Art dhe Kulture

Moikom Zeqo, dalja e fundit nga shtëpia

Muzeu Historik Kombëtar ishte shtëpia e tij. Jo pak. Por 8 vite. Madje e para dhe jo e dyta siç shpesh e themi për vendin e punës.  Ai nuk kishte një banesë të vetin atë kohë. Kishte qenë deputet dhe Ministër, por ende pa një strehëz.

Bënte ec e jaket e çdo dite nga Tirana në Durrës ku kishte familjen. Me makinë kryesisht. Por edhe me tren. Kishte ditë që makina e linte rrugës e duhet të bënte autostop. Shpesh e kalonte natën në zyrën e tij të drejtorit, kur i duhej të qëndronte deri vonë në Tiranë.

Ishte i pranishëm jo vetëm në aktivitetet që organizonte institucioni që drejtonte, por edhe ku e ftonin miqtë. Në ekspozita pikture, promovime libri, simpoziume për disa nga figurat më të rëndësishme të artit dhe kulturës shqiptare, apo takime të shoqatave të ndryshme që i organizoi në ato vite të vështira pas ngjarjeve të ’97-‘98-ës.

Moikom Zeqo ishte kudo dhe nuk mungonte.  Edhe kur mendonte se duhet ta refuzonte ftesën. Kjo ishte përditshmëria nga 1997-ta deri në 2005-ën për një nga mendjet e ndritura dhe një nga nga njerëzit më të ditur që e kishim mes nesh deri në fillim jave.

Priti dhe ndihmoi këdo që i trokiti në atë zyrë. Një ftesë për ekspozitë, koncert, promovim libri, i kërkonin mendim për dorëshkrime të ndryshme.

E paralelisht Moikomi e drejtoi atë institucion. Bashkë me kolegët çfarë nuk zbuloi në bodrumet e atij Muzeumi që paraardhësit e tij as e kishin marrë mundimin të shikonin se çfarë ndodhej nën pluhur.

Nuk rreshti së shkruari çdo natë, nën shoqërinë e tymit të duhanit. Të nesërmen sekretarja e tij e ndihmonte t’i radhiste në makinën e shkrimit. Zhurma e goditjeve mbi gërma oshëtinte koridoreve. Dhe Moikomi e interpretonte me pasion atë që një natë më parë kishte shkruar.

Paralelisht në atë zyrë modeste mbante edhe Kavalecin. Me penel në dorë, në kohën e lirë zhvilloi një tjetër pasion. Ishte dashuruar me pikturën. Por jo vetëm.

Moikomi ishte i gjithanshëm. Fliste me pasion për letërsinë, pikturën, historinë, arkeologjinë, çështjen kombëtare…Në zyrën e tij dëgjoje të flitej për Rilindjen, vëllezërit Frashëri, Lasgushin, Dritëroin, Qosen, Podrimjen, Kadarenë, Rreshpjan….

E këta të fundit shpesh i priste në zyrë. Ishe me fat të qëlloje në një cep zyre, apo edhe pas dere që të dëgjoje bisedat mes tyre shoqëruar edhe me ndonjë gotë raki Skrapari.

Viti 2001, Moikom Zeqo në zyrën e tij me Frederik Rreshpjan, Ali Podrimjen dhe Enver Kushin

Për politikën fliste më rrallë edhe pse kishte kaluar shumë beteja, që nga krijimi i PS-së kur ishte njëri prej atyre që e themeluan. Zhgënjimi veçse iu shtua. Edhe nga ata të familjes së tij politike. Politika nuk para i mban gjatë në radhët e saj ata si Moikomi.

Por ai vazhdoi të shkruajë. Dorëshkrime pa fund të cilat i la si trashëgimi në librat që botoi deri në fund të jetës…

…Prej 15 vjetësh kishtë ikur nga Muzeu Historik Kombëtar. Historitë e politikës sa herë ndërrohej pushteti në Shqipëri nuk e falën as atë në vitin 2005. Por Moikomi u rikthye shpesh si i ftuar, në shumë aktivitete që u mbajtën edhe kur nuk ishte më drejtor.

U la pa punë si nga qeveritë e djathta dhe ato të majta. Ndaj doli parakohe në pension dhe përfitoi një pension minimal deri sa mbylli sytë. Vitet e fundit luftoi me një sëmundje të rëndë. Bëri çmos që ta mundte. Nuk e trembte vdekja. Dhe u duk sikur e fitoi betejën.  E megjithatë krijimtarinë nuk e ndali.  

Këtë të shtunë u rikthye për herë të fundit.

E kishte lënë amanet që kur të vinte ajo ditë, homazhet të mbaheshin në Muzeun Historik Kombëtar. Në atë institucion që la gjurmë në kohë të vështira, por që dhe për 8 vite ishte shtëpia e tij. Kishte lënë amanet që të mos përcillej pa pasur pranë edhe djalin e tij të vetëm, Epidamn. Atij iu desh rrugë e gjatë nga SHBA për shkak të situatës së Covid-19 dhe vështirësisë së fluturimeve.

Epidamn ishte fëmijë në vitet kur Moikomi drejtonte muzeun. Luante në oborrin e atij institucioni. Sot ai është burrë. Moikomi ishte krenar që e shkolloi jashtë edhe pse me shumë vështirësi. Ai që shkruante prej një jete arriti që të lexojë edhe atë se çfarë nisi të shkruajë djali i tij në media. Epidamn erdhi nga larg për t’i dhënë lamtumirën e fundit nga Muzeu-shtëpi, bashkë me familjen dhe shumë miq.

Copyright © Gazeta “Si”

Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë