjtin rrjet. Performancat e mbrëmjes mbartnin një frymë nostalgjie. Doja Cat hapi shfaqjen me një performancë që sillte në mendje Max Headroom, ndërsa yje të dikurshëm të epokës së “T.R.L.” në MTV morën çmime të veçanta. Ricky Martin u nderua me çmimin e parë Latin Icon Award, ndërsa Busta Rhymes mori çmimin e parë Rock the Bells Visionary Award.

Lady Gaga kryesonte me 12 nominime, mes dyshimeve nëse do të arrinte të shfaqej njëkohësisht në çmime, të mbajtura në UBS Arena në Long Island, dhe në koncertin e saj në Madison Square Garden po atë natë. Ndërkohë, Mariah Carey fitoi për herë të parë një statuetë “moon person”, përkrah performancave të yjeve të rinj si Tate McRae, Alex Warren, Megan Moroney dhe Yungblud, i cili bëri homazh për Ozzy Osbourne.

Ricky Martin

Doja Cat solli frymën e viteve ’80

Me flokët e krehura në stilin “bouffant”, Doja Cat dha që në tapetin e kuq shenjën e një rikthimi te estetika e viteve ’80. Albumi i saj i ardhshëm, Vie, është frymëzuar nga ajo periudhë. Ajo e nisi performancën me një mesazh video në stilin e Max Headroom, për të prezantuar këngën e saj të re “Jealous Type”.

Saksofonisti Kenny G hapi performancën, përpara se Doja Cat të kalonte në lëvizje energjike vallëzimi që kujtonin prodhimet e hershme të Janet Jackson.

Doja Cat

Mariah Carey dhe Busta Rhymes, më në fund të vlerësuar

Mariah Carey u ngjit në skenë mes dritave, prezantuar nga Ariana Grande si fituesja e Video Vanguard Award. Carey, në elementin e saj prej dive, e nisi me këngën “Sugar Sweet” nga albumi i ri Here For It All, e veshur me një mantel mëndafshi me pupla. Më pas, në një jumpsuit me shkëlqim, ajo performoi një medley që përfshinte hite si “It’s Like That” dhe “We Belong Together”, si dhe këngën e re “Type Dangerous”.

Në momentin e pranimit të çmimit, Carey me humor pyeti: “Çfarë po prisnit kaq gjatë?” Më pas, ajo fitoi edhe statuetën për R&B më të mirë, duke mposhtur SZA dhe The Weeknd.

Mariah Carey

Pas dekadash pa asnjë fitore, Busta Rhymes mori çmimin Rock the Bells Visionary Award për videot e tij novatore. “Nuk jam tip që mbaj fjalime të gjata,” tha ai, “por nëse më duhet të pres edhe 35 vite për një tjetër, atëherë do flas sa të dua.”

Ariana Grande

Sabrina Carpenter me një mesazh për diversitetin

Një javë pas publikimit të albumit Man’s Best Friend, Sabrina Carpenter performoi “Tears” e shoqëruar nga yje të RuPaul’s Drag Race. Performanca solli në skenë një Nju Jork të viteve ’80, mes valltarëve të veshur si policë dhe pankartave me mesazhe si “Support Local Drag” dhe “Protect Trans Rights”. Më vonë, albumi i saj Short n’ Sweet u shpall albumi më i mirë.

Tate McRae ndezi skenën me vallëzim

Në debutimin e saj në skenën kryesore të V.M.A.-ve, Tate McRae performoi “Revolving Door” dhe “Sports Car” nga albumi So Close to What. Me koreografi të fuqishme, përfshirë lëvizjen që u bë virale në TikTok, ajo solli një nga momentet më dinamike të mbrëmjes. McRae fitoi edhe çmimin për këngën e verës me “Just Keep Watching”.

Lady Gaga

Lady Gaga, mes çmimeve dhe turneut

Lady Gaga mori çmimin e parë të natës, Artistja e Vitit, përpara se të nxitonte drejt koncertit të saj në Madison Square Garden. Për fansat që e prisnin në V.M.A., Gaga kishte regjistruar më herët një performancë ekskluzive, ku ndërthurte hitin “Abracadabra” me këngën “The Dead Dance” nga seriali Wednesday. E veshur me kostume të frymëzuara nga periudha elizabetiane, ajo ofroi një shfaqje teatrale, duke fituar gjithashtu edhe çmimin për bashkëpunimin më të mirë me Bruno Mars për “Die With a Smile”.

Homazh për Ozzy Osbourne

Pas ndarjes nga jeta të Ozzy Osbourne në korrik, në moshën 76-vjeçare, V.M.A.-të i kushtuan një homazh të veçantë. Djali i tij Jack Osbourne e prezantoi me një mesazh video, ndërsa në skenë u ngjitën Yungblud, Steven Tyler dhe Joe Perry. Ata interpretuan “Crazy Train,” “Changes” dhe “Mama, I’m Coming Home”, duke nderuar trashëgiminë e “princit të errësirës” që la gjurmë të pashlyeshme në heavy metal dhe në kulturën pop.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë