Njerez

‘Mjeku i familjes’ së italianëve që jetojnë në Shqipëri

Në moshën 72-vjeçare, tashmë në pension, Alfredo Specchia jeton mesatarisht 15 ditë në muaj në Shqipëri dhe është pika referimi për italianët që jetojnë në anën tjetër të Adriatikut

Gazeta Si – Ai është “mjeku i familjes” i shumë pensionistëve italianë në Shqipëri. Alfredo Specchia, me origjinë nga Monopoli, provincë e Barit, jeton gjashtë muaj në vit në Tiranë, mesatarisht pesëmbëdhjetë ditë në muaj.

Shkon e rikthehet nga Italia pa harruar asnjëherë çantën me “veglat” e zanatit: stetoskop, presion gjaku, oksimetër, matës sheqeri.

Ai është gjithmonë në dispozicion të komunitetit italian për vizita mjekësore, këshilla dhe shpërndarje të barnave. Të gjitha pa pagesë.

Një punë si mjek i përgjithshëm, me specializim për problemet shëndetësore tek të moshuarit, të cilën e donte shumë dhe e realizoi me pasion për mbi 40 vjet në Monopoli, ku ishte edhe këshilltar bashkiak.

Sot, në moshën 72-vjeçare, i lirë nga angazhimet profesionale, ai i lejon vetes një pushim të merituar në anën tjetër të Adriatikut, pa harruar të ndihmojë bashkëkombësit e tij që kanë nevojë.

Pse kjo zgjedhje?

Shumë pensionistë shkojnë në Portugali, por për ne puljezët është më e përshtatshme për të ardhur në Shqipëri, e cila është vetëm gjysmë ore fluturim larg me avion.

Kjo më lejon të udhëtoj ndërmjet Monopolit, ku jeton familja ime, dhe Tiranës. Shqipëria është një vend i mrekullueshëm, cilësia e jetës është e jashtëzakonshme.

Deti, dielli, qetësia, gjithmonë ndjehesh sikur je me pushime. Unë vij këtu që prej vitit 2023, kam leje qëndrimi për 184 ditë në vit si profesionist dhe jetoj në një shtëpi me qira në Tiranë, që më kushton 250 euro në muaj. Mund të punoja edhe këtu, aq sa më kontaktoi një klinikë private shqiptare. Por pas shumë vitesh profesion, tani dua vetëm të pushoj.

Ju jeni mjeku referues për shumë pensionistë italianë në Shqipëri.

Unë jam anëtar i Apia-s, Shoqatës së Pensionistëve Italianë në Shqipëri dhe jam vënë në dispozicion pa pagesë për këdo që ka nevojë për këshilla nga një mjek. Ne jemi një komunitet i madh që ndihmojmë njëri-tjetrin. Kur vij në Tiranë, telefoni nuk më pushon.

Ka nga ata që kanë temperaturë dhe duhet të vizitohen, nga ata që presin disa ilaçe që i sjell nga Italia dhe që nuk gjenden në Shqipëri, si për shembull disa ilaçe të reja për diabetin, nga ata që më kërkojnë t’u mas presionin ose sheqerin në gjak.

Duke qenë një mjek për problemet shëndetësore tek të moshuarit, jam në gjendje të menaxhoj patologji të ndryshme që mundojnë këtë moshë.

Përveç avantazheve tatimore, cila është një arsye e mirë për të jetuar në Shqipëri?

Është një vend paqësor. Një shembull mbi të gjitha: këtu bashkëjetojnë në paqe tri fe: ortodokse, krishtere dhe myslimane.

Një bashkëjetesë dhe një mesazh paqeje dhe uniteti që duhet të jetë shembull për të gjithë Evropën. A ju duket gjë e vogël?.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë