Gazeta Si – Armando Broja është rikthyer nga dëmtimi i gjatë në gju, por ende nuk është më ai i mëparshmi. Edhe vetë lojtari i Kombëtares shqiptare ka pohuar se qëndrimi për një kohë të gjatë jashtë fushave e ka dëmtuar mendërisht.
Trajneri Mauricio Poçetino vazhdimisht i ka dhënë mbështetje Brojës, e ka motivuar edhe me fjalë të mira, por duket se edhe ai është ‘dorëzuar’. Trajneri argjentinas e aktivizoi titullar në ndeshjen e fundit me Evertonin dhe sulmuesi jo vetëm nuk mundi të shënonte, por as nuk dha shenjat që priteshin.

Në një situatë të tillë, shanset e qëndrimit te Çelsi për Brojën janë minimizuar. Londineazët janë në krizë dhe sigurisht që Broja ka pak përgjegjësi, por klubi kërkon të tjera zgjidhje për momentin, çka do të thotë se mund të lirohet nga futbollisti shqiptar për një ofertë të pranueshme.
Kërkesat për Brojën kanë qenë të shumta, si në Premier Ligë, ashtu edhe në kampionate të tjera, si Itali e Turqi. Megjithatë, momenti që po kalon lojtari kuqezi mund t’i bëjë klubet që e duan të reflektojnë, të paktën për pak kohë. Ndoshta sulmuesi i ri ka nevojë për një skuadër të tipit të Southemptonit, ku shpërtheu dy sezone më parë.
Në anën tjetër, edhe trajneri i Kombëtares, Silvinjo, shpreson që Broja të luajë sa më shumë, në mënyrë që në qershor, kur fillon Europiani 2024, të jetë në formën optimale. Për momentin Broja nuk është në këtë nivel, është e qartë. Tani mbetet të shihet si do të rrjedhin ngjarjet në merkato për sulmuesin kuqezi.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



