Ngjarje

Mjekuan Dumanin në shtëpi pas plagosjes, mjekët: Nuk e dinim të shkuarën e tij kriminale

Gazeta Si - Dy mjekët dhe ndihmësmjeku që trajtuan në kushte shtëpie të shumëkërkuarin e drejtësisë Nuredin Dumani, pretendojnë se nuk kanë pasur dijeni për të shkuarën kriminale të tij.

Mjekët Julian Mala, Ermal Gjeci dhe Bledar Berdalli, të cilët asistuan në mjekimin e 37-vjeçarit, kanë thënë se janë marrë në banesë nga një i njohur i përbashkët i Dumanit pa pasur dijeni se kush ishte.

Pas arrestimit të tyre këtë të enjte, ata janë shprehur se “për sa kohë kanë bërë betimin e Hipokratit, nuk mund t’i mohonin kujdesin shëndetësor kushdo që mund të ishte pacienti”, - thonë burime nga grupi hetimor.

Mjekët e kanë kuruar Dumanin e plagosur me një plumb pas shpine që i kishte prekur dhe mushkëritë pas përplasjes me armë në Elbasan mes tij dhe një personi tjetër që dyshohet se është Talo Çela.

Mjekët nuk kanë lajmëruar policinë kur kanë konstatuar personin e plagosur, por i kanë dhënë ndihmë mjekësore në apartamentin e tij në Fier në kalin e 4 të një pallati në lagjen “Apollonia”.

Por kur gjendja e Dumanit po rëndohej, mjekët kanë telefonuar urgjencën. Kjo telefonatë vuri në lëvizje policinë, duke arrestuar Dumanin dhe të përfshirët në këtë ngjarje kriminale.

Tre bluzat e bardha pritet të dalin të premten para Gjykatës në Elbasan, ku do t’u komunikohet masa e sigurisë.

Së bashku me ta do të dalë për masë sigurie edhe e dashura 20-vjeçare e Dumanit, M.H., e cila është vënë në pranga.

Ata akuzohen për veprat penale “Moskallëzimi i krimit” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”.

Në kuadër të këtij operacioni janë arrestuar dhe 40-vjeçari. H.H. i cili akuzohet për veprat penale “Vrasja me paramendim”, mbetur në tentativë, kryer në bashkëpunim dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.

Ndërsa e reja, banuese në Kosovë, për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Përkrahja e autorit të krimit”.

Dumani u arrestua para dy ditësh vetëm pak orë pasi ishte plagosur pas përplasjes me armë në aksin Elbasan-Peqin. Pas atentatit, ai u plagos dhe u strehua në Fier, por që u kap nga policia. Gjatë kontrollit policia gjeti në automjet një kallashnikov edhe një bidon me 5 litra benzinë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë