Gazeta Si - Gjykata e Tiranës liroi nga qelia dhe la në "arrest shtëpie" mjekun Fitim Marku, i cili u arrestua në flagrancë pasi i mori ryshfet një pacienti në Spitalin e Traumës.
Prokuroria kërkoi "arrest me burg", por gjykata e lehtësoi masën ndaj të akuzuarit, i cili ka pësuar ishemi dhe ka përfunduar në spital, pasi u prangos nga policë të maskuar dhe të armatosur brenda spitalit.
Në materialin e akt-akuzës, prokuroria ka argumentuar se hetimi për korrupsion në Spitalin e Traumës në kryeqytet ka nisur pas informacioneve te marra në rrugë operative se mjekët e këtij spitali, mes tyre edhe Fitim Marku, u kërkonin pacientëve dhe familjarëve të tyre ryshfet për të kryer shërbimet si ato të planifikuara dhe të pa planifikuara.
Nisur nga ky fakt prokuroria ka dhënë autorizimin për kryerjen e vëzhgimeve ambientale dhe telefonike të mjekut, por edhe të personave që do të infiltroheshin.
Sipas dosjes, njëri nga pacientet që kishte rënë dakord të bashkëpunonte me policinë ishte tërhequr në momentin e fundit dhe kjo i kishte detyruar hetuesit që të gjenin një tjetër person që ishte operuar para dy vitesh.
Ai kishte kontaktuar me mjekun dhe ky i fundit i kishte thënë të shkonte të kryente skanerin ditën e premte ku ai ishte mjek rojë.
Materiali ishte pajisur edhe me përgjimet, ku tregohej itinerari i pacientit, i cili megjithëse ishte i paplanifikuar ishte regjistruar për të kryer skanerin dhe më pas kishte qenë mjeku ai që i kishte kërkuar një shumë pre 10 mijë lekësh të reja, të cilat sipas përgjimeve ai do i ndante edhe me persona të tjerë.
Sipas dosjes policia nuk kishte mundur dot të kishte filmime në momentin e dhënies së parave, por pas arrestimit të Markut, në xhepin e tij janë gjetur paratë, numrat e të cilave ishin shënuar më parë nga policia.
Në 23 shtator të këtij viti, në kuadër të operacionit policor të koduar “Skaneri” u arrestua në ambientet e Spitalit të Traumës mjeku reanimator, si dhe u shoqërua mjekja me iniciale S.B., dhe infermierja me iniciale K.B.
Hetimet vazhdojnë për dokumentimin e veprimeve të tjera të kryera edhe nga personel tjetër mjekësor i përfshirë në këtë skemë korupsioni.
Pamjet e arrestimit të tij u publikuan në media, teksa ai dilte nga spitali me pranga në duar. Ndalimi i tij publik u dënua nga Shoqata e Reanimatorëve dhe Anestezistëve në Shqipëri, pasi “deningron figurën e mjekut”.
Nga ana tjetër, shoqata mbështet organet ligjzbatuese për hetimin dhe ndëshkimin e çdo shkeljeje të kryer nga kushdo gjatë ushtrimit të detyrës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.