Lajme

Mjeku që kaloi koronavirusin: Duhet kujdes! S’e dimë nëse fitojmë imunitet apo jo

Andi Koraqi, shefi i laboratorit të mikrobiologjisë në Qendrën Spitalore Universitare të Tiranës paralajmëron se përsa kohë nuk është provuar botërisht se organizmi i njeriut fiton imunitet nga koronavirusi i ri qytetarët duhet të tregohen të kujdesshëm.

“Edhe unë nuk kam pse të jem i lumtur që e kam kaluar virusin pasi nuk e di nëse kam imunitet apo jo, sepse nuk e dimë a mund të kthehet apo jo. Nëse një person bën testin serologjik dhe e ka kaluar virusin edhe mund të dalë pozitiv. Ne nuk kemi kurrë një imunitet grupi dhe qëllimi i gjithë masave ka qenë që kurba të jetë e sheshtë”, deklaroi ai në një intervistë dhënë për ABC Neës.

Koraqi vetë rezultoi pozitiv me Covid-19 më 31 mars dhe pak ditë më vonë u shtrua në Spitalin Infektiv për shkak të përkeqësimit të gjendjes shëndetësore. Fatmirësisht mjeku i laboratorit të mikrobiologjisë e mposhti sëmundjen dhe pas dy testeve rezultoi negativ.

Por, Koraqi vetë paralajmëron se përsa kohë nuk ka dalë ende një vaksinë, kujdesi për të shmangu infektimin duhet të jetë maksimal.

“Në rast se vaksina del, ndërpritet zinxhiri i transmetimit ndërpritet dhe infeksioni. Janë 40 laboratorë që janë në testim e sipër të vaksinave të mundshme. Vaksina mund të prodhohet në shumë vende. Po të jetë e mundur mund të prodhohet edhe në Shqipëri“, vijoi ai.

Mjeku thotë se në Shqipëri testimet serologjike, pra analiza e gjakut ka nisur prej një jave tek grupet që konsiderohen me risk të lartë infektimi, si punonjësit e shëndetësisë, por analizimi i rezultateve të tyre ende jo.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë